Nëse dëshironi të shihni të ardhmen e energjive të qëndrueshme, duhet të bëni një xhiro me makinë në jugperëndim të aeroportit të Abu Dhabi, të ndaleni aty ku mbërrini në shkretëtirë dhe përdorni imagjinatën. Po qëndroni mbi atë që do të jetë shumë shpejt Masdar City, një zhvillim që do të sjellë një risi të jashtëzakonshme dhe që do të furnizohet tërësisht nga energjia e rinovueshme. Krijuar nga arkitekti britanik Norman Foster, qyteti i ri do të jetë në qendër të nismës Masdar, një projekt disa miliardë dollarësh që synon promovimin e Abu Dhabi, kryeqyteti i pasur me hidrokarbure i Emirateve të Bashkuara Arabe, si një nyjë për energji alternative dhe qëndrueshmëri.
Masdar City është diçka më shumë se një ëndërr në shkretëtirë sot, por fillimet e transformimit të Abu Dhabit janë të dukshme në një fushë me 25 panele të ndryshme solare që shtrihen qysh prej zonës me rërë pranë sheshit të ndërtimit. Modulet po provohen në një testim 18 muajsh në terren, qëllimi i të cilit është të përcaktohet se çfarë lloj teknologjie fotovoltaike do të funksiononte më mirë në këtë mjedis të nxehtë dhe të pluhurosur. Fituesi do të ndihmojë në furnizimin me energji të Masdar City dhe ndoshta edhe pjesës më të madhe të Abu Dhabi, teksa shkencëtarët këtu do të mësojnë të vënë nën kontroll një burim energjetik, i cili do të arrijë ndoshta të jetë po aq i fuqishëm sa nafta, e cila e ka bërë kaq të pasur këtë rajon. “Mendoj se këtu ka shumë potencial”, thotë menaxheri i projektit Sameer Abu Zaid, teksa bën një rrugëtim nëpër vendin e testimit, ndërkohë që nga tutje në shkretëtirë vjen e dëgjohet thirrja për faljen e mbrëmjes. “Është shumë ngazëlluese për ne”.
Ajo që po ndodh në Abu Dhabi mund të jetë shumë ngazëlluese edhe për ne të tjerët dhe shumë befasuese. Emirati është eksportuesi i pestë më i madh i naftës në botë si dhe prodhuesi i gjashtë më i madh i gazit natyror, gjë që e bën atë jashtëzakonisht shumë të pasur, me një GDP për frymë prej 63 mijë dollarë amerikanë, krahasuar me 45 mijë dollarë në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Me çmimin e naftës sot afro 93 dollarë për fuçi, biznesi shkon më mirë se kurrë. Kështu që, tek sheh këtë kolos të pasur me naftë dhe gaz të mbështesë projekte të energjisë alternative, të duket njësoj sikur sheh një shpërndarës heroine që përpiqet të shesë aspirinë. Por, Nisma Masdar është shumë më tepër se sa një gjethe fiku për të mbuluar kontributin e Abu Dhabi në ndryshimin e klimës. Përmes investimeve në kompani të teknologjive të pastra, një qendre të kërkimeve për vazhdueshmërinë e furnizimit, projekte të mëdha të energjisë së gjelbër si dhe Foster’s City, Masdar paraqet një drejtim të ri dhe dramatikisht të ndryshëm për energjinë në Lindjen e Mesme. Karburantet nuk do të zgjasin përgjithnjë dhe nevoja për uljen e lëshimeve të gazrave të dyoksidit të karbonit në atmosferë mund të shtrëngojnë për një largim më të hershëm nga petroli. Vendet e Lindjes së Mesme që duan të qëndrojnë të fuqishëm në shekullin e ardhshëm nuk mund të varen tërësisht tek hidrokarburet. Përmes Masradit, Abu Dhabi mund të jetë duke treguar drejtimin që duhet të ndjekë në terma afatgjatë Lindja e Mesme.
“Njerëzit janë të ngazëllyer për këtë”, thotë Maria Carvalho, një analiste në kompaninë New Carbon Finance, me qendër në Londër. “Askund tjetër në Lindjen e Mesme nuk ka patur një përkushtim të tillë për energjinë e pastër”. Sulltan Ahmed al Jaber ka madje ambicie edhe më të guximshme. Për “TIME”, ai tha: “Ne do të vendosim Abu Dhabi si nyjë për energjinë e së ardhmes”.
Është e lehtë të konsiderosh të tilla vizione madhështore si thjeshtë retorikë. Në fund të fundit, Emiratet e Bashkuara Arabe nuk marrin asnjë pjesë të energjisë së tyre nga burime alternative dhe “World Wildlife Fund” ka thënë se qytetarët aty lëshojnë më shumë dyoksid karboni se kudo në botë. Por Masdar ka diçka që u mungon ëndrrave të tjera të gjelbra përreth botës, sasi të mëdha parash, si dhe një Qeveri largpamëse, e cila është e gatshme t’i investojë në projekte, të cilat ndoshta do të duhen dekada të kthejnë investimin. Nisur në fillim të 2006-s, Masdar ishte shumë shpejt në gjendje të përfitojë nga qindra miliona financime qeveritare. Por ai ishte fillimi. Muajin që kaloi, gjatë Samitit të të Ardhmes së Energjisë në Botë, një konferencë ku morën pjesë 4000 zyrtarë, ekspertë të energjisë dhe biznesmenë nga e gjithë bota, Princi i Kurorës i Abu Dhabi, Sheik Mohammed Bin Zayed Al Nahyan deklaroi se Qeveria do të hedhë edhe 15 miliardë dollarë të tjerë për projektin Masdar. Bilanci financiar e vendos Abu Dhabi shumë më lart se fqinjët e vet në Gjirin Persik sa i përket çdo renditjeje të gjelbër dhe e vendos si një aktor global. “Ata po hedhin para të vërteta në tryezë për ta përfunduar këtë projekt”, thotë Nicholas Parker, kreu i Cleantech Network. “Kështu mund të arrish në përfundimin se e kanë seriozisht”.
Masdar nuk të tregon saktësisht se si do të shpenzohet çeku i Princit të Kurorës, por programit nuk i mungon shtrirja. Kompania ka investuar tashmë 250 milionë dollarë në kompani të teknologjive të pastra nga e gjithë bota dhe pritet të lançojë një fond të dytë dhe të tretë në të ardhmen e afërt. Një tjetër filial i kompanisë do të luajë rol në tregun në rritje të qymyrit. Edhe brenda vendit ka projekte të tjerë më të mëdhenj. Në Samitin e Energjisë, zyrtarë të Masdar deklaruan një marrëveshje me British Petroleum dhe Rio Tinto, sipas të cilës emirati do të ndërtojë një prej centraleve të parë komercialë në botë me hidrogjen, 500 MW dhe që do të kushtojë të paktën 2 miliardë dollarë. Centrali do të përdorë gazin natyror që gjendet me shumicë në Abu Dhabi dhe do ta transformojë në hidrogjen dhe dyoksid karboni, ku hidrogjeni do të përdoret për energji elektrike dhe CO2 do të mbahet, duke mos e lëshuar në atmosferë. Rezultati është energji e pastër nga karburante, një prioritet i Masdarit dhe tregon se eksperienca gjysmëshekullore e Abu Dhabi me hidrokarburet mund t’i ofrojë gjithashtu ekspertizë të fuqishme kur bëhet fjalë për energjitë e rinovueshme. “Abu Dhabi është ideal për zhvillimin e një projekti të tillë, për shkak të përvojës që ka në fushën e hidrokarbureve”, thotë Ron Heyselaar, i cili drejton programin e hidrogjenit për Masdar.
Një prej shpresave më të mëdha për energji alternative në Abu Dhabi dhe në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme, është energjia diellore dhe Masdar po përgatit edhe këtu investime. Masdar City do të jetë kryesisht i furnizuar me energji diellore përmes paneleve tradicionalë fotovoltaikë të vendosur mbi tarraca, por kompania ka gjithashtu të ndërtojë edhe një central (CSP) të përqendruar me energji diellore në qytetin e Madinat Zayed. CSP është solar, me një ndryshim: Në vend të transformojë dritën e diellit direkt në energji elektrike, CSP përdor hapësira të mëdha me pasqyra parabolike për të grumbulluar dhe fokusuar nxehtësinë e diellit, e cila më pas konvertohet në energji elektrike. Është një zgjidhje ideale për kushtet e nxehta dhe me diell në shkretëtirë dhe është e bollshme, që do të thotë se nëse jepet hapësira e nevojshme, centrale të tillë mund të furnizojnë sasi të mëdha të energjisë elektrike të një vendi, ndryshe nga sasitë e papërfillshme që energjitë e rinovueshme ofrojnë sot.
Algjeria e ka tashmë në plan të ndërtojë një central të tillë 150 MW deri në 2012, me plane të mëdha për eksportim e deri 6 gigavatë energjie diellore për në Evropën Jugore deri në vitin 2020. Planet e Abu Dhabit për këtë lloj centrali janë fillimisht më modestë se sa ato të konkurrentit të vet të madh afrikano verior, por financimi më i madh dhe mbështetja ndërkombëtare e bëjnë Masdarin një bast më të volitshëm në terma afatgjatë. “Rajoni është i pasur në karburante për momentin”, thoitë Klaus Toepfer, ish-kreu i Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara. “Por ky vend do të jetë i pasur me diell gjatë të gjithë kohës dhe mund të ketë një tjetër bum këtu nëse zhvillohen këto teknologji”.
Më domethënës nga të gjithë do të jetë vetë Masdar City. Ndërkohë që Abu Dhabi, ashtu si shumë qytete të ndërtuara me shpejtësi në botën në zhvillim shtrihet me shumë pak projektim dhe pothuajse nuk ka fare transit publik, Masdar City do të jetë shumë i dendur, një komunitet në një hapësirë 6 kilometra katrorë i projektuar për të mos patur makina dhe të cilit do t’i shërbejnë trenat magnetikë. Një projekt shkripëzimi për ujin do të funksionojë i furnizuar me energji diellore dhe nevojat për konservim do të mbajnë përdorimin e ujit 60% nën normën; të gjithë mbeturinat do të përzihen dhe riciklohen. Nëse gjithçka shkon sipas planit të Foster, 50 mijë vetë do të jetojnë në qytet deri në 2016-n, shumica prej të cilëve do të punojnë në bizneset për energjinë e rinovueshme. Me më shumë se gjysmën e popullsisë së botës që sot jeton në qytete dhe me ritmin e urbanizimit që po njeh vetëm rritje, mënyra se si ne ndërtojmë qytetet do të përcaktojë edhe mënyrën se si do të përballojmë rreziqet e ndryshimit të klimës. Masdar ofron një model shumë të mirë për zhvillimin e ardhshëm urban, pa u “asfiksuar”. “Askush nuk është përballuar më parë me sfidën dhe mundësitë që ekzistojnë kur ke të bësh me madhësinë e këtij lloj komuniteti”, thotë Foster. “Sistemet e mbeturinave, ujësjellësi, transporti, shkripëzimi, kjo nuk është bërë kurrë më parë... Është njësoj si të dërgosh një njeri në Hënë”.
Ëndrrës së Fosterit nuk do t’i mungojnë fondet. Në ceremoninë madhështore më 9 shkurt, Masdar shpalli se qyteti i ri do të ketë një buxhet prej 22 miliardë dollarë, me 4 miliardë prej kompanisë dhe pjesa tjetër përmes investimeve të jashtëm, duke përfshirë edhe shkëmbimin e karbonit që do të monedhëzojë reduktimin në gazrat e lëshuar në atmosferë me krijimin e qytetit. Foster është shumë mirënjohës për atë që ofron Masdar, por ai pyet veten përse Perëndimi thjesht rri e vështron, ndërkohë që Abu Dhabi udhëheq. “Në terma urbanë, kjo nismë është më progresistja, gjëja më radikale që po ndodh në botë”, thotë ai. “Ku është Amerika në këtë drejtim? Ku është Evropa? Ku është Britania?
Gjë që ngre një tjetër pyetje: Përse Abu Dhabi? Një aksident i gjeografisë e bëri emiratin udhëheqësin botëror në industrinë energjetike, por ngrohja globale po e ndryshon biznesin, teksa tregu për energjitë e rinovueshme porritet me shpejtësi kudo në botë. “Ne e dimë që tregu i energjisë po përparon”, thotë Al Jaber. “Çfarë do të thotë kjo për ne? Është një rrezik, apo një shans”? Masdar është mënyra e Abu Dhabi për të garantuar që është më shumë e dyta; Qeveria po përdor fitimet e sotme për të përgatitur ekonominë e vet për një të ardhme përtej naftës. Kjo do të thotë investim jo thjesht në teknologji, por edhe kapitale njerëzore. Ashtu si shumë prej fqinjëve të vet në rajon, Emiratet e Bashkuara Arabe shpenzojnë relativisht pak në kërkim dhe zhvillim. Në epokën e karburanteve ka qenë e lehtë t’ia hidhnin, por sektori i energjisë alternative kërkon një forcë punëtore më të arsimuar dhe të prirur për teknologjinë e lartë. Kështu që, së bashku me Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit, Masdar po ndërton gjithashtu një shkollë të lartë, e cila do të nxjerrë talente vendase për epokën e energjive të rinovueshme.
Instituti i Masdarit për shkencë dhe teknologji do të jetë “banori” i parë në qytetin e Fosterit dhe Al Jaber shpreson se lidhjet me korporatën akademike do ta bëjnë Abu Dhabin “Silicon valleyn për energjitë e rinovueshme”.
