Çelesat e veres

Çelësat e verës
Charms Mania

Protagoniste të viteve ’60-’70, të adhuruara nga Madame Coco, byzylykët me stringla kthehen fuqishëm në modë. Shihen edhe mbi çanta apo celularë, në version ironik, por çdonjëra prej tyre tregon gjithmonë një histori, një udhëtim, një dhuratë. Ose është një talisman me një domethënie të caktuar: dielli është fat, dora është mbrojtje, ylli është miqësi... më të çmuarit? Janë të artë ose me gurë diamanti. Ata më trendi janë prej argjendi ose inoksi me bruz dhe korale, perfekte për stinën e verës.

Parfume të kryqëzuar

Ç’po ndodh me parfumet? Ato femëroret po pasurohen me esenca të drunjta, tipike mashkullore, që të kombinuara me lulet (gjithmonë protagoniste) i japin parfumit një personalitet më të vendosur dhe elegant. E anasjella për aromat mashkullore, që zbuten me lule për të krijuar aromat mikse, por të freskëta e të thella në të njëjtën kohë. Ajo që ngelet e përbashkët është një gamë e tërë erëzash, që u jep të dyja aromave një nuancë erotizmi dhe sensualiteti.

Miqtë e lëkurës

E verdhë, portokalli, e kuqe, e gjelbër. Janë ngjyrat e ushqimeve që favorizojnë një abronxaturë të shëndetshme: karota, luleshtrydhe, pjepër, speca, spinaq... të gjitha produkte të pasura me karoten, që zbusin ndjeshmërinë ndaj dritës së diellit dhe stimulojnë melaninën, duke favorizuar pigmentimin e lëkurës. Një shembull? Glikopeni i domateve, “xantofille”-t e peshkut, betakaroteni i karotave, që të mbrojnë nga efektet negative të radikaleve të lira. Mund të merren edhe si pilula, por pa e ekzagjeruar, sepse mund të akumulohen në mëlçi, duke krijuar shqetësime metabolike.

Mbi flokë

Shami, fasha, rrathë, shalle... janë aksesorët e domosdoshëm të verës. Lidhen stil Grace (Blugirl), stil “Pirati i Karaibeve” (Giorgio Armani), përdridhen rreth qafës (Michael Kors) ose shtrëngohen nën flokë, një tjetër must i stinës, i propozuar në mijëra forma e ngjyra. Moda i propozon në kashtë ose copë, në tonet pastel ose ngjyra vitaminoze. Kombinohen me syzë të gjera e të mëdha me lente të errëta.

Perfekte deri në darkë

Një “trend-setter” si Anna Wintour e kishte kuptuar prej kohësh. Dhe tani, Katie Holmes, Mary J. Blidge e shumë të tjera i japin të drejtë. Prerja ideale e flokëve për të qenë perfekte nga mëngjesi në darkë është modeli “kaskë”. Me presje ose në versionin karrè, që rri mirë me të gjitha stilet e veshjeve, deri tek ai casual. Kërkon një prerje “teknike”, me gjeometri perfekte, që krijon volum në pikat e duhura. Kurse në shtëpi duhen përdorur produkte specifike për t’u dhënë disiplinë, pa u shumuar flokëve lëvizjen.

Rroba banje me trup

Zgjedhja mes rrobave të banjës me trup dhe bikinit tashmë është kapërcyer. Kanë mbërritur ato që quhen trikini, që me një fashë lidh të poshtmet me të sipërmet, dhe tankini: mbathje me minikanotierë në vend të reçipetave. Por nuk mbaron me kaq. Tërmeti i verës 2008 quhet “quadranga”, një revolucion i tangave, që në Spanjë po bën namin. Mbrapa kanë formë normale tangash, ndërsa përpara kanë formë kuadrati ose rombi të lidhura me fjongo. Është koha për t’u çmendur!

Në formë me gjumin

Një studim i universitetit Naval në Kanada ka zbuluar një lidhje shumë të ngushtë mes gjumit dhe metabolizmit. Për një periudhë prej gjashtë vjetësh ekspertët kanë ndjekur zakonet e një grupi të rriturish me mosha të ndryshme dhe kanë zbuluar se rreziku për t’u shëndoshur rritet me 35% tek ata që flenë më pak se 6 orë dhe 25% tek ata që e kalojnë gjithë ditën e natën në krevat. Rezultati: deri në pesë kile më shumë në të dyja rastet. Po atëherë ç’të bësh? 7-8 orë gjumë në ditë janë ideale.

Efekti natë

Hijezuesit më në modë? Blu dhe e kaltër xhinsi, nuanca që u shkojnë të gjithave: u japin dritë syve gështenjë dhe thellësi atyre të kthjelltëve, nga bojëqielli tek e gjelbra. Përdoren të pashoqëruar me nuanca kontrasti, në versionin mat, pa shkëlqime perle. Shpërndahen në të gjithë kapakun, pak a shumë të shumuar sipas shijeve, me penel ose me gisht. Të tjera risi verore të koleksioneve të make up-it janë ngjyra blu-natë e manikyrit, blu mavi e penelit, që kombinohen me buzëkuqe dhe shkëlqyes me ngjyra natyrale.

Nga : Revista Jeta

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama