1. A do të luajnë Shtetet e Bashkuara rolin e liderit?
Deri më sot të gjitha delegacionet e Shteteve të Bashkuara në takimet për klimën, nën politikën e administratës "Bush", kanë luajtur rolin e "prishësit të festës". Diplomatët amerikanë jo vetëm i janë kundërvënë gjerësisht idesë së një konsensusi global për reduktimin e gazeve të dëmshme, por ata haptazi dhe publikisht i kanë kundërshtuar propozimet e bëra, madje nga Konferenca e Montrealit, në vitin 2005 kanë dalë në mënyrë demonstrative nga takimi dhe thuajse e pezulluan gjithë procesin në konferencën e Balit në vitin 2007. Me ardhjen e administratës së Obamës pritet një rol i ndryshëm i delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kryesohet nga Todd Stern. Forca dhe pozicionimi i SHBA-së janë shumë të rëndësishme, sepse më parë mungesa e këtij pozicionimi bëri që ndaj shteteve të tilla si Kina, apo India të mos kishte asnjë lloj presioni, pasi asnjë shtet nuk ka guxuar t‘u kundërvihet. Këtë vit, vetë Obama do të marrë pjesë në Konferencën e Kopenhagës, më 18 dhjetor, ditën e fundit të punimeve dhe ai do të deklarojë edhe masën e reduktimit të emetimeve të gazeve të dëmshme nga ana e Shteteve të Bashkuara. Thuhet se ajo është në masën 17%. Ajo çka është domethënëse është fakti se nga një vend tërësisht indiferent ndaj çështjes së klimës, gjatë 8 viteve të shkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht po shndërrohen në një lider të marrjes së masave për zgjidhjen e çështjes. Megjithatë, skuadra negociatore e Obamës nuk do të ketë fuqi të plotë, sepse kuotat e vendosura do të duhet që të miratohen edhe nga Senati Amerikan para se të hyjnë në fuqi. Por Senati mund ta vonojë këtë votë deri në pranverën e ardhshme që do të thotë se çdo sukses që mund të arrihet në Kopenhagë do të jetë jo i menjëhershëm dhe ndoshta i përkohshëm. Nëse Senati nuk do t‘i miratojë kuotat, atëherë gjithçka do të jetë si në fillim. Por ndërkaq, edhe kuotat në vetvete nuk janë shumë të larta ose të paktën krahasuar me ato të vëna nga Bashkimi Europian dhe sigurisht shumë pak në krahasim me atë çka do të duhej. Përgjithësisht bëhet fjalë për një nivel ambicieje shumë të vogël çka do të thotë që edhe arritjet e konferencës, në më të mirën e rasteve, do të jenë të një niveli të ulët.
2. Si do të reagojnë Kina dhe India?
Historikisht, Shtetet e Bashkuara kanë qenë emetuesi më i madh i dyoksid karbonit në atmosferë ose ndryshe përgjegjëse për një të katërtën e sasisë së këtij gazi që emetohet në botë. Ndërkohë, vendet në zhvillim si Kina dhe India do të jenë përgjegjëse për të ardhmen, kjo për shkak të zhvillimit të jashtëzakonshëm të ekonomisë. Njëherazi këto vende sipas Protokollit të Kiotos nuk janë bërë përballë kërkesave të mëdha për sa i përket uljes së emetimit të gazeve. Deri së fundi edhe këto vende kanë qenë indiferente, por së fundi vihet re edhe tek ato një rizgjim. Kështu Kina, së fundi lajmëroi se Kryeministri Wen Jiabao do të marrë pjesë gjithashtu në takimin e Kopenhagës dhe do të bëjë një premtim të paktën për një reduktim 40% deri në vitin 2020. Menjëherë më pas, India ka pasuar me një premtim për një reduktim në masën 255 për të njëjtën periudhë kohore. Krahasuar me të shkuarën, kjo situatë duket pozitive, por a do të realizohen vallë premtime të tilla realisht? Ajo çka paraqet një vështirësi të madhe është edhe mënyra e monitorimit dhe verifikimit të vajtjes pas objektivave të vënë dhe për këtë ka negociata që shpesh shkojnë deri në sherre e mosmarrëveshje të mëdha.
3.Tangoja me dy hapa
Në vitin 2007 në Konferencën e Balit, ishullit plot diell të Indonezisë, negociatorët punuan për të ashtuquajturin "Plani i Balit" një seri masash që duheshin marrë në përfundim të skadimit të Protokollit të Kiotos që do të garantonin një klimë pozitive globale që do t‘i paraprinte Konferencës së Kopenhagës. Por ky objektiv u realizua pjesërisht edhe për faktin se Obama ka vetëm një vit që ndodhet në krye të Shteteve të Bashkuara. Aktualisht, askush nuk pret që nga Kopenhaga të dilet me një marrëveshje të firmosur. Por siç ka thënë edhe vetë Kryeministri danez, Lars Lokke Rasmunssenm, nga Kopenhaga mund të arrihet një "mënyrë me dy hapa të përballuari të çështjeve urgjente të klimës". Gjatë hapit të parë, liderët botërorë mund të konvergojnë në një marrëveshje politike që do të nënvizojë rëndësinë e përpjekjeve ndaj ndryshimeve klimatike dhe ndoshta në të mund të vendosen edhe disa objektiva për të ardhmen. Puna do të përqendrohet edhe te krijimi i një arkitekture ligjore për një marrëveshje të mundshme si marrëveshje të vogla në lidhje me shpyllëzimin, apo marrëveshjet e kompensimit financiar të vendeve në zhvillim në këmbim të uljes së emetimit të gazeve. Më pas vende të tilla si SHBA, Australia, Kanadaja do të kenë kohë që të miratojnë në vendet e tyre objektivat e reduktimit të dyoksidit të karbonit. Në hapin e dytë, në një takim të mëvonshëm që do të organizohet në Meksikë në dhjetorin e ardhshëm të gjitha shifrat dhe faktet mund të materializohen në një marrëveshje dhe të firmosen. Në këtë mënyrë Kopenhaga mund të jetë një sukses. Por nëse nga Kopenhaga do të dalë vetëm një deklaratë e thatë në lidhje me domosdoshmërinë e ndërmarrjes së ndryshimeve klimatike, atëherë ky mund të quhej pa frikë një dështim. Ky takim përfaqëson një rast shumë të rrallë, një moment vendimtar kur e gjithë bota është e përqendruar si kurrë ndonjëherë në çështjet klimatike dhe si i tillë është një rast që nuk duhet humbur.
Kompensimi
Reduktimi i gazit të dyoksidit të karbonit nuk është masa e vetme që duhet marrë për ndryshimin e situatës. Ngrohja globale është një fenomen që ndodh edhe nëse do të marrim masa jashtëzakonisht të shpejta dhe vendet në zhvillim do të mbajnë barrën dhe peshën e saj. Ja përse një tjetër pikë në marrëveshje do të jetë ajo e ndihmës që i duhet dhënë vendeve në zhvillim, ndihmë kjo financiare, apo në asistencë. Për një kohë të gjatë ka pasur mosmarrëveshje në lidhje me paratë që duheshin shpenzuar për këto kompensime. Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Kopenhagen duhet që të jetë në gjendje të mobilizojë një mbështetje prej 10 miliardësh dollarë në vit ndaj vendeve në zhvillim, ndërsa Kryeministri britanik ka thënë se ai pret nga vendet e zhvilluara shumë më tepër. Por kush do t‘i menaxhojë këto para. Vendet në zhvillim, një pjesë e tyre, preferojnë bankën botërore si menaxhuese, ndërsa vendet e zhvilluara janë për një organizëm krejtësisht të ri. Ndërsa dje kanë nisur bisedimet e Kopengenit pavarësisht gjithë problemeve, një fakt është për t‘u marrë në konsideratë, dhe ai ka të bëjë me publicitetin e madh që i është bërë kësaj çështjeje shumë të rëndësishme gjatë gjithë kësaj kohe.
Gazeta Shqip