Çfare nuk duhet t’i thoni te dashurit

Çfarë nuk duhet t’i thoni të dashurit

Ndonjëherë mburremi se kemi një marrëdhënie të hapur dhe të ndershme me partnerin, çka është në vetvete e mirë, por që nuk do të thotë se mund t’i rrëfejmë atij çdo gjë që na kalon nëpër mend. Ndonjëherë, një koment që mund të na duket krejtësisht i padëmshëm, mund të jetë i dëmshëm për të dhe shumë irritues madje. Për të mos gabuar, ja disa këshilla:

“Ish i dashuri im bënte saktësisht të njëjtën gjë”

Pavarësisht sa i hapur apo modern është, një mashkull nuk do të dëshironte të dëgjonte kurrë nga goja juaj pika të përbashkëta që ju i vini re mes tij dhe ish të dashurit të mëparshëm. Këtë mos ia thoni kurrë. Për ta kuptuar një gjë të tillë, mjafton që ta vini veten në vendin e tij. Minimalisht me një krahasim të tillë do t’i linit atij të mendonte se mos ndoshta ju ende jeni në njëfarë mënyre e lidhur me të. Pra, herës tjetër kur të vini re ndonjë “deja vue” mes atij dhe ishit tuaj, ruajeni fjalinë për vete.

“Mikesha ime është shtatzënë shhhhhh...”

Një mashkull nuk ka dëshirë që të dëgjojë informacione që mund ta venë atë në vështirësi, veçanërisht nëse bëhet fjala për diçka që është ende e fshehtë. Dhe ju mos e ngarkoni me sekretin e tjetërkujt. Kini parasysh edhe se djemtë nuk duan të dëgjojnë shumë për sëmundjet, apo infeksionet e shoqeve, apo shokëve tuaj, çrregullimet e ciklit menstrual. Mjaft dëgjon hallet tuaja.

“Kur të martohemi dhe të kemi fëmijë”

Është e natyrshme që të ëndërrosh për martesën, lumturinë familjare, ardhjen në jetë të fëmijëve, sepse është njerëzore, por mos i nisni ëndërrime të tilla e mbi të gjitha mos ia thoni partnerit në një fazë të hershme të marrëdhënies. Një gjë e tillë do ta trembte atë. Nëse keni ëndrra dhe mendime të tilla, mbajini brenda zemrës suaj, sepse aty e kanë vendin. Edhe nëse ai e ka menduar vetë një gjë të tillë, pra jetëgjatësinë dhe seriozitetin e marrëdhënies, ai nuk do të dëshironte që ta dëgjonte një gjë të tillë nga ju. Prisni momentin e duhur, kur gjërat të jenë të natyrshme dhe mbi të gjitha kur të jeni thuajse të së njëjtës mendje. Një ndjesi e mirë nuk mjafton për ëndërrime.

“Mendon se është e bukur?”

Kur ia bëni një pyetje të tillë. I dashuri e di se nuk do të fitojë. Nëse do të përgjigjej “po”, atëherë ndoshta ju do të bëheshit xheloze dhe do të demoralizoheshit. Ndoshta mund të mendonit se ajo i duket më e bukur se ju dhe pastaj ka trazira. Sigurisht, nëse ai thotë “jo” dhe ndërkohë “ajo” është dukshëm e bukur, atëherë ai qartazi gënjen dhe juve nuk ju pëlqen që ai di edhe të gënjejë, e madje pa pikë lezeti. Në raste të tilla ai do të përpiqet gjithmonë që t’ju bindë se pavarësisht se “ajo” mund të jetë e bukur, ai nuk është aspak i tërhequr prej saj. Do t’ju pëlqente kjo përgjigje vallë?

“Jam mirë”, apo “nuk ka problem”

Nga fytyra juaj lexohet gjithçka që ndjeni. Vetë flet edhe fakti që nuk e hapët gojën gjatë orës së fundit, madje dhe mënyra se si e përplasët mbi tavolinë telekomandën. Por kur ai pyet dhe i thua “s’ka asnjë problem”, ose “jam mirë”, atëherë kjo po që është nerva-ngritëse. Sjellje të tilla herë pasive dhe herë-herë agresive, që nuk ndihmojnë njeri. Së pari humbisni rastin për të shprehur atë që ju shqetëson me të vërtetë, dhe së dyti krijoni probleme të tjera që e rëndojnë situatën. Në vend që të zgjidhni një problem, zhyteni të dy në probleme të tjera, që ndoshta nxjerrin në pah mangësi të lidhjes.

“Je i sigurt që je mirë?

Ndonjëherë edhe meshkujt kanë ditët e tyre jo të mira dhe janë “me kacabunj”. Mund të jenë me nerva, me humor të prishur dhe kjo nuk do të thotë që për çdo ndryshim të tij t’i bësh pyetje, të shprehësh shqetësim. Ndonjëherë ata duhen lënë të qenë, në hapësirën e tyre për të menduar dhe për të kaluar vetëm një situatë të pakëndshme, apo një ndryshim humori. Ndërkohë mund ta pyesësh mos e shqetëson ndonjë gjë, apo nëse mund ta ndihmosh, por nëse nuk merr ndonjë përgjigje, lëre situatën të shkojë vetë drejt zgjidhjes. Nëse do të ngulmonit shumë me pyetje, mund të merrnin përgjigjen së cilës i druheni më shumë: “Ti më shqetëson”.

“I urrej kofshët e mia”

Nëse ju vetë i urreni, atëherë ç’duhet të thotë ai që ka zgjedhur të rrijë me ju? Nuk është kurrë mirë që të ulësh veten para tij. Kjo ju bën që të dukeni e pasigurt dhe ta dini që meshkujt i urrejnë femrat e pasigurta. Sikundër gratë, edhe ata tërhiqen pas femrave që kanë vetëbesim dhe nuk i duan femrat që nuk kanë besim. Mendoni për këtë! Veç kësaj, do t’i tërhiqnit vëmendjen për pjesë të trupit të cilat ai as që ua ka vënë re. Askush nuk mban mend çdo gjë në trupin tuaj, as ju vetë.

“E urrej mamanë tënde”

Mund të mos duash çdo njeri që ka të bëjë dhe ka lidhje me të, por kjo nuk do të thotë që të mos jesh diplomate, veçanërisht me njerëz për të cilët ai mund të ketë afeksion të veçantë, si njerëzit e familjes. Mbi të gjitha, veçanërisht kur bëhet fjala për mamanë, mos e vendosni kurrë në pozicionin e zgjedhjes, sepse mes teje dhe mamasë, ju do të zinit vendin e dytë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama