Një mbyllje aspak normale ajo e djeshmja e kampionatit kombëtar të çiklizmit, për më tepër që vetëm pak ditë na ndajnë nga ballkaniku. Si të mos mjaftojë niveli modest i sportit në vend, tashmë na duhet të përballemi edhe me akte dhune.
Në fund të garës së kadetëve, ku kampionë dhe nënkampionë u shpallën dy çiklistët e Vllaznisë, Bruno Kola e Sokol Morana, dhe i treti u pozicionua Amarildo Goga, ka pasur një sherr mes ekipit të Flamurtarit dhe Vllaznisë. Si pasojë e përplasjes fizike, mësohet se është goditur trajneri i kuqebluve, Leonard Kola, precedent i mbartur nga Turi Çiklistik. U desh ndërhyrja e gjyqtarëve që të neutralizohej gjithçka. Një situatë alarmante kur pretendojmë se ky brez do të jetë e ardhmja e çiklizmit shqiptar.
Në një prononcim për gazetën "Panorama Sport", trajneri i ekipit të Vllaznisë, Kola, jep detaje rreth incidentit të djeshëm. Ndërsa kërkon të ulë gjakrat për gjithçka që ka ndodhur, Kola nuk e mohon se ka pasur edhe përplasje fizike me tifozë sikurse pretendon ai vetë. "Ka qenë tifoz, e kemi lënë pas shpine atë rast. Në fakt, as e mora vesh. As e njoh fare si person. Sportistët e mi fituan garën, kurse ata u irrituan. Siç duket kanë qenë të pakënaqur me renditjen.
Në fund erdhën duke e shfryrë inatin me djemtë e mi. Na goditën, ua kthyem edhe ne. Më pas ikën në punën e vet, u mbyll ajo çështje. Nuk kam në plan për t'i denoncuar. E përsëris që nuk ka arsye për t'u alarmuar", deklaroi tekniku Kola, ndërsa kthehej për në Shkodër. Por ky nuk ishte incidenti i vetëm i epilogut të kampionatit ballkanik.
Mes polemikave u përfshi edhe gara e elitës me podium të gjithin legjionarë. Protagonist u bë çiklisti Iltjan Nika, i renditur i dyti pas Eugert Zhupës. Fituesi u nda në "frymën e fundit", por Nika pretendoi se Zhupa i ka zënë rrugën. Por kamera e instaluar në vijën e finishit u dha përgjigje pretendimeve të Nikës, ku, sipas gjyqtarisë Zhupa, ishte fitues legjitim i garës së Rezistencës. Në shenjë proteste për atë që ndodhi, Nika refuzoi të ngjitej në podium. Rebelim ky që mund t'i kushtojë shtrenjtë, pasi presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, e ka paralajmëruar me vërejtje për përjashtim. Nëse kronometri serviri një "fair play", ajo e Rezistencës ofroi të kundërtën.
Olgert Serani