“Me qenë shqiptar mund të jetë vërtet mirë, por të jesh pasaportë-mbajtës shqiptar, nuk jam dhe aq e sigurt nëse është po kaq mirë”. Kështu shkruan gazetarja Edlira Gjoni ndërsa rrëfen se një gjë të tillë ia ka mësuar eksperienca. Gjoni tregon 3 raste personale të cilat do t’ju mbajnë mbërthyer në komentin e saj me titull: “Ironia e radhës: O sa mirë me qenë shqiptar(?)”. Komentin e saj gazetarja e përmbyll me një batutë perlë aktualiteti: "Pasaporta ime e shkretë. Je bërë dhe ti për riciklim. Jo nga letra, por nga reputacioni i të qenit pasaportë-mbajtëse shqiptare."
NGA EDLIRA GJONI:
Rasti 1) Pika kufitare Foeni që lidh Serbinë me Rumaninë. Pas 50 minutash pritje, tre policë kufitarë vijnë me pasaportën në dorë: “Ndjesë, nuk të lemë dot të hysh në Rumani. E shohim që je udhëtare e shpeshtë tjetërkund. Por ke të printuar vetëm rezervimin e hotelit, jo faturën që e ke paguar atë. Jo, nuk duam ta shohim në e-mail që e ke paguar. E duam të printuar. Refuzim”
Nuk arrija ta besoja dot. Ishte e diel. Qyteza më e afërt serbe 20 km nga aty. U ktheva mbrapsht. As bëhej fjalë për qendër interneti hapur. Një farmaciste pranoi me hezitim të madh të më ndihmojë nga kompjuteri i saj (i vetmi vend hapur të dielën, farmacia). I bëj forward e-mailin me faturën e paguar online. E printon. E marr. Kthehem në kufi. “Erdhe prapë? Oh No. Po pse? Edhe sikur ta kesh sjellë faturën, do të gjejmë dicka tjetër tani. Se kemi urdhër specifik, të bëjmë të pamundurën që të vështirësojmë punët për cdo pasaportë-mbajtës shqiptar”. E tha troç. Nuk e besoja dot. Kërkova një deklaratë me shkrim për arsyet që më refuzohej hyrja në Rumani. Telefon pas telefoni e sheh pas shefi, më thanë që deklaratën nuk e lëshonin dot, se ishte ligji në rumanisht. Kushtet për të udhëtar në BE i plotësoja, por për në Rumani jo. “Qenke këmbëngulëse. Ok, qëndrim të mbarë në Rumani.Na fal, po kështu i kemi urdhërat”.
Rasti 2) Pasaporta ime ka trajtim të ngjashëm në mënyrë të përsëritur sa herë kalojmë me makinë përmes Bosnje-Herzegovinës dhe Kroacisë drejt Italisë. Në 7 kilometrat e Neumit që ka BiH ka katër pika kufitare. Te ato të BiH, makinat shqiptare janë gjithmonë të ndaluara gjatë. (Ato ose të huajat prej nga shoferët nxjerrin pasaporta shqiptare).
Mënyra është praktike fare: policët e kufirit nuk flasin as shqip, as anglisht, as italisht. Por Google Translate po. Të marrin brenda te kompjuteri, shkruajnë në gjuhën e tyre dhe të tregojnë me dorë të lexosh përkthimin: “Ti bërë gabimi i madh. Futur korsia për qytetari i Bashkim Europian, jo korsia qytetari i huaj”. Lodhesh kot t’i thuash “Nuk ka tabelë, se janë të fikura shenjat”. Nuk të kupton e afërmendsh as nuk të lë të futësh duart në kompjuterin e tij e të shkruash shqip e Google ta ndihmojë edhe atë të kuptpjë ç’i thua ti. Jo. Thjesht vazhdon vetë të shkruajë dhe unë lexoj në ekran “Problemi madh. Gjoba madhe. 50 euro. Banka hapi nesër mëngjesi...” Të sheh në sy të të masë pulsin, fshin ça ka shkruar edhe shton një fjali të re: “Do prit deri nesër, apo paguar sot më pak, 30 euro, pa nevoja fatura posta”.
