Pse u zhdukën Neandertalët? Një version që lidhet me zjarrin. …

12 nentor  2020

Neandertalët u zhdukën për shkak se nuk arritën të shfrytëzonin fuqinë e zjarrit siç bënë të afërmit e tyre, Homo Sapiensit? Po të kishin përdorur zjarrin për gatim ata do të kishin marrë më shumë kalori nga e njëjta sasi ushqimit? Kështu, me kalimin e kohës, Homo Sapiensët (njerëzit e sotëm) u shtuan, ndërsa popullsia Neandertale shkoi drejt shuarjes?

Kjo është hipoteza më e re që u paraqit në takimin e 80-vjetorit të Shoqërisë Amerikane të Arkeologjisë në Boston për një nga misteret më të mëdha të historisë njerëzore, zhdukja e Neandertalëve rreth 40.000 vjet më parë.

Ata kishin jetuar në kontinentin europian për qindra mijëra vjet, ndërsa Homo Sapiensat migruan aty rreth 45.000 vjet më parë, dhe pas një hapësirë ​​relativisht të shkurtër kohe (5.000 vjet) Neandertalët u zhdukën.

Ardhja e Homo Sapiensave duket se lidhet me zhdukjen e Neandertalëve, por shkaku i saktë ka qenë prej kohësh çështje debatesh. Disa thonë se Neandertalët, që jetonin në grupe të vegjël, e patën të vështirë për t’u integruar, ndërsa shkencëtarë të tjerë kanë propozuar se Homo Sapiensat i kanibalizuan (i hëngrën) ata.

Çështja e zhdukjes së tyre është shumë komplekse, dhe e pazgjidhur.

Një dallim i madh mes Neandertalëve dhe  Homo Sapiensave mund të kenë qenë zotërimi i zjarrit, i cili përveç ngrohjes, mundëson gatimin e ushqimit. Zjarri vret bakteret, dhe  ndërron natyrën e proteinave, që do të thotë se trupi mund të shfrytëzojë më shumë kalori nga e njëjta sasi ushqimi.

Disa fosile sugjerojnë se Neandertalët përdorën zjarr, por jo vazhdimisht. Për shembull, Neandertalët banuan në jugperëndim të Francës për dhjetëra mijëra vjet. Fosilet e zbuluara përmbajë vegla guri dhe kocka kafshësh, por pothuajse asnjë provë për përdorimin e zjarrit.

Është e vështirë për të nxjerrë konkluzione. Ende nuk dihet se me çfarë saktësisht ushqeheshin Neandertalët; a hanin ata bimë, mish apo ishin edhe kanibalë? Sepse këto mund të kenë ndikuar (në një drejtim a një tjetër) efektet e zjarrit në mbijetesën e tyre.

a.s/dita