Shuhet në moshën 95-vjeçare kompozitori i shquar, Nexhmedin Doko
2 Shkurt 2024
Është shuar në moshën 95-vjeçare, Nexhmedin Doko, kompozitori i shquar, autor i shumë këngëve të muzikës së lehtë dhe teksteve shkollore.
Nexhmedin Doko lindi në vitin 1929, në qytetin e Beratit. Në vitin 1950 përfundoi me rezultate të larta Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Prof. Doko ishte “produkt” i Konservatorit të njohur rumun “Ciprian Porumbescu” (kompozitori i muzikës së himnit kombëtar), ku vijoi studimet në dirigjim dhe kompozim (1958-1962).
Kompozimet e tij janë interpretuar nga këngëtarë të njohur si Vaçe Zela, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi, Zija Saraci etj. Ka marrë pjesë në disa nga festivalet e këngës ku ka fituar edhe çmime. Krijime të Nexhmedin Dokos janë midis të tjerave këngët “Kur jam pranë teje”, “Rini e Zjarrtë, etj., si edhe operetën “Dritë dhe këngë”.
Gjithashtu Nexhmedin Doko ka shkruar edhe tekste mësimore muzike. Pas goditjeve të sistemit komunist në fushën e artit dhe kulturës (1973-1974), Nexhmedin Doko u mënjanua thuajse totalisht nga sistemi, në kuadër të luftës famëkeqe të klasave dhe shumë nga krijimet e mëpasshme të tij nuk patën fatin të bëheshin publike, duke e lënë të cunguar CV-në e tij muzikore, fat i hidhur që shoqëroi shumë krijues e artistë të spikatur që jetuan në periudhën e diktaturës komuniste.
Pjesë nga krijimtaria e Nexhmedin Dokos:
1. “Rini e zjarrtë” – Festivali i XIII-të i këngës RTSH – 1974
2. “Takim i brezave” – Festivali i XII-të i këngës në RTSH – 1973
3. “Festë në malësi” – Festivali i VI-të i këngës në RTSH – 1967
4. “Kur jam pranë teje” – Festivali i IV-t i këngës në RTSH – 1965
5. “Kthim nga fusha” – Festivali i III-të i këngës në RTSH – 1964
6. “Nëse ti mua më pyet” – Festivali i II-të i këngës RTSH – 1963
7. “Kënga e inxhinieres” – Festivali i I-rë i këngës RTSH – 1962
8. Opereta “Dritë dhe këngë”.
CNA