Çthote frengu per shqiptaret

Ç'thotë frëngu për shqiptarët

Përkthyesi Fotaq Andrea prezantoi dje antologjinë "Pena të arta franceze për shqiptarët" (Gent Grafik, 2009) në një auditor me të pranishëm studentë, pedagogë, historianë, përkthyes në fakultetin e Histori-Filologjisë. Antologjia përmbledh shkrime për historinë, letërsinë, artin, kulturën, etnografinë të 140 autorëve francezë, të një harku kohor afro 7 shekuj. Vështirësia e punës kërkimore, 7-vjeçare, për autorin, nuk qëndron tek përkthimi i materialeve që autorë si: Montenji, Volteri, Hygoi, Floberi, Lamartini, Apolineri, e vite më vonë Kushneri, Boskeja, kanë shkruar për shqiptarët, por tek gjetja e tyre në arkivat e bibliotekave të: Tiranës, Strasburgut, Zvicrës, Austrisë etj.

Në fund të kësaj pune, Andrea sjell për lexuesin shqiptar, një antologji voluminoze, (755 faqe), e ndarë në 4 pjesë "Skënderbejada", "Për shqiptarët dhe vendndodhjet e tyre", "Shkrime rreth veprës së Ismail Kadaresë" dhe "Shkrime rreth jetës dhe veprës së Jusuf Vrionit", përkthyesit, të cilit i dedikohet kjo vepër.Në këtë intervistë, përkthyesi na çon në një rrugëtim të shkurtër, në faqet e antologjisë, duke evidentuar aty figurat historike, të letërsisë, artit dhe kulturës, që kanë zënë vend në shkrimet franceze nga viti 1332 deri në 2007-n.   

Në cilat burime u mbështetët për të bërë këtë antologji?

Në radhë të parë, do të veçoja si burim Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, që është shumë e pasur në fushën e albanologjisë të autorëve të huaj, për shqiptarët dhe veçanërisht për autorët francezë, gjithashtu edhe Arkivin e Shtetit, prej të cilit, janë marrë dorëshkrimet origjinale. Por, kam bërë kërkime edhe në Bibliotekën e Institutit të Historisë e Gjuhësisë, ose në bibliotekat lokale, si ajo e Beratit, gjithsej 20 burime. Veprat, që unë nuk munda t'i gjeja në biblioteka të tjera, i gjeta lehtë në Bibliotekën Kombëtare, sepse në këtë bibliotekë është bërë një punë e kujdesshme që në fillimet e saj, vitet '20, kur drejtor ka qenë Sotir Kolea. Ai është, jo vetëm drejtori i parë i BK, por do ta quaja edhe Rilindasi i Fundit. Është një personalitet, një filolog i shquar.

Po jashtë Shqipërisë?
Burim kryesor është Biblioteka Kombëtare e Francës, e Strasburgut, vendi ku unë banoj, po edhe biblioteka të tjera në Zvicër, Itali, Austri, Gjermani. Është një punë 7-vjeçare. Kam fotokopjuar rreth 8000 faqe, për ato që unë i quaj më të mirat shqiptare dhe tani më jepet mundësia të bëj edhe një vëllim të dytë, ose më saktë, ky është vëllimi i parë, sepse fillon me mitologjinë.

Si e përshkruajnë francezët historinë shqiptare?

Libri, është një pasqyrë historike e vendit tonë. Momenti kryesor është "Skënderbejada". Unë e quaj kështu epokën e Skënderbeut. Momentet kryesore historike janë luftërat për çlirim nga zgjedha otomane. Pasqyrohet qëndresa shqiptare, përgjatë pesë shekujsh, dhe momenti kulmor i saj, është padyshim "Lidhja Shqiptare e Prizrenit". Më pas, vjen puna voluminoze që kanë bërë rilindasit, e cila kulmon me Shpalljes e Pavarësisë.

Cilët janë autorët?  

Të gjitha momentet kulmore, historike, të Shqipërisë, gjejnë jehonë në penën e francezëve. Volteri, ka dhënë një definicion të mahnitshëm për Skënderbeun: "Po të kishin qenë Skënderbej Perandorët Grekë, Perandoria e Orientit do ish ruajtur". Skënderbeu shfaqet, jo thjesht, një ushtar i Krishtit, por mbrojtësi i Pavarësisë Evropiane. Kështu thuhet tekstualisht nga autorët francezë dhe në të gjitha rastet figura e tij del e plotë. Në një gravurë që përfshihet në libër, Skënderbeu, paraqitet pa mjekër, dhe me fustanellë shqiptare. Fustanella, është një element shumë i rëndësishëm, që gjendet tek toskët dhe tek gegët.

