Piktura nuk mund te ndalet

Piktura nuk mund të ndalet
I ftuar special në "Onufri 09", Gjelosh Gjokaj kthehet në Tiranë me dy vepra nga periudha moderne e krijimtarisë së tij.


Si bashkëjetojnë artet në pikturën e tij dhe përse nuk e pranon ndikimin nga politika dhe forca të tjera të jashtme


Pas viteve '90-të, artisti Gjelosh Gjokaj hoqi dorë nga surrealizmi dhe realizmi lirik, fryma e deriatëhershme e pikturave të tij. Vetëdija, papritur, e udhëhoqi drejt abstraktes, një art që nuk i bindej zgjedhjeve të deriatëhershme të pikturës së Gjeloshit.


Në ekspozitën "Onufri 2009" në Tiranë, Gjokaj prezanton dy nga punët, që i takojnë periudhës moderne të krijimtarisë së tij, e cila përkon me kohën që po flasim: "Pa titull 1" (vaj në kanavacë, 200x130cm) dhe "Pa titull 2" (vaj në kanavacë, 200 x 130cm), krijuar në vitin 2005.


Bien në sy ngjyrat e paqme, bluja e thellë, "shpirtërore" siç e quan ai, kontrasti i së bardhës me të zezën, e kuqja dhe e verdha e pjekur dhe grija e përhime, e përdorur
për të arritur tonalitetin e duhur të harmonisë.


"Më tepër muzikë e poezi dhe larg letërsisë", e shpjegon ai artin vizual, duke u ndalur edhe në rrezikun që i vjen nga letërsia. "Nëse ka një përmbajtje letrare, atëherë është ilustrim", pohon Gjokaj.


Abstraktja jo vetëm e kënaq artistin, por i ka gjetur një vend në Galeritë e Evropës, "Haus de Kunler" në Mynih, ku ka hapur disa ekspozita, dhe "Holbein Galeria" në Augsburg, të tjera në Paris, Romë, Zvicër, Austri, Hollandë.


Në fund të 2010-ës, në galerinë e Mynihut, Gjokaj ka gjetur mundësinë për të prezantuar në një ekspozitë edhe punë të artistëve bashkëkohorë shqiptarë.
Në projektet e vitit të ardhshëm përfshihet dhe një prezantim i tij me 30 punë, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.


Po çfarë tregon artisti për veten, pikturën, periudhat nëpër të cilat ka kaluar krijimtaria e tij, për grafikën dhe vitet '60 në Kosovë.


Gjelosh Gjokaj ka lindur në vitin 1933 në Milesh, lokalitet i Tuzit në Mal të Zi. Në Beograd kreu Shkollën e Mesme të Artit dhe më pas, studimet e larta në Akademinë e Artit.


Diplomohet më 1963. Në vitet 1964-1969 themeloi degën e grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Nga viti 1969 deri më 1983, punoi dhe jetoi në Romë. Që prej 1983 jeton në Augsburg, Gjermani.


Çfarë bën Gjelosh Gjokaj kaq herët (në mëngjes)?


Shëtis. Tirana përditë po bëhet më sharmante. Dhe përditë më e bukur. Këto ditë m'u duk shumë më e bukur se përpara. Ka marrë një fizionomi, me një pastërti, me një rregull metropoli. Po më pëlqen përditë e më tepër. Kolegë, miqtë e mi, që kam në Tiranë e bëjnë qytetin edhe më të pasur.


Me një rregull metropoli, ta besojmë këtë për Tiranën?


Është interesante. Mua nuk më pëlqen tepër perfeksionizmi. Qyteti e ka një sharm të posaçëm, kur ka edhe disa gjëra të mbetura nga e kaluara. Disa rrugë të Tiranës janë të bukura. Unë i këqyr artistikisht punët, jo vetëm si arkitekturë e thatë, që mund të jetë edhe josimpatike.


Cilët keni takuar?


Kam takuar, kam ndenjur bashkë dhe kam biseduar me artistë, me profesorë të Akademisë, me Drejtorin e Galerisë, me kuratorin e Ekspozitës, me drejtorin e Alba Filmit, Fatmir Musajn. Ai ka një pikturë shumë të bukur këtu.


Keni marrë avionin nga Augsburgu për këtu, vetëm për "Onufrin", apo ka edhe diçka tjetër?


Për të parë këtë ekspozitë. Kam dëshirë ta njoh situatën momentale të artit të Shqipërisë. Njëherë ta njoh për vete dhe pastaj, kam dëshirë të organizoj në Mynih një eskpozitë të artistëve bashkëkohorë të Shqipërisë.


