228 filma nga 43 vende ne DokuFest sot nis shfaqja ne Tirane

228 filma nga 43 vende ne 'DokuFest', sot nis shfaqja ne Tirane

Pesë filma nga edicioni i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe me Metrazh te Shkurtër (DokuFest) do të shfaqen sot në Tiranë, në orën 20:00, në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve. Të zgjedhur nga një numër rekord prej më tepër se 3000 aplikime, ky edicion do të prezantojë 228 filma nga 43 vende në 6 programe garuese dhe një numër programesh speciale. Tema e festivalit këtë vit është migrimi, konteksti i tij shoqëror global dhe lokal, si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe hulumtohen në një numër aktivitetesh.

E pranishme në konferencën e sotme për shtyp, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro theksoi se DokuFest bën pjesë në kalendarin e përbashkët kulturor të Kosovës dhe Shqipërisë. “Është kënaqësi për të gjithë publikun shqiptar dhe nder për mua si ministre e Kulturës që për të dytin vit me radhë së bashku me kolegët e DokuFest të prezantojmë edicionin e radhës të këtij festivali tashmë të rëndësishëm jo vetëm për botën shqiptare, por edhe në axhendat ndërkombëtare të kinemasë, si një nga markat më të mira të festivaleve që organizohen në trojet shqiptare. Për ne është detyrë dhe krenari ta mbështesim, duke qenë se DokuFest bën pjesë në kalendarin e përbashkët kulturor të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, si një ndër gurët më të rëndësishëm të këtij kalendari i cili nuk kufizohet vetëm në shfaqje të filmave, por shtrihet edhe përtej datave të festivalit dhe përtej Prizrenit“, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ndërsa Drejtori Artistik i DokuFestit, Veton Nukollari, u shpreh i kënaqur që programi i DokuFestit po prezantohet edhe në Tiranë. “Jemi të lumtur të rikthehemi në Tiranë dhe të një copëz të vogël të programit të madh të këtij edicioni të DokuFest, për të cilin kemi punuar një vit dhe të cilin jemi krenar ta shfaqim në Prizren nga data 8-16 gusht “, tha zoti Nukollari.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama