TIRANË, 8 Tetor/ATSH-Anila Struga/.- Ministri i Industrisë dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri mohoi të enjten në Kuvend një implikim të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta në çështjen CEZ, ndërsa akuzoi qeverinë parardhëse për neglizhencë në marrëdhëniet me kompaninë çeke. Ai e konsideroi 'korruptiv dhe të dështuar" privatizimin e OSHE-së në vitin 2009.
"Është konfirmuar se nuk ka asnjë përmendje emri apo implikim të kryetarit të Kuvendit në çështjen CEZ. Njerëzit e kontrolluar nga ish-kryeministri Sali Berisha kanë gisht në këtë çështje dhe janë ata që duhet të merren në pyetje nga prokuroria. Edhe nëse nuk ka gisht Berisha direkt ka pasur dijeni për vendimmarrjen e ERE-s", deklaroi ministri Gjiknuri në seancën e sotme parlamentare.
Ai bëri një retrospektivë për çështjen në fjalë, që nga momenti i privatizimit të operatorit të shpërndarjes së energjisë në 2009-n, të cilin e konsideroi tërësisht një proces të bërë për arsye korruptive me qëllim dorëzimin e aplikimit për statusin e vendit kandidat.
"Privatizimi i OSHE në 2009-n hapi siparin e dështimeve me qëllim dorëzimin e aplikimit për statusin e kandidatit, përkundër deklarimit të figurave qendrore të Bashkimi Europian. Në seancën e fundit ish-kryeministri Berisha i mohoi këto akuza. Por, çfarë thotë deklarata zyrtare? Më 29 mars 2009, Olli Rehn deklaronte:aplikoni kur të jeni vërtet gati dhe mos e bëni këtë vetëm për veprim politik. Prandaj këshilla ime është mos e konsideroni para zgjedhjeve parlamentare, pasi do të jetë test kritik për stabilitetin politik", citoi ministri i Energjitikës, ish-Komisionerin për Zgjerimin në BE.
Gjiknuri hodhi poshtë deklaratat e opozitës, sipas të cilave largimi i CEZ-t nga Shqipëria është bërë me bekimin e Bankës Botërore. "Kjo është një gënjeshtër e madhe. Nuk ka asnjë dokument, ku BB të thotë të hiqet licenca dhe të përzihet kompania", deklaroi Gjiknuri.
Më tej në shpjegimet e tij, ministri tha se qeveria 'Berisha' nuk depozitoi asnjë padi në arbitrazh kundrejt kompanisë çeke, por ishte kjo e fundit që e paditi Shqipërinë, duke e konsideruar të padrejtë vendimin e ERE-s për heqje licence.
"Qeveria 'Berisha' nuk depozitoi asnjë padi në arbitrazh dhe nuk bëri asgjë për të mbrojtur interesat e Shqipërisë. CEZ-i, duke e konsideruar të padrejtë vendimin e ERE-s, e paditi e para Shqipërinë më 15 maj 2013, në Gjykatën e Arbitrazhit. Ndërkohë, nga ana e autoriteteve shqiptare nuk u ndërmor asnjë veprim i sugjeruar edhe nga konsulenti ligjor. Mosveprimi në kohë nga ana e palës shqiptare e dëmtoi pozitën e shtetit shqiptar dhe interesat e tij ekonomike. Vlerësimi teknik dhe financiar do të ishte baza themelore e cila do të mund të paraqitej në një arbitrazh. Padia nuk u bë dhe këto masa nuk u morën gjatë gjithë vitit 2013. Megjithëse doli vendimi i qeverisë në shkurt 2013, vetëm në fund të atij viti nga kjo qeveri u bë e mundur marrja e ekspertëve", sqaroi ministri Gjiknuri.
Duke mbrojtur marrëveshjen e qeverisë shqiptare në vitin 2014 për zgjidhjen me mirëkuptim të kontratës me kompaninë çeke, ai tha se ajo ishte 'garancia që i hapi rrugën investimeve në sektorin energjitik". Ndersa akuzat e opozitës për çështjen ai i konsideroi 'diversion politik për të denigruar reformën energjitike të ndërmarrë nga qeveria shqiptare'.
"Marrëveshja e miratuar nga ne u inkurajua nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë, duke u konsideruar si 'heqje e pengesës kryesore' në financimin e reformës në energjitike", shtoi Gjiknuri./f.n/