Po figura e Ali Pashës, ç'vend zë në antologji?

Figura e Ali Pashës është diskutuar shumë në publikun shqiptar. Megjithëse, jetoj në Francë, jam pranë realitetit shqiptar, dhe mundohem që t'i shoh ngjarjet me objektivitet. Vë re se qoftë figurën e Skënderbeut, qoftë ajo e Ali Pashës, e Nënë Terezës, për të shkuar tek Ismail Kadare ka një prirje për t'i mitizuar, për t'i shkëputur nga realiteti i tyre dhe më pas dashur pa dashur, kërkohet që këto figura duhet t'i çmitizojmë.Në fakt këtu nuk ka asnjë problem, as problem identifikimi, as problem çmitizimi. Figurat janë reale, janë pasqyrë e realitetit dhe e historisë shqiptare në epoka të ndryshme.

Mitizimi bëhet nga autorët shqiptarë?

Mund të merret spunto edhe nga jashtë, por menjëherë këtu nga brenda del kjo dëshira për t'i mitizuar artificialisht këto figura dhe menjëherë për t'i çmitizuar. Po marr për shembull figurën e Ali Pashës. Çfarë konkretisht përfaqëson ai? Historiografia shqiptare i ka vënë mirë pikat mbi "i" kush është figura e tij komplekse, me të mirat dhe të këqijat e veta. Çka dhënë ai për "interesa personale", apo çka dhënë për pashallëkun e tij, qoftë edhe për interesat e Shqipërisë. Në fund të fundit, ishte një figurë tepër e denjë për kohën, që merrnin mundimin të shkruanin pena si Aleksandër Dyma. Ali Pashën e shohim t'i bëj ballë njeriut më të fuqishëm të kohës, që ishte Napoleon Bonaparti.
Bonaparti, ekspeditën e tij e nisi në Egjipt, por fillimisht kishte planin për ta nisur nga Ballkani. Ai e dinte se në Ballkan ishte vezir Ali Pasha, po në Egjipt kush ishte vezir? Mehmet Aliu, po shqiptar. Këto janë figura që nuk mund të mitizohen, të çmitizohen, apo të thjeshtëzohen. Unë jam kundra këtij lloj artificialiteti dhe mungese objektiviteti në vlerësimin e figurave tona historike.

Artin dhe letërsinë e lamë ta shijojmë në fund...

Është pjesa më e bukur për mendimin tim, ndaj unë e nisa me këtë vëllim të dytë dhe jo me të parin. Penat franceze dallohen për këtë. Që në kopertinë, keni figurën e Bajronit, me kostum kombëtar, që ia ka dhuruar Ali Pasha. Bajroni është me Haidenë, vajzën e supozuar të Ali Pashës, një pikturë e Colin-it. Gjithashtu, kemi romantizimin e Viktor Hygoit që shkruan për Ali Pashën, për Marko Poçarin, për heronjtë arvanitas të revolucionit grek. Në libër është edhe figura e Aleksandër Dymasë, veshur me fustanellë shqiptare, keni figurën e Pierre Lotit veshur me tirqet shqiptare.

Këtu, dua të theksoj ndihmën e Agim Janinës, një bashkëpunëtor të ngushtë në punën time, i cili është i apasionuar për vlerat artiske, historike të shqiptarëve, i njeh mirë gravurat e kohës. Në libër ka rreth 500 ilustrime. Në fushën figurative, ka kontribuar Dritan Muka, që merret me vlerat shqiptare, bashkautor në këtë libër. Për sa i përket letërsisë, në libër ka poezi, pjesë nga romane historikë si "Shqiptarka dhe urrejtja e saj". Me rëndësi, është figura e gruas shqiptare, që shfaqet historikisht e emancipuar. Në të gjitha drejtimet, libri paraqet ç'është më e mira shqiptare.

Po për periudhën që ju keni qenë përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Francë do të shkruani ndonjëherë?


U përpoqa të përballoj detyra të rëndësishme, me vështirësitë e kohës, gjatë periudhës 97-98 (periudha e trazirave), 99 (kriza e Kosovës). Janë dokumente, që në relacionet e mia të shumta, i kam pasqyruar në Ministrinë e punëve të jashtme. Nuk besoj se mund të jenë për një libër tjetër. Është shumë herët, dhe për momentin, jam duke mbaruar një libër, për arbëreshët nga autorët francezë, një libër pak a shumë si ky.

 

 

Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama