Ish te perndjekurit falenderojne Veliajn per demshperblimin dhe ligjin e dosjeve

Ish te perndjekurit falenderojne Veliajn per demshperblimin dhe ligjin e dosjeve

Në një takim me kandidatin Veliaj, ish të përndjekurit politikë kanë dhënë vlerësimet e tyre pozitive veçanërisht për nisjen e procesit të dëmshpërblimit për këtë shtresë, e cila për 8 vjet kishte mbetur në vend, si dhe hartimin e ligjit historik për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit.

Duke e konsideruar punën e kandidatit Veliaj si ministër i Mirqenies Sociale dhe Rinisë, në dy vitet e fundit, si një mbështetje të madhe për shtresën e ish të përndjekurve politikë, Drejtori i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, tha se “Arriti që me një skemë të re solidare, të shpërndajë 5 këste për të gjithë ata ish të përndjekur që jetojnë sot dhe bëri të mundur që shumë prej atyre që janë në grahmat e fundit të jetës të paktën të marrin ato lekë që u takojnë si e drejtë ligjore”.

Ndërkaq, ish i përndjekuri Ilir Vata e falenderoi kandidatin Veliaj për dëmshpërblimin e të burgosurve politikë, si dhe për transparencën për ligjin e dosjeve, çka sipas tij do t’i japë fund një kalvari 25 vjeçar. “Tani njerëzit flasin se si morën këstin e pestë, nuk flasin pse nuk morëm asgjë. Të falënderoj edhe për transparencën për ligjin e dosjeve, një kalvar gjatë 25-vjeçar, ku ish persekutorët, ish komunistët, mëkatarët, na drejtonin, na merrnin ne votën, na degjeneruan si na kanë bërë deri më sot. Ne të mbështesim, do t’ju bëjmë thirrje të gjithë të përndjekurve të votojnë Erion Veliajn si një risi në Tiranë”, tha ai.

Edhe shkrimtari dhe ish i përndjekuri politik, Daut Gumeni, tha se “Për ata që kanë shumë merak pse ka edhe ish të përndjekur që e urojnë z.Veliaj të bëhet kryetar Bashkie, unë u them vetëm kaq: e marr unë përgjegjësinë, jo vetëm timen por edhe tuajën, se kemi 25 vjet mes dy të majtave dhe unë pëlqej gjërat reale, më mirë me të majtën që s’i vjen turp të thotë e majtë, sesa me repartin më të qelbur të Partisë së Punës që hedh valle mbi varrezat e së djathtës”.

Në bisedën me ish të përndjekurit, kandidati Veliaj vuri në dukje se edhe Tirana ka nevojë që të jetë dëshmi e faktit se ne nuk harrojmë, por në fakt prej historisë mësojmë se çfarë nuk duhet të bëjmë në të ardhmen. “Dua t’ju falënderoj për mbështetjen në këtë sipërmarrje të re dhe do të propozoja të kishim një përfaqësi të shoqatës, e cila bashkë me bashkinë, si pjesë e një komiteti që vlerëson idetë që vijnë nga artistët, arkitektët apo urbanistët, të gjejmë një hapësirë, ku edhe të kemi një memorial për ish të përndjekurit, si një simbolikë e fortë dhe e fuqishme”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, ish të përndjekurit propozuan që Piramida e diktatorit të jetë një multimuze, ashtu si vendet e tjera të lindjes, për të gërshetuar historinë e komunizmit, në mënyrë që të gjithë të mësojnë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama