Prec-Zogaj

Preç Zogaj: Pse Rama nuk mund të befasojë me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme

12 janar 2020

Preç Zogaj

Në politikë ngjarjet zbulohen duke ndodhur. Nga kjo pikëpamje e ardhmja  është në vetvete  enigmatike përkundrejt parashikimit.

Disa  gjëra i dimë që tani për  vitin 2020. Nuk do të këtë rritje rrogash e pensionesh, për shembull. Ky  pohim është zyrtar. Nga ana tjetër, përkundër  parashikimeve negative, deri katastrofiste për një “thyerje” të ekonomisë, ministria e Financës, zonja Anile Denaj  parasheh  në shtrirjen e vitit  një tablo relativisht të qëndrueshme  të treguesve kryesorë. Nuk do të ketë përmirësime për t’u shënuar,  por nuk do të ketë as përkeqësime, siguron ministrja. Jemi në parashikim edhe në këtë pikë. Ekonomia  në shoqërinë e hapur  operon me  projekte, me shifra, por thellë-thellë nuk është shkencë.

Viti 2020  përmban ndërkaq  një numër  të panjohurash konkrete që shkojnë përtej natyrës enigmatike të së ardhmes  në  përgjithësi.

Nuk është fjala për të panjohurat e  konflikteve në rrafshin ndërkombëtar, efektet e të cilëve shtrihen pashmangshëm edhe në vendin tonë,  siç është konflikti i fundit mes SHBA dhe Iranit, për shembull. Në këto rrafshe jemi në varkën euroatlantike dhe për  aq sa na takon kemi zgjedhur të ndajmë fatin me aleatët tanë strategjikë, me SHBA në radhë të parë. Me bindjen se kjo është zgjedhja  më e mirë dhe më e  sigurt për sot dhe për nesër. Edhe po të na duhet të paguajnë çmimin.

Fjala është për të panjohura që lidhen me disa pritshmëri  vendore  konkrete. Si për shembull: A do të na hapen negociatat e  famshme  të anëtarësimit në  BE  në vitin 2020?  Askush nuk e di,  tha  në  emisionin  “Java”  në RTSH kryeministri  Rama në fillim të këtij viti. Përgjigja shpreh  një frustrim pas djegies dy -tre herë të datave të mëparshme.  Përgjigja  ka notat e  një ankimi ndaj  BE-së. Ka domethënien  e lënies së plotë të topit në fushën  e  BE-së,  ku Franca nuk është në një mendje me Gjermaninë e vendet e tjera tashmë  për procedurat e zgjerimit. Na ra ne, i ra Shqipërisë  dhe Maqedonisë  së Veriut shorti të bëheshin kurbanet e  reflektimeve të Francës  për zgjerimin.

Mjerisht përgjigja “askush nuk e di”  ngjan të jetë  korrekte në raport më informacionin që  ka kryeministri. Ai nuk ka marrë  siguri nga askush, procesi është në mjegull, për të mos thënë në frigorifer, larg qoftë në varr.  Në këtë pikë me sa duket jemi në “ç’të jetë shkruar”. Negociatat mund t’i marrim  sivjet, por mund të mos i marrim  as vitin tjetër. Shumëçka apo gjithçka varet nga Franca, nga përmbajtja dhe fati që do të ketë paketa e Presidentit Macron për  reformimin e procedurave të zgjerimit të BE-së.

Një përgjigje mund ta kemi në prag të samitit të Zagrebit që do të mbahet në muajin maj. Janë të shumtë politologët që kanë venë në dukje se bllokimi i zgjerimit  rrezikon vetë   BE-në. Në këtë pikë, qëndrimi i Macron, më shumë se sa me zgjerimin, do të ketë të  bëjë me ekzistencën e BE-së. Është një rebus që na penalizon, por nuk e zgjidhim ne. Ne duhet të qëndrojmë “te delet tona”, siç thotë një shprehje franceze.  Që do të thotë se padijenia e Tiranës për fatin e integrimit të vendit  nuk duhet të shërbejë për të mos kryer detyrat e shtëpisë, të cilat i shohim të shprehura shumë qartë te lista e nëntë kërkesave të Bundestagut gjerman. Shqipërisë i duhet për vete, për demokracinë  dhe zhvillimin e saj pikësëpari  rikthimi  në punë i Gjykatës Kushtetuese, përfundimi i ngritjes së organeve të reja të drejtësisë, votimi i reformës zgjedhore, hetimi i krimeve zgjedhore,  e tjerë. Por përmes përmbushjes një për një të kërkesave të një vendi mik që lobon për ne siç është Gjermania, Shqipëria investohet e   imponohet fort në Europë për të marrë hapjen e negociatave.

