Çfare do te mbetet nga ky dhjetevjecar

Çfarë do të mbetet nga ky dhjetëvjeçar

Duket sikur kjo dekadë filloi dje, por si pa e kuptuar po arrijmë drejt fundit: viti i fundit i dekadës, 2010, "Është pas dere". Duke qenë se të gjithë të zënë me punë, nuk e kemi kuptuar se jemi pothuajse në fund të dekadës së parë të shekullit XXI. Dekadave të kaluara mund t‘u vëmë një emër: vitet ‘50, periudha e pasluftës, vitet ‘60, periudha e zhvillimit, vitet ‘70, periudha e terrorizmit, vitet ‘80, periudha e individualizmit dhe fundi i komunizmit, vitet ‘90, periudha e internetit. Por si kanë qenë vitet 2000? Si do t‘i kujtojmë? Si do t‘i quajmë? Pyetje të nxituara apo jo?

Gjithsesi, pas disa muajsh, kur të hyjmë në vitin e fundit të kësaj dekade, të gjithë do të fillojnë ta bëjnë këtë pyetje: mediat, sociologët, sondazhet. "Intelligent Life", i ka kushtuar një artikull temës në fjalë dhe në një farë mënyre ka arritur të marrë një përgjigje. Revista thekson se vitet 2000, ka qenë 10-vjeçari i komunikimit dixhital, i simbolizuar nga "iPhone"-i dhe "iPod"-i. Një komunikim që do të thotë liri për të bërë gjithçka vetë dhe duke lëvizur: dy koncepte që kjo dekadë që po mbyllet i ka ngjizur në internet, në sajtet e rrjeteve sociale si, "Facebook", "Twitter", "YouTube", "Bloge", e shumë të tjera të cilat transmetojnë lajme, video dhe fotografi të bëra me telefon.

Kjo është dekada e "Google"-it dhe "Wikipedia"-s, motori i kërkimit dhe enciklopedia që ndriçojnë planetin dhe të mësojnë mënyrën "të bëra vetë", nxitëse e një komunikimi pa limit, të lëvizshëm, i aftë të udhëtojë gjithmonë dhe kudo, me kompjuterë gjithnjë e më të vegjël dhe telefona me më shumë programe. "Mund ta merrni edhe në tramvaj", ky ishte slogani i një reklame e viteve ‘60. Tani me "iPod"-in dhe "iPhone"-in në tramvaj mund të bëjmë shumë gjëra.

E njëjta formulë vlen edhe jashtë internetit, e shoqëruar nga një fjalë tjetër që zhvilloi vitet 2000: "low cost", që përkthehet transport ajror me kosto të ulët. Fluturimet e "Ryan Air", "Easy Jet" dhe të shumë kompanive të tjera që i kanë imituar, kanë qenë ekuivalente të një "i-Trip", ku duhet të bësh gjithçka vetë, nga bileta te kontrolli. Kjo mënyrë të jep mundësinë të fluturosh lirë, të shkosh ku të duash, të komunikosh si, kur dhe me kë të duash.

Jo rastësisht Michael O‘Leary, administratori i deleguar i "Ryan Air", i pëlqen ta krahasojë agjencinë e tij "me një internet me krahë", duke imagjinuar ditën, kur do të udhëtohet falas, ashtu siç ndodh me internetin. "Ne do të fitojmë duke paguar ekstra shërbimet në bazë të kërkesave të çdo pasagjeri, siç ndodh me përdoruesit e internetit", thotë O‘Leary. Interneti dhe fluturimet me kosto të ulët janë çështjet kryesore të fenomenit, siç shpjegon edhe Thomas Friedman në sagën e tij me fotografitë e dhjetëvjeçarit "The earth is flat". E meqë jemi tek avionët, kjo ka qenë "dekada e frikës për të fluturuar".

Le t‘i rikujtojmë edhe një herë: më 11 shtator 2001, sulmi në Amerikë. Avionët e kamikazëve të Al-Kaedës sulmojnë kullat binjake në Nju Jork. Që atëherë, terrorizmi ndërkombëtar, lufta e shenjtë islamike e Osama bin Ladenit, nuk arritën më të godisnin Perëndimin në mënyrë po aq spektakolare, edhe pse përgjakën Londrën, Madridin dhe kryeqytete të tjera. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Çështjeve Shtetërore të Londrës, ky dhjetëvjeçar ka kaluar plot ankth e kërcënime. Sipas një gazete vendase, nëpër aeroporte kryhen kontrolle të imtësishme: nuk lejohen më biberonët, furçat e dhëmbëve, parfumet dhe gjithçka tjetër që mund të fshehë lëndë eksplozive.

Kjo dekadë ka pasur ikonën e saj edhe me katër rrota. "Ku është ‘Mini‘e ditëve të sotme?", thotë stilisti britanik, Stepen Jones, duke iu referuar makinës simbol të viteve ‘60. Njëra përgjigje është se "Mini" është rimishëruar te makinat një makinë e re. Të njëjtin fat kanë pasur edhe shumë makina të tjera, që kanë bërë historinë. Një prej tyre është "Fiat 500". Por risia e vërtetë, makina që u bë simbol i viteve 2000, shkruan "Economist" është "Toyota Prius", makina hibride, evolucioni i llojit drejt makinës elektrike të tregut të së nesërmes. "Përfaqëson ndërgjegjësimin e ri ambientalist, qëllimin për të shpëtuar botën nga katastrofa ambientaliste", thotë Ekow Eshun, drejtori i Institutit të Arteve Bashkëkohore të Londrës. "Ekologji" dhe "Terrorizëm" janë fjalët më të klikuara në Google, ankthe të tjera që e kanë trazuar dhjetëvjeçarin. Vitet 2000 kanë qenë gjithçka që përmendëm më lart, por jo vetëm kaq.

Pamja fizike nga viti 2000 deri më 2010-n, ka qenë kontradiktore: gjinj me silikon super të mëdhenj dhe ndërhyrje të tjera estetike, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, një rini gjithnjë e më e dobët, e gjatë, hermafrodite, djem dhe vajza që mund të shkëmbejnë rrobat pa kurrfarë problemi. Kundërshtimi është përhapur edhe në botën e modës: kjo ka qenë dekada e stilit dhe e top-modeleve; dhjetëvjeçari ku kemi parë qytetet e së ardhmes: këtu përfshihen grataçielat e Dubait; dhjetë vitet e televizionit dhe spektakleve televizive, e vrapit, trupit; dekada e zbulimit se si të ushqehemi në mënyrë të shëndetshme, e bankierëve dhe bankave të falimentuara, siç thotë Tina Brown, ish-drejtoresha e "Vanity Fair" dhe "New Yorker", tani drejtoreshë e "DailyBeast.com", një faqe lajmesh (ose më saktë e komunikimit dixhital). Është dekada gjatë së cilës kemi rifilluar të shkruajmë (e-mail, Twitter) dhe është zhytur pjesërisht në krizë shtypi: "Economist", revista e parë globale, e shpërndarë më shumë jashtë shtetit, sesa në Britaninë e Madhe ku ka selinë qendrore, e ka dyfishuar tirazhin deri në një milion e gjysmë kopje, që prej 2001-it e deri më sot.

Por ngjarja më e rëndësishme e kësaj dekade mbetet zgjedhja e Presidentit të parë me ngjyrë, Barak Obama.

 

 

Gazeta shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama