Pas disa minutash, ata largohen 100 metra metra më tej. Kthehemi të shkrepim edhe njëherë aparatin. Një burrë në moshë, që në fillim fliste me fëmijët, sapo na shikon me aparat, shkëputet prej fëmijëve si rastësisht dhe në një mënyrë që stonon. Diçka e prapë na vjen ndër mend dhe përpiqemi ta largojmë… Asgjë me rëndësi!
Por, gjysmë ore pasi kemi përfunduar “shëtitjen” përgjatë liqenit, e gjejmë burrin përsëri me fëmijët. Këtë herë, duke u marrë nga duart një qese të mbushur me peshq dhe me ujë. Përpiqet të na shmanget, më pas të na sqarojë. “Çfarë kujtoni se bëj me këta peshq? Mos kujtoni se i ha?- thotë ai. –I hedh në kazanë, pastroj liqenin, sepse ne këtu rrimë. Të paktën, pastroj këtë pjesën time.
Burri që “pastron” liqenin
Personi që “pastron” liqenin nga peshqit e ngordhur, ndihet jokomod, por mundohet ta kalojë me të qeshur. E pyesim se përse përdor këta fëmijë të vegjël, duart e tyre, për të pastruar liqenin nga fëlliqësirat dhe ai na përgjigjet. “Ata rrinë gjithnjë këtu, edhe kur nuk jam unë. Ata janë ca “…ai e rezervon etiketimin “romë”. Kështu, burri që duket në prag të moshës së tretë, ndërsa kalon me qesen me peshq, përhap erën e padurueshme përreth, por na thotë edhe një detaj interesant. “Vetëm ata të vegjlit vijnë erë, të mëdhenjtë, jo”. E pyesim përse qesen me peshq të ngordhur ose gati të ngordhur, e kishte me gjithë ujë. Kështu do ta hidhte në kazan?! “Po si t’i kapësh me dorë? Janë të pistë, vetëm me ujë mund të mblidhen”, na përgjigjet. Ndërkohë që ne kemi parë se fëmijët që “e ndihmojnë” për të pastruar pjesën e liqenit, i kapnin ata me duart e tyre të vogla.
Largohemi me një mendim në kokë: Ky burrë ose është hero, ose diçka tjetër. Shpresojmë që ata peshq të mos serviren diku, si të freskët… në ndonjë barbeky.
Kamerierët dhe plazhistët: “Dhe kjo nuk ishte parë…!”
Rreth e qark “liqenit të vdekur” ka dëshmitarë të përhershëm. Janë pronarët dhe kamerierët e bareve, por sidomos plazhistët e liqenit, pensionistët që kalojnë këtu ditën duke luajtur domino dhe duke biseduar. Dhe nuk banojnë afër. Vijnë aty për hir të liqenit, të hipur mbi biçikleta, që nga periferitë e Tiranës. Të gjithë janë tashmë të njohur me këtë panoramë erërëndë. Enigmat për ngordhjen e peshqve janë në kokën e secilit. Në fakt, ata presin të mësojnë nga ne, se ç’ka ngjarë, përtej së dukshmes. Olsi Çulani, kamerier i një bari buzë liqenit na thotë se prej 5 vjetësh që punon buzë liqenit, nuk e ka parë kurrë kështu, me kaq pak ujë dhe me peshq të ngordhur. “Ka rënë shumë niveli i liqenit. Më parë arrinte deri tek muret e lokalit, -thotë ai.- Ndërsa për erën e peshqve të ngordhur, thotë se nuk ndihet shumë. “Nuk e di pse ka ndodhur. Shoh që kanë dalë në sipërfaqe peshq të vegjël. Nuk e kisha parë asnjëherë këtë pamje, as atëherë kur liqeni u mbulua nga boja”.
