Çfare nuk u pa ne TV/ Sherr ne tribunen VIP Sormani (FOTO)

Çfarë nuk u pa në TV/ Sherr në tribunën VIP, Sormani (FOTO)

23 vjet pritje në një ndeshje në Ligën e Kampionëve nuk shkoi tamam ashtu siç duhet për të kuqtë. Incidente me tifozërinë, një sportdashës që hakërrehet në tribunën VIP dhe shoqërohet me forcë jashtë ambienteve të stadiumit nga policia.

Festimi i lojtareve te Partizanit pas golit te Filit

Festimi i lojtareve te Partizanit pas golit te Filit

Gëzimi i ligjshëm i të kuqve pas golit të Filit dhe, më pas, hidhërimi në atë të barazimit, pa harruar edhe festën modeste të tifozëve të paktë miq në tribunën e "Elbasan Arena"-s. Të gjitha këto nuk u panë mbrëmjen e djeshme në "Elbasan Arena".

-Rikthimi pas 23 vitesh i Partizanit në Ligën e Kampionëve ka nisur me incidente në radhët e tifozërisë. Gjatë hyrjes në stadium, pak minuta para startimit të sfidës, për shkak të radhëve të gjata në hyrje të Tribunës C2, ka pasur përplasje të ultrasve të kuq me stjuartët dhe policinë.

Gjithsesi, situata u zgjidh më pas dhe tifozët hynë në stadium. Gjatë ndeshjes dhanë spektakël jo vetëm me këngët, por edhe me "koreografinë", gjatë së cilës u zhveshën.

-Një pjesë e ultrasve të kuq ia kanë dedikuar ishdrejtorit Dritan Dervishi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Për këtë arsye, ata vendosën një banderolë ku shkruhej: "Faleminderit D.Dervishi për Championsin".

Ciljeta-ne-Elbasan-Arena

Ciljeta ne "Elbasan Arena"

-Në tribunën VIP të "Elbasan Arena"-s, përkrah presidentit të Partizanit, Gaz Demi, qëndruan ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, si dhe deputeti i PDIU-së i Qarkut të Elbasanit, Aqif Rakipi. Gjithashtu, në kabinën sipër tyre nuk mungoi edhe ish-tekniku i kuq, Shpëtim Duro. Në tribunë prezent ishte edhe vëllai i kryeministrit, Olsi Rama.

-Në minutën e 7-të të ndeshjes, kapiteni i Ferencvaroshit, Zoltan Gera, detyrohet të ndërrojë fanellën, pasi me sa duket iu gris. Duke qenë se po vonohej fanella tjetër, lojtari mik shfaqi edhe nervozizmin e tij deri në momentin kur erdhi bluza rezervë.

Partizani - Ferencvarosh ne "Elbasan Arena"

Partizani - Ferencvarosh ne "Elbasan Arena"

- Ekipi mik kishte gjetur një mënyrë origjinale dhe të shpejtë për sa i përket shërbimit të futbollistëve me ujë. Kështu, jashtë vijave kufizuese të fushës kishin vendosur bidonët me ujë për lojtarët e tyre. Pjesën e dytë, Partizani "kopjoi" miqtë në këtë aspekt.

-Për të dy teknikët nuk ka qenë një ndeshje e thjeshtë ajo e mbrëmshmja, pasi gjatë gjithë sfidës ata kanë qëndruar në këmbë për të dhënë udhëzimet e tyre. Madje, Tomas Doll shpeshherë u pa i nervozuar me lojtarët e tij.

-Rreth minutës së 20-të, një tifoz afrohet te tribuna VIP dhe po debatonte për afro dy minuta me dikë. Në moment mbërrijnë forcat e policisë dhe e nxjerrin me forcë, duke e larguar edhe nga ambientet e stadiumit. Mësohet se më pas u shoqërua edhe në ambientet e Komisariatit të Policisë Elbasan.

Tifozet e Partizanit ne "Elbasan Arena"

Tifozet e Partizanit ne "Elbasan Arena"

-Shërbimi katering nuk ishte i pranishëm në të gjithë stadiumin mbrëmjen e djeshme, pasi vetëm në tribunën qendrore u shërbye. Në sektorët e tjerë sportdashësit u detyruan ta shihnin ndeshjen pa konsumuar ujë, edhe pse temperaturat ishin të larta.

-Spikeri i stadiumit bëri thirrje disa herë për tifozët në stadium që të mos përdornin lazerat. Disa herë gjatë sfidës tifozët e kuq e përdorën atë në fytyrat e futbollistëve miq.

-Gjatë pjesës së dytë, të dy trajnerët nxorën nga tre lojtarë në nxehmje dhe ajo që binte në sy ishte se lojtarët e të dy ekipeve e bënin bashkë stërvitjen, në krahun e pankinës mike.

-Gjatë momentit të zëvendësimit të Vilës me Atandën, tekniku Sormani i bërtiti këtij të fundit pasi po vonohej për t'u bërë gati. "Sa do që të bëhesh gati, 45 minuta?!", i bërtiti i nervozuar Sormani.

-Sulejman Starova e pa ndeshjen në tribunë me ishfutbollistin e kuq, Dorian Bylykbashi. Shpesh, gjatë bisedave, komentonin lojën dhe në disa raste kanë pasur kritika për lojën.

-Në momentin e shënimit të golit të barazimit tifozët e paktë miq u "ndien" për pak minuta, pas heshtjes së atyre të Partizanit. Ndërkohë, kur Fili shënoi golin, entuziazmi në kampin e kuq ishte në maksimum.

VLADIMIR MEMA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama