Sekreti i marrëdhënies mes marrëzisë dhe gjenialiteti. Shumë shpesh kreativiteti shkon paralelisht me çrregullimet mendore. Të jesh depresiv mesatar apo skizofren mesatar sjell fleksibilitet mendimi, sjellje të guximshme dhe kuturisje të guximshme. Mendjet e mëdha krijuese, të të gjitha fushave, nga shkenca te poezia, nga matematika te humori, mund të kenë tipare të përbashkëta që lidhen me problemet psikike
Në shikim të parë Ainshtajn, Salvador Dali, Toni Henkok duket se kanë pak gjëra të përbashkëta. Fushat e tyre, fizika, arti modern, komedia, janë vite dritë larg njëra-tjetrës. Kështu që cili mund të jetë ai faktor që me shumë gjasa lidh mendjet e atij që i dha botës teorinë e relativitetit, me gjeniun e artit surreal, apo me komedianin e papërsëritshëm? Sipas një studimi të ri, përgjigjja mund të fshihet te psikika. Mendjet kreative, të të gjitha fushave, nga shkenca te poezia, nga matematika te humori, mund të kenë tipare të përbashkëta që lidhen me psikikën. Tipare të tilla mundësojnë shfaqjen e mendimeve të pazakonta e ndonjëherë të çuditshme që u bashkëngjiten problemeve mendore, duke ushqyer kështu kreativitetin. Teoria bazohet tek ideja që nuk ekziston një vijë e cila mund të veçojë qartësisht atë që konsiderohet gjendje mendore e shëndetshme apo jo e shëndetshme.
Njerëzit vuajnë prej mijëvjeçarësh nga sëmundjet mendore. Teoricienët e evolucionit thonë që duke qenë se janë ende të pranishme, brenda tyre duhet të fshihet ndonjë lloj avantazhi që ka të bëjë me mbijetesën. Sipas tyre, po të qenë tërësisht negative, selektimi natyral do t‘i kishte zhdukur kohë më parë. Në disa raste avantazhi është më se i qartë. Ankthi, për shembull, mund të jetë një sëmundje mendore me simptoma dhe pasoja të rënda, por është gjithashtu një tipar që në nivele jo klinike përmban avantazhe të konsiderueshme në kuadrin e mbijetesës. Kur është në masë të shëndetshme, na mban të gatshëm të ruhemi nga rreziqet.
Sot po këmbëngulet gjithnjë e më shumë se edhe forma të tjera sëmundjesh bartin me vete avantazhe mbijetese, për shkak të tipareve që i lidh me kreativitetin. "Mund të jetë e vështirë për njerëzit të bashkëngjisin sëmundjen mendore me idenë se ato mund mos e bëjnë dikë të paaftë. Ndërsa pranojnë se ankthi sjell përfitime, nuk mendojnë kështu për skizofreninë dhe depresionin", thotë profesor Gordon Klerixh, profesor psikologjie në universitetin "Oksford". "Tani ekziston ndjesia se këto tipare kanë mbijetuar, pasi kanë disa vlera adoptive. Të jesh depresiv mesatar, apo skizofren mesatar sjell fleksibilitet mendimi, sjellje të guximshme dhe kuturisje të guximshme. Çmimi për të pasur këto tipare mund të jetë prania e ndonjë sëmundjeje mendore".
Studimet e sotme po mbështesin gjithnjë e më shumë idenë se njerëzit krijues kanë tipare që lidhen me sëmundjet mendore. Një studim tregoi se mesatarja e humorit të keq dhe prirjeve vetëvrasëse mes poetëve anglezë dhe irlandezë qe shumë e lartë se ajo e njerëzve normalë. Studime të tjera kanë provuar se pacientët psikikë kanë rezultate më të mira në të menduarin abstrakt. Një tjetër studim, i kryer mbi 291 njerëz kreativë apo me rezultate të larta në disa fusha, zbuloi se 69 për qind e tyre vuajnë nga ndonjë lloj çrregullimi mendor. Më pak të prekurit qenë shkencëtarët, ndërsa artistët dhe shkrimtarët tregonin shenja të forta diagnozash psikike.
"Pjesa më e madhe e teoricienëve janë dakord që nuk janë rastet kur sëmundja shfaqet tërësisht, por format mesatare, ato që qëndrojnë në rrënjët e lidhjes së marrëzisë dhe kreativitetit", thotë Emili Glezër, psikologe e "Oksfordit". "Tiparet personale të lidhura me psikopatologjinë mesatare shtojnë aftësinë krijuese. Kur shfaqen në forma të rënda, i bëjnë pacientët të paaftë".
Studimet tregojnë gjithashtu se tiparet e lidhura me sëmundje të ndryshme mendore luajnë efekte të ndryshme të kreativitetit. Kreativitetit që nevojitet për të konceptuar teorinë e relativitetit, për shembull, është shumë e ndryshme nga ajo që nevojitet për realizimin e pikturave surrealiste, apo të poezive.
Komedianët dhe depresioni: nuk është anekdotë.
E keni dëgjuar atë ankdotën mbi një njeri që shkoi të kërkonte ndihmë të specializuar për depresionin? Mjeku i tha të shkonte të shihte pjesën e një komediani të njohur, ku do të qeshte e do t‘i përmirësohej gjendja shpirtërore. "Po ai komedia jam unë", tha pacienti. Anekdota, e përdorur nga Rod Martin, autor i librit "Psikologjia e humorit - përqasje integrative", është e parapëlqyera e komedianëve, të cilët dihet se janë të prirur për të qenë depresivë. Sipas një teorie kjo shpjegohet me faktin se humori zhvillohet si përgjigje ndaj depresionit. Një studim i kryer po nga Martin, shqyrtoi rastet e 55 komedianëve meshkuj dhe 14 femra, që të gjithë të famshëm e të suksesshëm. Arriti në përfundimin se komedianët priren të jenë superiorë për sa i përket zgjuarsisë, zemërimit, mosbesimit, si edhe depresionit.
Po kështu, fazat e hershme të jetës së tyre janë karakterizuar nga vuajtje, vetmi, mungesë ngrohtësie dhe sipas Martin, përdornin humorin si mbrojtje ndaj ankthit, duke i konvertuar ndjenjat apo zemërimin e pashprehur nga agresion fizik në agresion verbal. "Aftësia për karriera të suksesshme në zhanrin e komedisë mund të zhvillohen si mjete për kompensimin e problemeve dhe vështirësive të hershme psikologjike", thotë Rod Martin.
"Një numër i madh komedianësh duket se vuajnë nga depresioni", thotë profesor Gordon Klarxh. "Komedia duket si një mënyrë për t‘u përballur me depresionin. Mendoj se tek ata gërshetohen stilet emocionale dhe konjitive me çrregullimet depresive, gjë që duket se ushqen kreativitetin".
Salvador Dali nuk qe veç artist i madh. Përmbushte plotësisht kriteret për një seri diagnozash të rënda psikike, një përzierje mes skizofrenisë dhe depresionit. Njëherësh mund të ketë qenë paranojak, ashtu si edhe antisocial e histronik. "Pa këto çrregullime ndoshta nuk do të kishte qenë kurrë në gjendje të krijonte atë art të madh që krijoi", thotë Karolain Mërfi, pedagoge psikologjie në "Oksford".
Gazeta Shqip