E panjohura tjetër: A do të ketë  zgjedhje  të parakohshme  këtë vit? Mbështetësit e opozitës  shpresojnë, madje edhe besojnë se do të ketë me arsyetimin  bazë se “nuk mund të vazhdohet më tej  kështu”. Opozita mban politikën “duam, por nuk e kemi ne në dorë, ndaj le të vijojë  kalbëzimi i qeverisë”. Ka ndërkaq  një opinion ndërpartiak që i sheh zgjedhjet  e parakohshme  si  valvul shkarkimi për krizën dhe si zgjidhja për të rikthyer normalitetin demokratik të cenuar nga  dalja e opozitës jashtë institucioneve. Madje disa analistë ia atribuojnë  kryeministrit Rama një ide të tillë. Nëse do ti besonim sado pak skenarit të provokimit të zgjedhjeve të parakohshme nga vetë Rama, do të duhet të shtojmë se ky skenar kërkon negocim.

Rama nuk mund të  befasojë me  zgjedhje të parakohshme pa  pasur një dakordësi paraprake për pjesëmarrjen e opozitës.  Përndryshe, çfarë do ti vlenin? Nga ana tjetër, opozita vështirë se do të  shkonte të përplasej me zgjedhjet  me “ku rafsha mos u vrafsha”, me të njëjtin  sistem zgjedhor, të  cilin e ka në disfavor  dhe pa sondazhe plotësisht të besueshme që  do të flisnin për rritjen e saj në nivelin e një alternative fituese.

Zgjedhjet e parakohshme, të negociuara, janë realisht rrugëzgjidhja për të kthyer normalitetin e zhvillimeve demokratike dhe për t’i dhënë impulse mekjes ekonomike. Për shumë arsye, që nisin me sfidën e rindërtimit të banesave të prishura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar dhe  përfundojnë me paqartësitë e rezultatit, gjasat për t’u bërë janë më të vogla se gjasat për të mos u bërë. Ndërkaq, një forcë madhore që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme do të ishte  produkti i reformës në drejtësi, nëse të akuzuarit dhe të dënuarit nga radhët e shumicës  qeveritare janë të tillë që  e bëjnë të pamundur vazhdimin e legjislaturës. Rebusi edhe në këtë temë mbetet i  madh gjithsesi.

Zhvillimet përgjatë vitit 2020 do të shënohen ndjeshëm nga funksionimi i SPAK, BKH- dhe Gjykatës  Speciale. E sigurtë është se ky është viti i parë i produktit të drejtësisë së re. Njerëzit presin që ligji dhe drejtësia të godasin në sferat e larta. Ky është premtimi që kanë marrë  nga SHBA, BE dhe shumë vektorë politikë e institucionalë  në vend që nuk janë përfshirë në afera korrupsioni e  keqbërjeje ndaj vendit. A do të ndodhë?  A do vijojë establishmenti shumëvjeçar , apo veprimi i drejtësisë do ta çajë atë?  Pavarësisht se establishmenti do të vijojë të bëjë çmos për të mbijetuar e devijuar goditjet e drejtësisë së re, përgjigja më logjikë dhe  më afër së vërtetës  së pritshme është kjo: Ligji do të veprojë fuqishëm në sferat e larta ku nuk ka shkelur deri sot. Nuk mund të mos veprojë. Përndryshe pse do të bëhej gjithë ky investim  dhe gjithë kjo reformë  në drejtësi? Nuk mund të ndodhë të mos hetohen  gropat e mëdha të privatizimeve dhe mandej ri shtetëzimeve të disa ndërmarrjeve strategjike siç janë Armo,  ÇEZ Shpërndarja e tjerë. Nuk mund të  ndodhë të mos hetohen koncesionet me radhë, ku s’kanë rreshtuar akuzat për korrupsion në përmasa të mëdha. Aty ku nuk ka krim ,kjo është e domosdoshme për trasparencë. Lista e të panjohurave është më e gjatë se kaq, por u ndalen të tre fusha  që ngërthejnë një pritshmëri të madhe. Për t’u kthyer ku e nisem: ngjarjet në politikë vërtetë zbulohen duke ndodhur. Por faktori politik njerëzor ndërkaq nuk është në pasivitet dhe në fatalitet përkundrejt zhvillimeve. Ai ka shumë në dorë për të bërë mirë. /

Gazeta Liberale