“Është një ndërrim drejtimi i mrekullueshëm për një vend të Lindjes së Mesme”, thotë Russel Jones, ish-president i Universitetit të Delwuer në SHBA. “Kjo është mënyra si duhet të përgatitesh për fundin e epokës së naftës”.
Megjithëkëtë, shumë pak prej fqinjëve të Abu Dhabi po ndjekin të njëjtën rrugë. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) lançoi kohët e fundit një fond 750 milionë dollarë për studimin e ndryshimit të klimës, por vendet e gjirit mbeten shpesh pengesa të përpjekjeve ndërkombëtare për reduktimin e gazrave të lëshuar në atmosferë, nga frika se mos reduktimi i karbonit do të thotë vrasje për ekonomitë e tyre. Ndërkohë që disa kanë nisur të ndjekin shembullin e Abu Dhabi, Katari e ka seriozisht për energjinë e erës dhe atë hidro, ndërsa Dubai ka një program për të mandatuar ndërtimin e ndërtesave të gjelbra, pjesa më e madhe e Lindjes së Mesme po bën shumë pak sa i përket një të ardhmeje pa naftë. Egjipti është rast tipik, shumica e zyrtarëve të lartë flasin vazhdimisht për zhvillimin e energjive alternative, e megjithatë shumë pak është bërë. “E ardhmja e prodhimit të naftës dhe gazit është e paqartë”, thotë Hatem Khairy, një konsulent egjiptian për energjinë. “Ne na nevojitet një politikë kombëtare për zhvillimin e energjisë së pastër”.
Për të ardhmen e afërt, në të vërtetë edhe Abu Dhabi është i bindur se nafta e gazi do të mbeten motorët kryesorë të pasurimit. Sado mbresëlënës të jetë Masdar, kjo nismë nuk ka për qëllim të zëvendësojë naftën, por thjeshtë të shërbejë si suplement dhe ka shumë pak tregues që Emiratet apo çdo shtet në Lindjen e Mesme të jetë gati për një largim të menjëhershëm nga produktet e naftës dhe gazit, që do të qe i domosdoshëm nëse rajoni dëshiron të luftojë ngrohjen globale.
Në një intervistë të rrallë, Yousef Omair Bin Yousef, Drejtor Ekzekutiv i kompanisë shtetërore të naftës të Abu Dhabi, e cila kontrollon rezervat e mëdha të emiratit, buzëqesh i qetë kur pyetet nëse e sheh si rrezik fokusimin e emiratit tek energjitë e rinovueshme. “Nuk e shoh Masdarin si konkurrent, apo si alternativë”, tha ai për “TIME”. “Bota do të ketë nevojë për më shumë energji dhe ka vend për të dyja. Këto energjitë e rinovueshme nuk do të vijnë brenda natës”. Edhe ju do të ishit të relaksuar, po të ishit Bin Yousef. “Nafta nuk po na mbaron”, thotë ai. “Ajo do të jetë aty edhe për 80 apo 90 vjet dhe mund të përmirësojmë”. Masdar mund të ketë 15 miliardë për të shpenzuar, por Emiratet e Bashkuara Arabe kanë 225 milionë dollarë të ardhura nga nafta çdo ditë.
Ajo që po ndodh në Abu Dhabi është e jashtëzakonshme, ndoshta pikërisht se po ndodh aty. Por, ashtu si pjesa më e madhe e veprimtarisë në sektorin e gjelbër në përgjithësi, ngazëllimi nuk shkon njësoj me shkallën e ndryshimit të madh social dhe ekonomik që nevojitet për ndalimin e ngrohjes globale. Sidoqoftë, Masdar është një fillim i mirë dhe mund të ndihmojë të joshë në veprime dhe të mëdhenj si SHBA-ja. Sigurisht, nuk mund të dëgjosh gjëra negative nga Al Jaber, i cili ka pritshmëritë më të larta nga Masdar. “Dua të shoh ndërtimin e centraleve diellorë në Abu Dhabi dhe kudo”, thotë ai. “Dua ta shoh qytetin të përfunduar. Dua ta shoh institutin të ngritur dhe në punë. Dua të zhvillojmë disa prej teknologjive në të cilat po bëjmë kërkime. Dhe dua të shoh të ardhura nga fondet që po investojmë në teknologjitë e pastra”. Nëse ia del mbanë në të gjithë këto, atëherë Masdar do të rezultojë shumë më tepër se sa thjeshtë një mirazh në shkretëtirë.
Bryan Walsh : Gazeta Metropol