Shpallet kalendari i Qytetit te arteve

Shpallet kalendari i 'Qytetit te arteve'
Kalendari i programit të “Qytetit të arteve” të Akademisë së Arteve në Tiranë përmban një sërë aktivitetesh në fusha të ndryshe të artit si; muzikë, art skenik, ndërdisiplinor dhe pamor. Kështu ndër aktivitetet që do të zhvillohen janë; koncerte, balet, mbrëmje poetike, koncerte simfonike, muzikë e dhomës, deri tek spektakle, tryeza të rrumbullakëta, promovim librash. Hapësira ku do të zhvillohen këto aktivitete, janë Akademia e Arteve, “Blackbox”, Galeria e Arteve Skenike, pra çdo ambient duke përfshirë dhe sallat e Akademisë. Ky program i shërben pasurimit të jetës artistike në kryeqytet, rritjes së konkurrencës në tregun artistik, si dhe rritjes së mundësisë së personelit akademik dhe studentor që të prezantojnë arritjet më të mira krijuese dhe interpretuese të Akademisë së Arteve.

Në datën 13 dhjetor, ora 18:00, në ambientet e Akademisë së Arteve, vjen në skenë komedia “Të Brendshmet” e regjisorit dhe pedagogut të kësaj shkolle, Milto Kutali. Në të njëjtën datë, ora 19:00, Isak Shehu jep një koncert të titulluar “Ibrahim Madhi - Koncert për nder të 50 vjetorit të karrierës dhe 65 vjetorit të lindjes”. Në datën 14 dhjetor, ora 19:00, Arben Basha jep një koncert recital në Sallën e Madhe të Koncerteve. Në datën 15 dhjetor organizohet “Dita e Hapur” nga Pjetër Guralumi. Nga ora 9-20.30 të kësaj dite Akademia do të jetë e hapur për gjithë të interesuarit.

Gjatë kësaj dite do të ketë ekspozita në galerinë FAP, koncerte, balet dhe prezantime librash. Dita do të mbyllet me një mbrëmje gala, që fillon në orën 19:00 në Sallën e Madhe të Koncerteve. Në orën 18:00 të datës 16 dhjetor, pedagogia dhe piktorja Najada Hamza prezanton në galerinë FAP “Folk Fashion Bazar”. Ndërsa në orën 19:00 të po kësaj dite Lorenc Radovani prezanton në Sallën e Madhe të Koncerteve figurat e shquara shkodrane të artit shqiptar. Në datën 17 dhjetor, ora 18:00, Ali Oseku vjen në galerinë FAP me artin e tij grafik. Hyrja është e lirë për të gjitha aktivitetet.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama