Ish legjenda e Gjermanisë, Lothar Matthaus si duket nuk ka pranuar ofertën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për ta drejtuar përfaqësuesen e Kosovës. Ish anëtari i Bayern Municut dhe Interit ka treguar se nuk do të jetë pasardhës i Albert Bunjakit.
“E mohoj kategorikisht se do ta marr drejtimin e Kosovës. Nuk ka gjasa”, deklaroi Matthaus për B92, përcjell Express.
Matthaus ishte takuar me kreun e FFK-së, Fadil Vokrrin në ceremoninë e FIFA-së, e cila është mbajtur në Londër.
Numri një i futbollit kosovar ka shfaqur interesimin që gjermani ta drejtoj Kosovën, por si duket Matthaus nuk është i gatshëm që t’i rikthehet zejes së trajnerit.
Matthaus për herë të fundit ishte trajner i Bullgarisë në vitin 2011. Kurse, më herët ka drejtuar edhe Hungarinë, Partizanin e Beogradit, Rapid Wienan dhe Red Bull Salzburg.