TIRANË, 3 Nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Organizata Jo Qeveritare GUS rikthehet në Shqipëri për të dhënë kontributin e saj në kuadër të krizës emigratore që ka prekur Europën, ku dhe Shqipëria rrezikon të kthehet në një korridor kalimi për refugjatët.
Kështu, më datë 3 Nëntor me prezencën e Gianni Pittellas do të zhvillohet në Tiranë "Hotel Rogner" konferenca me temë, "Asylum seekers and the EU: good practices between Italy and Albania" (kërkuesit për azil dhe Bashkimi Europian: praktikat më të mira mes Italisë dhe Shqipërisë)
Në aktivitetin në fjalë, veç Gianni Pittellas, Presidentit të Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, do të jenë të pranishëm dhe Odeta Barbullushi, Zv/Ministre e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Khalid Chaouki, Anëtar i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Deputetëve të Italisë, Giovanni Lattanzi, Koordinator i Përgjithshëm i GUS Italia, Anëtar i Këshillit Kombëtar për Bashkëpunimin Ndërkombëtar pranë Ministrisë së Jashtme Italiane.
Konferenca organizohet nga GUS Albania të martën 3 Nëntor në orën 15.30 në Rogner Hotel, Salla Vienna.
Aktiviteti i vjen në kuadër të mundësisë që vendi ynë të kthehet në një korridor kalimi për refugjatët që vinë nga vendet e luftës drejt vendeve të Bashkimit Europian. Gjatë aktivitetit pritet të prezantohen praktikat më të mira e ndjekura në vendet e zhvilluara të Europës dhe veçanërisht Italisë në përballimin e valës emigratore.
Kujtojmë, të dielën Kryeministrit Shqipërisë dhe liderët e tjerë të Ballkanit dhe vendeve të Bashkimti Europian u mblodhët në një samit në bruksel ku u nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për të përballuar valën emigratore që ka kapur europën.
-Gus në Shqipëri!
Pas disa misionesh dhe shkëmbimesh gjatë 18 muajve të fundit, që rezultuan pozitive në planin e kushteve të përgjithshme, si dhe të partnerëve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen në Shqipëri, Bordi Drejtues i GUS vendosi të rifillojë aktivitetet e tij në Shqipëri. U caktua një përfaqësues për Shqipërinë dhe u regjistrua OJF-ja me emrin "Gus Albania", me seli pranë rrugës Myslym Shyri.
Pak më shumë hollësi mund të ndihmojnë për të kuptuar vullnetin tonë të thellë për të punuar në Shqipëri. GUS është themeluar si NGO në vitin 1993, duke filluar aktivitetet e saj në Ballkan, ku kemi qenë të angazhuar në operacionet e ndihmës së implementuar nga Qeveria Italiane dhe nga Koalicioni Ndërkombëtar për t'u përballur me situatat e krizave të përsëritura. Në veçanti, nga viti 1999 deri në vitin 2001, GUS koordinoi programin "Rainboë Adoption" në Prishtinë, duke lehtësuar adoptimin në distancë të 1.250 fëmijëve. Krijuam një klinikë pediatrike (me shërbimin e urgjencës) në spitalin e Malishevës. Në të njëjtat vite, në Durrës, GUS koordinoi një projekt që mundësonte adoptimin në distance për 100 fëmijë jetimë. Në Bosnje, nga viti 1993 deri 1998 kemi implementuar projekte mbi asistencën dhe adoptimet në distancë, ku përfituan 100 fëmijë në fshatin Gnojnice (Komuna e Blagaj-Mostar). Jemi marrë me rindërtimin e dy shtëpive për refugjatët në Tuzla dhe kemi zbatuar një projekt në favor të shkollës së Gnojnice-s, duke e pajisur atë me një bibliotekë dhe duke mundësuar kurset e shkrim-leximit të italishtes. Që nga viti 1999, vullnetarët Gus kanë dhënë një kontribut thelbësor për menaxhimin e rregullt në kampet në Rrashbull, Kukës, Kavajë dhe Vlorë.
-Zanafilla dhe historia e GUS
GUS u themelua si një NGO (Non-Governmental Organization), në vitin 1993 dhe filloi aktivitetin e saj në Ballkan. Aktualisht është e angazhuar kryesisht në fushën e çështjeve të të drejtave të njeriut që lidhen me emigracionin masiv. Që nga viti 1999, punojmë në bashkëpunim me Autoritetet e Qeverisë Italiane për t'u marrë me numrin e lartë të azilkërkuesve me prejardhje nga rajone të ndryshme të Afrikës dhe Lindjes së Mesme, kryesisht të shpëtuar nga Marina Italiane në Detin Mesdhe.
Në fillim të vitit 2015, stafi i GUS përbëhet nga mbi 180 ekspertë dhe operatorë socialë, përgjegjës për aspektin ligjor, shëndetësor, për çështjet psiko-sociale dhe për menaxhimin e përditshëm të rreth 70 strukturave (duke përfshirë këtu kampe, hotele dhe apartamente), ku strehohen jo më pak se 2000 persona, aplikues për kërkimin e statusit për mbrojtje ndërkombëtare. Këta persona janë shpërndarë mbi bazën e disa lloje projektesh dhe nevojash në qytete të ndryshme të Italisë.
GUS vepron gjithashtu edhe si "monitorues i respektimit të të drejtave të njeriut" në portin e Ankonës dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Romës "Fiumicino", për të garantuar dhe për të lehtësuar asistencën e duhur për azilkërkuesit dhe ndaj personave të dërguar nga vendet e BE-së në Itali, sipas Rregullores së Dublinit, ku ndjek rreth 200 procedura në muaj. Aktivitetet e GUS kërkojnë trajnim të vazhdueshëm të vullnetarëve dhe profesionistëve dhe mbështeten shpesh nga vullnetarë të Shërbimit Civil Kombëtar, në Itali dhe jashtë vendit. Ne jemi të angazhuar vazhdimisht në organizimin e konferencave, seminareve dhe aktiviteteve të tjera ndërgjegjësuese, në shkollat e të gjitha niveleve. Edhe pse arsimi nuk është në qendër të misionit tonë, ne jemi të bindur se aktivitetet trajnuese arsimore dhe profesionale janë një element thelbësor për integrimin e të gjitha grupeve të margjinalizuara.
Në baza javore, ne garantojmë për secilin përfitues të shërbimeve tona të paktën 8 orë mësim për përgatitjen e tyre për testet zyrtare. Të gjitha sa më sipër implementohen në Itali me azil-kërkuesit, por edhe në vende të tjera, ku ndër përfituesit përfshihen fëmijët që janë viktima të dhunës seksuale, fëmijët e rrugës, gratë, dhe refugjatët e luftës. Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kosova, Sri Lanka, India, Argjentina, Iraku, Etiopia dhe Somalia janë vendet në të cilat GUS ka operuar dhe është i pranishëm me projektet e financuara nga agjencitë ndërkombëtare "WFP, FAO, UNHCR), autoritetet kombëtare (Kooperacioni Italian, qarqet e Marche, Lazio, Toscana si edhe në disa provinca dhe komuna të pavarura) dhe nga sektori privat (La StampaSpeçhio dei Tempi Foundation dhe dhjetra kompani private). /a.g/