Çelsi mes dashurise dhe thashethemeve

Çelsi, mes dashurisë dhe thashethemeve

 Kjo ngjarje u tregua nga vetë Hilari, e ftuar në një emision në CNN. Dukej që ishte jashtëzakonisht e lumtur për vendimin e 29-vjeçares Çelsi për t‘u martuar me të dashurin e saj, 31-vjeçarin Mark Mezvinski. "Jam zyrtarisht mamaja e nuses", rrëfeu ajo.

Nëse Hilari është e lumtur, Bill është akoma më shumë. Mark, dhëndri i ardhshëm, i pëlqen shumë, dhe në fund të një konference e quajti kështu: "Është një person i jashtëzakonshëm". Për të kuptuar më mirë se cila ishte gjendja e tij shpirtërore, ish-presidenti i SHBA-së dërgoi më vonë një nga zëdhënësit e tij për të shpjeguar më mirë mendimin e tij, që mund të përkthehet me këto fjalë: "Bill ju adhuron. Ai është djali që nuk ka pasur kurrë dhe marrëdhënia me Mark është ajo që ai do të donte të kishte me babain e tij". Që Bill kishte një raport të mirë me Mark, kjo ishte kuptuar prej kohësh: 25 shtatorin e shkuar ishte ulur përkrah dy të rinjve gjatë një konference të organizuar në "Clinton Global Iniziative", fondacioni i aktiviteteve ndërkombëtare të ish-presidentit. Por kur do të martohen Mark dhe Çelsi?

Data e saktë nuk është dhënë ende, madje dhe vendi se ku do të zhvillohet ceremonia është mbajtur sekret. Megjithatë, shumë mendojnë se ceremonia e familjes Klinton do të zhvillohet në Maryha‘s Vineyard, ishullin e vogël në brigjet e Masaçusets-it, që prej kohësh është kthyer në rezidencën verore të elitës politike të bardhë dhe të zezë. Për momentin, zyrtar është vetëm një e-mail që dy të rinjtë u kanë dërguar miqve të tyre në fund të nëntorit: "Ju kërkojmë falje për këtë e-mail kolektiv, por deshëm t‘ju uronim të gjithëve ‘Gëzuar Festën e Falënderimit‘. Nuk u martuam verën e kaluar, ashtu si qarkullonin zërat, por do martohemi verën që vjen dhe shpresojmë që ju të jeni bashkë me ne për të festuar". Kishte disa kohë që mediat e specializuara në "gossip", herë pas here mbanin nën kontroll Markun dhe Çelsin. Që ata takoheshin vazhdimisht, ky nuk ishte më një mister.

Të dy jetojnë në Nju Jork, në shtëpi të ndara, por jo shumë larg njëri-tjetrit: Mark 31 vjeç, djali i dy ish-deputetëve të Partisë Demokratike, i diplomuar në "Stanford University", pas eksperiencës në "Goldman Sachs", punon në një kompani private investimesh, "3G Capital"; Çelsi, 29 vjeçe, e diplomuar në të njëjtin universitet si i dashuri i saj, pas një pune të shkurtër te "McKinsey" dhe qëndrimit përkrah së ëmës në garën për t‘u zgjedhur kandidate e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale, këtë vit iu rikthye sërish studimeve me një master në Politikë dhe Administrim Shëndetësor në "Columbia University". Dy të rinjtë njihen që nga koha e liceut në Uashington. Me mbiemrat dhe historitë e familjeve prej nga vijnë, martesa e Çelsit dhe Markut, e parashikuar për muajt në vazhdim, do të çojë në shpërthimin e valëve të kuriozitetit dhe vëmendjes, sidomos për gazetat dhe tabloidët e thashethemeve. Ngjarja është "pjellore" për të gjithë, si për ata që do e pasqyrojnë në mënyrë korrekte ngjarjen, ashtu edhe për ata që do të synojnë të bazohen tek ekzagjerimet dhe skandalet: mbi të gjitha ndryshimin e besimit fetar mes familjeve dhe dy bashkëshortëve të ardhshëm; historitë politike të Bill dhe Hilarit, apo te historia e së shkuarës dhe së tanishmes së Eduard Mezvinskit dhe Marjori Margolies, nënës dhe babait të Mark.