Për Thoma Duron, ish sportist i Dinamos, sot pensionist, liqeni është në ditët e tij më të zeza. Ai si frekuentues i përhershëm i banjave të diellit në liqen është i revoltuar me këtë që sheh. “Duam të na e rregullojë bashkia liqenin. Duam të kontrollohet se çfarë është hedhur në liqen që u mbytën peshqit. A kanë hedhur acid, a klor a ndonjë kimikat tjetër. 70 vjet jam sot, 50 vjet kam bërë stërvitje buzë këtij liqeni dhe peshqit të ngordhur nuk i kam parë asnjëherë. Kam qenë në Kinë në vitin ’68. Me mijëra liqene! Kishe qejf t’i shihje peshqit që notonin. Kurse këta nuk mbajnë dot një liqen të vetëm. Ne jemi shumë të mërzitur. Po të doni vijmë edhe në redaksinë tuaj të tërë bashkë e t’ua themi”. “Ne këtu lahemi, thotë një nga shokët e tij. Në 365 ditë të vitit, bëjmë banja dielli të paktën 150 ditë, nga fundi i prillit e deri në fund të tetorit. Ndërsa tani liqeni është mbushur me llumra, plehra dhe barishte. Liqeni ka qenë 14 metra thellësi në kuotën maksimale, tani 5 metra arrin tek gropa më e thellë. Shih nivelin tek betonat ku ka qenë!” Të moshuarit na tregojnë se këto ditë nuk po futet askush në liqen, edhe pse ka qenë ngrohtë. Kur dëgjojnë për ngordhjen edhe të kafshëve të tjera në liqen, plazhistët e moshuar fillojnë të diskutojnë, është apo jo e mundur të vijë nga ngordhja e peshqve. “Si këtë herë, nuk ka bërë vaki,-thotë Kozmai. “Macja nuk e ha peshkun e ngordhur -thotë një tjetër,- e nuhat më përpara”.
Kryeinspektori Mema: “Do të verifikojmë burimin e kanalit”
Era e padurueshme të thotë komandën “Mbathja!” në shëtitoren buzë liqenit. Por ne na dha komandën “Ndal!” Duam të dimë se nga vjen kjo erë dhe nëse mund të ketë ndonjë lidhje mes saj dhe erës tjetër, erës së peshqve të ngordhur në liqen. Aty ku njerëzit shëtisin, fare praën Bar “Green Park” gjendet një tubacion, i cili vazhdon me një kanal të mbuluar nga barërat e lartë. Drejtimi i tij të çon në liqen nga njëra anë, ndërsa në tjetrën…Duke u përpjekur të gjejmë fillin, takojmë aty një grup inspektimi nga Bashkia e Tiranës. Janë duke u marrë edhe ata me kanalin. Gratë inspektore zënë hundët me duar, ndërsa kryeinspektori, Kismet Mera pranon të na flasë për qëllimin e inspektimit. “Ne jemi Drejtoria e Kontrollit mbi Territorin Urban në Nashkinë e Tiranës. Kemi marrë detyrën për të kontrolluar të gjitha subjektet që janë rreth liqenit, për të parë se ku derdhen ujërat e zeza. Deri tani kemi verifikuar tri subjekte: Shkollën “Uillson”, fushën e tenisit dhe lokalin “Green Park”. Që të trija janë me gropa septike. Tani po vazhdojmë punën duke i marrë radhazi për pjesën tjetër”. I pyetur se nga e morën sinjalizimin, ai na përgjigjet se është detyrë nga eprorët dhe një inspektim i planifikuar. Më pas na thotë se të gjitha subjektet që nuk kanë gropa septike, do t’u lihet një afat 10-ditor që të evitojnë derdhjen e ujërave të zeza ne liqen, më pas, do të merren masa. Për kanalin që qëndron para nesh, kryeinspektori thotë se verifikuan që nuk është i lokalit pranë dhe u duhet të gjejnë burimin: “Këto derdhje duhet të vijnë nga lart, por se nga, nuk mund të flas pa e verifikuar”.
Luan Kaceli: “Disa shokë u infektuan nga uji”
Luan Kaceli, edhe ky një i moshuar, me profesion inxhinier mekanik, tani kalon kohën e lirë të gërshetuar me kohën e studimit në Kodrat e Liqenit. Ai thotë se ka zgjedhur të lexojë këtu, për pamjen, por edhe sepse i pëlqen të dëgjojë zhurmën e dominove të moshatarëve që luajnë pak më tej. E pyesim për ato që di për liqenin. “Ky nuk është vetëm problemi i këtyre ditëve. Pranvera sivjet e gjeti liqenin të boshatisur dhe u çuditëm! Ajo portë ka qenë e hapur, por vjet liqeni ishte i mbushur, ndërsa sivjet nuk u mbush. Si nuk janë në gjendje të mbyllin një portë!” Luani na thotë se vjehrri i tij, Farudin Nuri e kishte projektuar këtë liqen. Mbase nuk mundemi, nuk kemi kapacitete intelektuale sot që të zgjidhim një problem si ky? I moshuari na përgjigjet: “Liqeni është pasqyrë e mendësisë politike. Nëse deri nga viti 2002 qaheshim se nuk punohej si duhej, sot është mbledhur një element i paaftë dhe i çinteresuar”. Për të, gjendja e liqenit është e frikshme. Para 7-8 muajsh pati një ndotje nga hedhja e bojës, por duke qenë liqeni i mbushur, kaloi shpejt. “Tani kjo që ka ngjarë, është tronditëse, -thotë.- Kjo ka qenë vera e parë që nuk jam futur të lahem në liqen, përveç një here dhe pasi dola, u pendova. Nja dy shokë nga grupi i atyre aty që po luajnë domino, patën reagime në lëkurë, them infeksione. Ishte një gabim që hymë….Ndoshta peshqit kanë ngordhur sepse nuk u ka mjaftuar oksigjeni nga sasia e vogël e ujit. Ose mund të jetë hedhur diçka natën. Duhet ekspertizë”.
Agron Resuli, administrator i “Green Park”
“Kemi gropë septike”
Era e padurueshme ka mbërritur deri tek tavolinat e “Green Park” një prej lokaleve që gjenden buzë shëtitores së liqenit. Agron Resuli, administratori i lokalit na thotë se era vjen nga kanali pranë, por që nuk është i tyre. “Ne jemi ndër të paktët që kemi gropë septike, -na thotë.-Këtu më parë ky kanal ka qenë për derdhjen e ujërave të bardha. Por sot, ata që kanë ndërtuar pranë liqenit, aty i derdhin të tëra ujërat e tyre. Nuk kanë bërë kanal tjetër dhe kanë shfrytëzuar këtë që ka ekzistuar. Kur bie shi apo kur bllokohet, pëllcet era e padurueshme”.
Ambientalisti Xhemal Mato paralajmëron: “Peshqit janë vetëm viktimat e para…”
-Derdhja në liqen e ujërave të zeza të ndërtimeve apo ujërave të lavazheve është fenomen i vjetër, mirëpo peshqit kanë ngordhur pikërisht tani. Çfarë ka ngjarë?
Në fakt, përgjigjen se çfarë ka ngjarë, duhet ta jepte Instituti i Shëndetit Publik i cili duhej të bënte analizat e ujit dhe të vetë peshqve. Natyrisht që kjo do të ndodhte nëpërmjet interesimit të Bashkisë së Tiranës, e cila e ka nën administrim këtë pasuri publike. Por liqeni i Tiranës ka vite që është braktisur dhe lënë si një gropë e ujrave të zeza për lokalet përreth, shkollën “Willson” me rreth 1000 nxënës dhe lagjen e re në jug. Të gjithë i derdhin ujërat e zeza në liqen. Nga analizat e kryera nga ISHP në vitin 2007, përmbajtja në ujë e Califorme-s (mikrob) totale në 100 ml rezultoi 1260, Coli 504 dhe Streptokok 216. Në analizën e datës 16.06.2009, përmbajtja në ujë e Califorme totale kishte arritur në 6300 califorme totale, pra gati 6 herë më shumë. Ditët e fundit nuk është publikuar ndonjë analizë e baktereve dhe veçanërisht e sasisë së oksigjenit në ujërat e tij, kështu që mund të ngrejmë vetëm hamendje për shkaqet e kësaj ngordhjeje masive të peshqve.
-A mund të jetë një helmim akut?
Ndoshta ndotja e vazhdueshme nga ujërat e zeza dhe nga hedhjet ilegale të solucioneve të tjera të dëmshme, izolimi i liqenit nga prurjet e ujërave të liqenit të Farkës, i cili e furnizonte me ushqim dhe me oksigjen aq të domosdoshëm për jetën e gjallesave të saj dhe vapa e tejzgjatur pa shira për gati 2 muaj duke avulluar një sasi të madhe të ujit dhe duke lënë aty në përqindje më të dendur ndotjet, së bashku kanë çuar në pikën kritike të asfiksisë së peshqve në të gjithë liqenin (sepse ngordhjet kanë ndodhur të shpërndara në gjithë liqenin dhe jo në një pjesë të tij, e cila do të shpjegohej me ndonjë helmim vetëm të asaj zone).
