Bekim Fehmiu “rikthehet” në televizionin publik italian RAI . –
Bekim Fehmiu “rikthehet” në televizionin publik italian RAI . –
Nga: Alba Kepi
Aktori i njohur shqiptar Bekim Fehmiu “rikthehet” në televizioni publik italian RAI në interpretimin e filimit Odisea.
Promovimi i Kosovës përmes diplomacisë publike është një nga iniciativat e ndërmarra nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë e cila falë një bashkëpunimi të suksesshëm me RAI-n propozoi ritransmetimin e filmit të njohur Odisea me protagonist aktorin me origjinë shqiptare Bekim Fehmiu, i cili pati një karrierë të sukseshme në Itali e Europë.
Nga data 22 deri më 29 dhjetor ky serial televiziv po transmetohet në kanalin Rai Storia.
Filmi Odisea konsiderohet një nga kolosët e kinematografisë televizive italiane e i pari film i xhiruar me ngjyra.
Në 8 seri televizive filmi Odisea mbush sivjet 50 vite nga realizimi i tij nën regjinë e tre regjisorëve; Franko Rossi, Piero Schivazappa e Mario Bava e i bazuar në skenarin e poemës së Homerit Odisea.
Në rolin e Penelopës interpretonte aktorja e njohur greke Irene Papas.
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë, znj, Alma Lame ishte e ftuara speciale në programin e pasdites “Vita in diretta” në Rai Uno, e cila njohu publikun italian me jetën e karrierën e aktorit të madh Bekim Fehmiu.
“Bekimin e kam njohur personalisht një vit para se të vdiste, tha ajo. Ai nuk ishte vetëm një aktor, por ishte shkrimtar e artist i gjithënshëm.”
“Shkëlqimi e tmerri” është libri i tij i botuar më vitin 2001. një udhëtim personal i kujtimeve të jetës e krijimtarisë së tij artistike.
Bekim Fehmiu, u shpreh Ambasadorja Lame, edhe kur Kosova nuk ishte ende shtet, deklaronte me krenari identitetin e tij shqiptar e kosovar.
Gjithashtu kreu i Diplomacisë Kosovare në Itali falënderoi televizionin publik italian RAI për kontributin e dhënë për Kosovën duke denoncuar e përcjellë në kohë reale tragjedinë e luftës në ish Jugosllavi.