Aty është shtëpia e artistëve, "Hand de Kunstler", një galeri shumë e madhe dhe e bukur. Do të caktojmë një datë për ekspozitën. Mund të jetë në fund të vitit.


Keni rastin të shikoni jo pak artistë të rinj që prezantohen tek "Onufri". Çfarë mendoni për ta?


E kam parë dje ekspozitën. Shprehet një lloj ekspresionizmi. Është një pamje interesante e artit shqiptar. Artistët e rinj tani janë shumë të informuar se çfarë ndodh në Evropë, nëpër botë dhe kanë idetë e tyre për të avancuar, për të bërë diçka tjetër.


Jo vetëm artin në pëlhurë. Ka mundësi të tjera, si fotografia, videoja. Ata i kanë kaluar format tradicionale, por piktura nuk duhet të ndalet.


Veprat që prezantoni tek "Onufri" çfarë faze të krijimtarisë suaj përfaqësojnë?


Kam pasur fazat e mia, prej surrealizmit, në realizëm lirik, pastaj në pikturën abstrakte dhe tani vazhdoj me pikturën abstrakte. Ky kalim vjen spontanisht, vjen vetvetiu sipas eksperiencës. Piktura pastrohet, ndërrohet.


Është një përpëlitje e mundimshme, derisa të nxirret forma e re nga brenda vetes?


Është një proces. Nuk mundet të ndërrohet për dy ditë. Duhet një proces më i gjatë. Nëse ndërrohet për dy ditë, atëherë vihet në pikëpyetje origjinaliteti.


Është kollaj ta shohësh diku diçka dhe ta interpretosh në atë mënyrë, por është shumë e vështirë të gjesh origjinalitetin në pikturë, pa marrë parasysh se çfarë tematike është, figurative, apo moderne. Gjendem në ato atmosfera ku kritika dhe opinioni i gjerë, e absorbon dhe e kupton pikturën time.

Po teknika?
Teknika ime është e përzier, prej lapsit deri tek ngjyra. Piktura nuk ka ligje. Nëse teknikisht është rezistente, atëherë është në rregull.


Edhe pse abstrakte, kufizimi i vijave në pëlhurë na çon tek një hartë, dhe ngjyrat tek folklori, e kaluara artistike në Kosovë. Është i gabuar ky interpretim?


Në rregull është. Elementet abstrakte kanë një farë kufiri që duhet të respektohen. Piktura kollaj mund të jetë edhe shumë prozaike. Duhet të ruhemi prej këtyre gjërave.

Pra, sërish larg letërsisë?


(Qesh) Po. Unë jam kundër përmbajtjes letrare në pikturë. Nëse ka një përmbajtje letrare, atëherë është një ilustrim.

Po muzikë, a është?


Piktura ka vargjet e ngjyrave të veta dhe ka tonalitetet e ngjyrës që lidhen natyrisht me muzikën dhe arte të tjera.


Le të futemi pak tek fjalori simbolik i ngjyrave tuaja.
Ngjyra blu dhe okër (e verdha e pjekur), lidhen diku. Bëjnë një harmoni. Shpirtërisht jam i lidhur me blunë. E zeza në Malësi është tek xhubleta. Bardh e zija janë elementet folkloristike më të bukura. Për të krijuar harmoninë pastaj marr të kuqen e pjekur, kafen, grinë, të përhimen.


Si fillon një tablo juaja?


Fillon me një shkarravinë, e më pas duke u organizuar. Kombinohen ngjyrat. Fillon e ndërton pikturën sipas dijenisë shpirtërore. Kur është përpara pëlhurës, piktori fillon të bisedojë me të dhe me elementet që vendos aty.


Tematika tek unë nuk ka luajtur ndonjë një rol të madh. As politika dhe asnjë gjë tjetër nuk kanë ndikuar në artin tim figurativ.

Nëse kthehemi pas, ku instaluat bazën e artit tuaj, në Kosovë, cilët janë bashkëkohësit tuaj?


Kam studiuar në Beograd dhe pas studimeve kam ardhur në Prishtinë dhe kam vazhduar me grafikë dhe pikturë. Bashkë me Muslim Mulliqin, Nikolla Gvozdenoviçin, Rexhep Ferrin, Tahir Emra, kemi qenë një grup që kemi krijuar një atmosferë të volitshme për artin. Flitej në atë kohë në ish-Jugosllavi se "Në Prishtinë është bërë një shkollë e posaçme dhe origjinale". Ka qenë me shumë rëndësi.

Jorida Pasku : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama