Koleksionisti Kozma Dashi:  Ekspozite – 100 kartolina te Tiranes kryeqytet

Nga: Anila Dedaj

12 Shkurt 2022

102 vite kryeqytet, Tirana e vjetër në koleksionin e rrallë me 100 kartolina! Koleksionisti: Të mos bëhemi një komb me amnezi.

Në kuadër të 102-vjetorit të Tiranës kryeqytet, ekspozohen në Kalanë e Tiranës kartolina të rralla. Në to pasqyrohen ndërtesat e vjetra, shumë prej të cilave sot nuk janë më. Koleksionisti Kozma Dashi bën thirrje, që të ruhet trashëgimia arkitekturore.

Vogëlushët vallëzojnë nën tingujt e muzikës popullore tiranase…  Janë fëmijët e e Ansamblit Folklorik “Shqiponja” . Në Kalanë e Tiranës, ekspozohet kryeqyteti që ata nuk do mund të njohin…

Koleksionisti Kozma Dashi përmes 100 kartolinash,  në kuadër të 102-vjetorit të Tiranës kryeqytet, shpalos arkitekturën e vjetër të kryeqytetit . Xhamia e Sulejman Pashës, hap ciklin e ekspozitës. Mes imazheve, vizitorët njihen me pulla, kartëmonedha, etnografinë tipike, si dhe momente e personazhe historike me peshë të kryeqytetit.

“Është një udhëtim në kohë, i cili përfundon në vitin 1939”, thotë Dashi

Përmes këtyre kartolinave, të mbledhura për më shumë se dy dekada, koleksionisti kërkon të përçojë një mesazh për mirëmbajtjen e trashëgimisë arkitekturore të kryeqytetit… që siç thotë, ditë pas ditë po bëhet pre e një masakre urbane.

“Këto janë ekspozuar për të treguar se duhen ruajtur, që të mos bëhemi një komb me amnezi, që s’kemi asgjë për të treguar” shton koleksionisti.

Kosma Dashi Ekspozite

Pjesë e ekspozitës ishin dhe kartolina të familjes mbretërore, si dhe harta e imazhe të Shqipërisë, botuar në revista të huaja…

Shqiptarja.com