Dmth kerkon 30 euro. Se paskam hyrë te kioska e kontrollit që është për BE-në. Kthehem pas të sigurohem si dreqin nuk e pashë shenjën. Vij e indinjuar: “Nuk ka tabelë. No sign. Nothing”
Ai shkruan prapë në Google translate: “Rregulli është, edhe pse tabela nuk ka” Dhe më hedh një vështrim edhe më të egër, dhe shkruan duke parë mua, jo kompjuterin “50 euro të tjera plus gjoba, se dole këmba ecur në territori kufitari pa leje kur doje shikoje tabela. Thyer ligj”.
Tani vetëm më qeshej. “Boss, boss. Where is your boss? I give 100 euro to your boss”
E vetmja fjalë që kuptoi ishte “bos”, që dredh këmbët në cdo gjuhë mesa duket. Më dha pasaportën gjithë inat dhe e shau, pasaportën, shqiptaren, mua.
Rasti 3) Në një makinë udhëtimi mes dy vendesh që kanë kufi. Me kolegë. Të gjitha pasaportat u vulosën, e imja pezull. “Ke shqiptare në makinë? Hape krahun”.
Dalim anash dhe nuk e marr vesh nga me shpërthen më së shumti inati. Kolegu që ishte në timon del jashtë dhe hap bagazhin. “Nxir valixhen e shqiptares”- ishte urdhri. Binte dhe një shi i rrëmbyeshëm në atë fund dite e jave pune të lodhshme. “Eshtë kolege e jona. Punojmë në një projekt rajonal” – mundohej të zbuste nevrikun e cuditshem të polices kufitare kolegu im. Nuk ishte e thënë. Valixhet e tre të tjerëve dolen nga bagazhi deri sa doli imja. Me e vogla. “Hape” – dhe më shihte tërë inat, sikur të isha duke bërë më të madhen cudi që po udhëtoja në këtë kufi fare të panjohur për bashkëkombasit e mi.
Nga valixhja më ra një shall i hollë. Edhe një bllok shënimesh nga aktiviteti nga ktheheshim. Edhe një kapëse flokesh rezervë. Dhe mbajta me dorë pjesën tjetër të rrobave e pajisjeve që të duhen për pak ditë aktivitet larg shtëpisë. “Mbylle valixhen. Kartën e bardhë” – urdhëroi duke më zgjatur dorën. Kaq gjë e kam mësuar. Nuk largohem kurrë nga hotelet pa kërkuar “kartën e bardhë” firmosur nga autoritetet vendase, që vërteton se unë kam qëndruar atje, dhe jo në rrugë për shembull.
Dhe ika e indinjuar. E fyer. Në asnjërin prej rasteve protagonistët kufitarë nuk më shohin në sy mua. Shohin vetëm pasaportën. Dhe sa del “shqiptare”, fillon trajtimi fyes e abuzues me burokracitë.
E pyes veten kurioze: a janë kaq fyes e arrogantë policët tanë të kufirit me shtetasit nga vendet fqinje apo me ata nga vende me reputacion jo pozitiv? Cfare i percakton te tille? Po Ministria ime e Jashtme, a mund të bëjë dicka për këto raste abuzimi? Në pjesën mikroskopike të Bosnje-Hercegovines brenda Kroacisë për shembull, në verë dhe në festat e fundvitit kalojnë qindra makina e familje shqiptare. Google translate dhe “gjoba” është standarde për të gjithë me arsyet qesharake, dhe për të mos u vonuar, shqiptarët paguajnë 20, 30 ap0 50 eurot e kërkuara, sepse duhet të arrijnë në vendet e punës në Itali, Zvicër apo Gjermani. Pra 3-5 mijë euro në ditë gjoba shqiptareve për shembull në raste piku.
Pasaporta ime e shkretë. Je bërë dhe ti për riciklim. Jo nga letra, por nga reputacioni i të qenit pasaportë-mbajtëse shqiptare.