Mirel Çota ishte një prej dëshmitarëve të kërcënimit të djeshëm të skuadrës së Sopotit përpara ndeshjes me Pogradecin. Sulmuesi me shumë eksperiencë në futbollin shqiptar rrëfen ngjarjen dhe çfarë u kanë thënë agresorët brenda minibusit.Rrëfimi
"Ne ishim rrugës sonë drejt Krujës dhe pak përpara se të mbërrinim në qytet, na e zuri rrugën një fuoristradë, nga e cila zbritën tri persona. Njëri mbante një shkop bejsbolli, njëri një thikë dhe tjetri diçka hekuri. Hynë brenda minibusit tonë dhe pyetën: 'Ju jeni skuadra e Sopotit?'.
Po, u thamë ne dhe vazhduan me pyetje: 'Kush është i pari këtu'. - Në këtë moment nuk foli askush, pasi nuk ishte as trajneri apo ndonjë drejtues tjetër i skuadrës. Dhe një prej atyre personave na u drejtua duke na thënë: 'Nëse fitoni sot ndaj Pogradecit, asnjë prej jush nuk do të zbresë gjallë që këtej'. Në këtë çast, ne shtangëm të gjithë dhe nuk foli askush, ndërsa ata i hipën makinës dhe ikën", - tregon fillimisht sulmuesi, i cili i pyetur për personat sa a kishin armë, përgjigjet:
"Disa prej çunave thonë që kishin edhe armë. Unë personalisht u fokusova te ai që fliste dhe nuk pashë". I pyetur nëse ishin në gjendje të vazhdonin më pas të luanin normalisht ndeshjen, Çota përgjigjet: "U trembëm që të gjithë. U krijua një ndjenjë frike, aq më tepër që ne, pjesën më të madhe të lojtarëve i kemi të rinj dhe e kanë përjetuar keq.
Ata u prenë fare pas asaj që ndodhi. Mendoj se nuk duhej të zbrisnim as në fushë pas gjithë asaj. Unë personalisht kam shumë vite që luaj futboll, por një gjë e tillë nuk më kishte ndodhur asnjëherë. Është viti 2016 dhe të arrihet deri këtu, madje edhe në sport, kjo është skandaloze dhe e papranueshme! Nuk po na lënë të luajmë as futboll. Më pas kemi dëshmuar në Komisariatin e Fushë- Krujës ku na kanë thirrur", përfundon rrëfimin e tij për gazetën "Panorama Sport" sulmuesi i Sopotit, Mirel Çota.