Për çështjen "Fejzullahu", "Panorama Sport" u interesua edhe në klubin Partizani.
Drejtori Genc Tomori tha se nuk janë të sigurt për vërtetësinë e lajmit, por nëse është e vërtetë, të kuqtë fajësojnë Skënderbeun. Ja reagimi i Genc Tomorit për gazetën:
"Ne nuk e kemi 100% të sigurt që Fejzullahu ka dalë në stërvitje me Skënderbeun. Këtë gjë e kemi marrë vesh vetëm nga ajo që është publikuar në portale të ndryshme. Besoj se një klub profesionist si Skënderbeu nuk mund ta bëjë këtë gabim, pasi kjo është mungesë respekti ndaj kundërshtarëve.
S'e kuptoj se si mund të marrësh në stërvitje një lojtar që ka kontratë me një klub tjetër dhe aq më shumë që çështja e Fejzullahut është gjykuar edhe nga Dhoma e Zgjidhjeve të Konflikteve në FSHF, që i dha të drejtë Partizanit.
Absurditeti? Nëse është e vërtetë, absurditeti nuk qëndron te lojtari, por te Skënderbeu që mban një futbollist që ka kontratë me një ekip tjetër.
Edhe te Partizani shumë lojtarë mund të duan që të stërviten, por kur nuk ke kartonin dhe lejen e klubit, i bie që të jetë mungesë respekti.
Në rast se ky fakt është i vërtetë, përgjegjësia kryesore bie me klubin, i cili në përbërje ka profesionistë që i dinë mirë rregullat e përcaktuara nga organizmat që merren me mbarëvajtjen e aktiviteteve futbollistike. Jo se lojtari mbetet pa përgjegjësi në të tilla raste.
Fejzullahut i kemi bërë thirrje që të paraqitet në ekip dhe të respektojë kontratën".