TIRANË, 16 Tetor/ATSH/.- Partia Socialiste, përmes deputetit, Ervin Bushati, hodhi poshtë sot pretendimet e ngritura në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për dëm ekonomik ndaj shtetit si pasojë e marrëveshjes me kompaninë CEZ.
"Jo vetëm nuk ka asnjë dëm ekonomik dhe pretendimi i KLSH-së është plotësisht i pabazë, por falë ndërhyrjes së qeverisë shqiptare, shtetit iu kursyen 802 milionë euro, të cilat sot, falë kësaj qeverie, janë në arkën e shtetit, jo në xhepat e atyre që deri dje bënin sikur qeverisnin Shqipërinë", deklaroi deputeti Bushati.
Sipas tij, çdo ditë e më shumë po del në pah qarku i shkurtër mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Partisë Demokratike.
Fillimisht, tha Bushati, ishte KLSH që deklaratat e Sali Berishës në Parlament i shndërroi në një raport, ndërsa sot pamë se si PD e shfrytëzoi raportin për të sulmuar përsëri qeverinë", u shpreh deputeti socialist.
Ai renditi shifra dhe fakte rreth detyrimeve financiare që pala shqiptare duhet t'i paguante kompanisë çeke, pas marrëveshjes së zgjidhjes me mirëkuptim, nënshkruar vitin e kaluar.
"Në rast se nuk do të arrihej kjo marrëveshje, CEZ kish të drejtën të pretendonte si dëmshpërblim rreth 500 milionë euro nga borxhet që konsumatorët i detyroheshin kompanisë, si pasojë marrëveshja e arritur me CEZ jo vetëm që nuk ka shkaktuar një dëm prej 479 milionë euro (si pretendon raporti i KLSH), por ka kursyer buxhetin e shtetit nga një dëm potencial prej rreth 802 milionë euro", tha Bushati.
Kompaninë CEZ e solli në Shqipëri qeveria e kaluar dhe e dëboi nga Shqipëria po qeveria e kaluar, shtoi ai. Pikërisht këta njerëz, që sistemin e energjisë e shkatërruan si mos më keq, këta rrezikonin t'i shkaktonin shtetit shqiptar një dëm prej plotë 802 milionë euro, thuhet në deklaratën e deputetit të PS-së./ a.s/ /a.ke/