Sipas biologut të njohur Prof. Aleko Mihos, të gjitha këto dëmtime në liqen ndikojnë te njëra- tjetra duke shtuar shumë pasojat helmuese. P.sh. ujërat e zeza ndikojnë që të shtohet tej mase popullata e disa llojeve të algave, popullata e tepërt e tyre do të thotë që “jashtëqitjet ” e tyre të mbishtuara “helmojnë” tërë ujërat e liqenit.
-Ju mbani mend ndonjë rast tjetër, kur masivisht të kenë ngordhur peshqit në këtë liqen? Nëse po, në cilat vite dhe cili ka qenë shkaku atëherë?
Ka pasur shpesh ngordhje aty- këtu të peshqve, por është hera e parë që ndodh një ngordhje e tillë masive në të njëjtën kohë dhe në gjithë liqenin
-A dini të jetë duke u marrë ndonjë institucion me vlerësimin e gjendjes?
Di që N/kryetari i Bashkisë, z.Panariti, me iniciativën e tij ka kërkuar takim me disa shoqata mjedisi për problemin e shpëtimit të liqenit disa ditë para se të ndodhte kjo katastrofë. Nga të dyja palët u diskutua gjatë për emergjencën e ndërhyrjes për Parkun dhe liqenin e Tiranës. Më pas nuk di si vazhdoi ky angazhim.
-A mundet liqeni të dizinfektohet apo të vetëpastrohet shpejt? Apo parashikoni pasoja aftagjata?
Liqeni vetë është kthyer në një kufomë që bie erë dekompozim dhe si i tillë është bërë i rrezikshëm për gjallesat brenda dhe rreth tij, përfshirë edhe njerëzit që e frekuentojnë. Pra liqeni duhet të mendohet si një qenie e gjallë, që duhet të ushqehet me ujë dhe lëndë ushqimore. Kështu ai do të përtërihet. Shoqata jonë “Grupimi Ekolëvizja ” e ka bërë një studim të tillë se si dhe çfarë duhet bërë me Liqenin e Tiranës, studim që është mirëpritur nga z.Panariti.
-Çfare rrjedhojash mund të sjellë kjo situatë, nëse vazhdon?
Duhet vënë një tabelë rrotull liqenit e cila të informojë publikun për gjendjen e ndotur të tij dhe rrezikun që mund të shkaktojë, nëse njerëzit lahen apo hanë peshqit e rritur në të. Peshqit janë viktimat e para të tij, që me jetën e tyre na sinjalizuan se liqeni është i rrezikshëm dhe i rrezikuar.
Pezana Rexha, drejtore e ARA, shoqatë në mbrojtje të kafshëve: Kujdes qytetarët që shëtisin me qen në liqen
Personalisht kam qenë prezente dhe mund t’ju them se me sa kam parë, ata pleq që qëndrojne atje, mbase s’duhet të rrinë më, pasi liqeni nuk është një ambjent higjenik. Për të folur për shkakun, është pak e vështirë, por pas bisedave me studiues të ndryshëm arsyet e ngordhjes së peshqve janë të ndryshme: Mungesa e oksigjenit në ujë si pasojë e tharjes së liqenit, helmimi me substanca, helmimi nga inertet e rrugës si beton, dhera, asfalt etj. Përgjigjet për të gjitha këto mundësi do të vijnë pasi një kampion uji tashmë është në laborator. Nga biseda me profesorë që i përkasin kësaj fushe u konkludua, që nëse kemi të bëjmë me helmim, kemi një situatë serioze përpara. Atje, përveç peshqve ka dhe rosa e zogj, njëkohësisht në këtë liqen jeton dhe një çift lejlekësh, të fimuar tashmë. Ky është problem shqetësues sidomos për qytetarët që me qentë e tyre bëjnë çdo ditë shëtitje, pasi kafshët shpesh i lajnë në liqen ose i lënë të pinë ujë. Një mace e ngordhur u gjet në buzë të liqenit…. “