Në fund, ata që rrezikojnë të dëmtohen më shumë janë dy të rinjtë, që u njohën, u dashuruan dhe tani duan të martohen. Kush do ta celebrojë martesën? Një rabin apo një prift metodist? Skenari ka nisur menjëherë të ndërtohet mbi çështjen e besimit fetar, pasi Mark është hebre, ndërsa Çelsi metodiste si e ëma. E para që ka nisur tymnajën ka qenë gazeta izraelite "Haaretz", që ka hedhur dyshimet mbi identitetin fetar të Mezvinskit, duke kujtuar se si xhaxhai i tij, profesor historie në Universitetin Shtetëror të Konektikat, u akuzua për antisionizëm, për qëndrimet e tij kritike ndaj sjelljes së Izraelit kundrejt Palestinës. Për më tepër, ajo ka lënë të kuptohet se si Çelsi mund të konvertohet në hebreje përmes kësaj fraze: "Ajo ishte e pranishme bashkë me të fejuarin e saj gjatë shërbimit fetar në një festë të shenjtë në seminarin teologjik hebraik në Nju Jork, institucioni akademik dhe "flamuri" i hebraizmit konservator". Po ashtu, në sajtet e internetit kanë nisur të qarkullojnë opinione nga më të ndryshmet. Në faqen "Yeshiva world news" është shfaqur një artikull ku titulli të bën të kuptosh menjëherë atë që ka përmbajtja: "Mediat laike përshëndesin martesën ndërfetare Klinton-Mezvinski". Autori, pasi kritikoi qëndrimin e izraelites "Haaretz", ka raportuar lajme anonime mbi mundësinë që "dhëndri do të konvertohet në i krishterë". Sa mirë që Çelsi dhe Mark kanë ndërmend të zhvillojnë një ceremoni private shumë pak të ekspozuar ndaj medias, për të shmangur kështu polemikat fetare-politike. Por, në këtë rast nuk do të mungojnë polemikat mbi familjet përkatëse.

Hilari Klinton, Sekretarja e Shtetit, që përgatit martesën e vajzës, do të nxjerrë zbuluar të njëjtët njerëz që në kohën e garës elektorale thoshin se po e angazhon Çelsin për qëllimet e saj politike. Akoma më i keq do të jetë pozicioni Eduard dhe Majroi Mezvinski, që u divorcuan në 2007-ën, pas një martese që zgjati 22 vjet. Por nuk është vetëm ky problemi. Eduard Mezvinski, 72 vjeç, u lirua në 2008-ën pasi bëri gjashtë vjet burg për mashtrim dhe vjedhje financiare. Ish-anëtar i Kongresit në vitet 1973-1977, babai i Mark kishte qenë pjesë e komisionit që çoi para bankës së të akuzuarve Riçard Nikson-in për skandalin "Watergate". Para eksperiencës parlamentare kishte qenë ambasador i SHBA-së në Komisionin për të Drejtat Njerëzore në OKB. Edhe ish-bashkëshortja, Marjori, ka pasur periudha të errëta dhe të ndritura në jetën e saj. Si një gazetare televizive e suksesshme, u bë e famshme falë angazhimit profesional në çështjen e adoptimeve. Madje u bë gruaja e parë beqare që adoptoi dy fëmijë të huaj. Pastaj, kur zgjodhi të martohej me Eduard, formoi një familje gjigande me 11 fëmijë.

Marjori e çoi çështjen në Kongres, ku u zgjodh në vitin 1993. Dy vjet më pas e humbi vendin: vota e saj kishte qenë vendimtare për ligjin e Bill Klintonit për t‘u rritur taksat të pasurve. Republikanët nuk e pranuan këtë zgjedhje të saj. Pas pak muajsh, Bill dhe Marjori do të jenë së bashku në një familje, siç do të ndodhë me Hilarin dhe Eduardin. Thashethemet dhe debatet mes krushqve nuk do të kursehen. Por dy të rinjtë janë plotësisht të përgatitur për këtë. Që të vegjël janë përballur me eksperienca të veshtia në jetë: Çelsi 15 vjeçe jetoi në Shtëpinë e Bardhë në kohën e skandalit "Levinski", ndërsa Mark jetoi historinë e babit të dënuar dhe të futur në burg.

 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama