Kryeministri Edi Rama i shpreh pakënaqësinë administratorit Sinan Idrizi për këtë Flamurtar. Burimet konfidenciale të "Panorama Sport" tregojnë se në përfundim të pjesës së parë, gjatë kafes që ka konsumuar me administratorin Idrizi, kryeministri Rama i ka shprehur keqardhjen për gjendjen e ekipit.
"Ky nuk është Flamurtari që meriton Vlora, ishte dobët. Përgëzoj për investimet në infrastrukturë, por me këtë ekip nuk ke gjë në vijë", mësohet t'i ka thënë Rama Idrizit. Edhe pse në tribunën VIP ka qenë kryeministri dhe shumë femra, nuk kanë munguar sharjet dhe ofendimet ndaj Skënderbeut nga ultrasit vlonjatë.
Masat
Stadiumi "Flamurtari" ishte dje në shtetrrethim. Masa të rrepta sigurie kishte marrë policia, marrë shkas edhe nga fakti se në stadium ka qenë edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i shoqëruar nga zv.kryeministri Niko Peleshi, si dhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. 250 forca të policisë së Vlorës, Fierit dhe 10 grupe të FNSH-së ishin në stadium për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, të udhëhequra nga shefi i Komisariatit të Policisë së Vlorës, Behar Caka. Policia ka qenë në gatishmëri, ndërsa nuk janë shënuar incidente.
Vonesat
Hyrja që në stadium ka filluar 60 minuta para ndeshjes, ndërsa kontrollet kanë qenë të rrepta, por me qindra tifozë u futën me vonesë në stadium dhe kjo shkaktoi një kaos të vërtetë. Të gjithë janë "çarmatosur" qysh në hyrje të stadiumit. Monedhat metalike janë hedhur në shesh, ndërsa dita e djeshme ka qenë me fat për lypësit, të cilët u vërsulën për t'i mbledhur monedhat e rëna përtokë dhe nuk ishin pak. Qytetarët pa kartë identiteti nuk janë lejuar të hyjnë, ndërsa fëmijët nën 14 vjeç janë shoqëruar vetëm nga prindërit.
Rrapo Taho
Në tribunën qendrore kanë qenë të pranishëm edhe tifozë të Skënderbeut. Këta të fundit, në momentin e shënimit të golit të parë, kanë brohoritur. Ngjitur me ta ka qenë ish-futbollisti Rrapo Taho, i cili u ka thënë: "Bërtisni, ngrini zërin, nga kush keni frikë?".
Shkëmbi
Kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, duartrokitet nga tifozët vlonjatë. Në momentin e hyrjes në fushë, Shkëmbi është përshëndetur përzemërsisht, duke vendosur kështu edhe "paqe" me ta në fund të karrierës. Por disa tifozë vlonjatë kanë qenë kundër futjes së tij në shtesë.
"Është e turpshme, mos u fut në shtesë", i kanë thënë tifozët Shkëmbit, duke qenë disi të irrituar me trajnerin Josa.
Curri
Rreth minutës së 31-të, kur Curri pengon Orelesin dhe nuk kthehet për t'i dhënë dorën, një prej tifozëve vlonjatë ka shkaktuar ilaritet, teksa është dëgjuar duke thënë me zë të lartë nga tribuna: "Ku të çon mushka, o Curri! Ke qenë dhe lojtar i Kombëtares...".