Para disa vitesh (mars 2014) ne Muzeut Historik Kombëtar u çel ekspozita e studiuesit, poetit dhe publicistit Novruz Xh. Shehu, “Relikte nga personalitete të shquar të kulturës kombëtare shqiptare”.

Në këtë ekspozitë paraqiten mjete përdorimi ose dorëshkrime apo veshje nga shkrimtarë, artistë, studiues, si Margarita Xhepa, Luftar Paja, Musine Kokalari, etj.
Ideja e autorit është që të japë mesazhin se krenaria dhe lartësia e një kombi është rrezatim i punës krijuese të intelektualëve.
Vetë z. Shehu në fjalën e hapjes u shpreh se: “Kombi arrin lavdi të përjetshme kur lavdëron dhe lartëson një figurë të shquar të vendit të tij”.
Intelektualët janë barometri i vitalitetit dhe progresit të një shoqërie.
Ky kënd muzeal jep në njëfarë mënyre thirrjen për përqëndrim të mëtejshëm ndaj veprës së personaliteteve të kombit shqiptar.
Krahas ekspozitës autori përuroi novelën poetike “Fausti në Tiranë”.

Nevruzi eshte ndare nga jeta, por vepra letrare e tij jeton, po ashtu edhe pervoja dhe konkretisht reliket e grumbulluara jane trashegimi ne familjen e tij. Po publikojme dhe nje interviste qe Novruz Xh. Shehu ka dhene me kete rast.

  • – – – – – – – –
Novrus Shehu: Si i mblodha reliket
nga Fan Noli te Eliza Dushku
 Një kartolinë me shkrimin origjinal të Fan Nolit. Gramafoni i Vaçe Zelës që është përdorur për 20 vjet, dhe që ishte objekti ku ajo regjistronte dhe këndonte këngët e veta dhe pastaj i korrigjonte, por edhe një këmishë me kuadrate nga gardëroba e këngëtares së madhe janë bërë pjesë e një ekspozite me relike të rralla që u çel dje në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita me relike të rralla, sende dhe objekte të personaliteteve të shquara të kulturës, do të qëndrojë për dy ditë e hapur në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita ka për autor shkrimtarin dhe publicistin e njohur Novruz Shehu.

Ai është njëkohësisht edhe autori i dhjetëra intervistave, reportazheve dhe profileve të artistëve të njohur. Shumë prej tyre kanë ndërruar jetë, por kur ishin gjallë, Novruz Shehu ka mundur të mbledhë nga shtëpitë e tyre sende dhe objekte të veçanta, duke i paraprirë prespektivës së një muzeu simbolik të rrallë relikesh. Ekspozita “Relike të personaliteteve të shquar të kulturës kombëtare” është çelur në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar. Koleksionisti Novruz Shehu thotë se origjina e këtij koleksionim, vjen nga pasioni për shkrimet dhe esetë mbi jetën e personaliteteve.


Relike yjesh
Në ekspozitën e Novruz Shehut gjen edhe një aparat të paparacit më të madh në botë me origjinë shqiptare, Jani Jançes. Është aparati që ka fotografuar mbretëreshën e Anglisë dhe Ledi Gagën. Interesante është një frazë e dorëshkrimit të Pjetër Arbnorit në një letër dërguar nënës nga burgu i Burrelit: “Atë kutinë e aluminit të kafes, ndoshta e rregulloj për xhezve, i vë një bisht e ma kryen punën”.

Aty është edhe stilolapsi i papa Gjon Palit të dytë dhuruar Pjetër Arbnorit. Janë dorëshkrimet e Sterio Spases, syzet e Jup Kastratit, reliket e Shaban Demirajt, bizhutë e Edi Luarasit në vitet e rinisë, penda me majë të artë e martires së demokracisë Musine Kokalari, kollarja e mëndafshtë e Havzi Nelës, një orë tavoline e regjisorit Kujtim Spahivlogi. Në këtë ekspozitë janë edhe mjetet e famshme të peshkimit të përdorura nga artisti i madh Kadri Roshi. Është një kuti bizhuterie e Marije Krajës. Janë fustani dhe këpucët e përdoruara në filmin “Koncert të vitit 1936” të Margarita Xhepës e të tjera relike rreth së cilave ruhet një kujtim i veçantë. Për disa prej këtyre kujtimeve shprehet edhe koleksionisti Novruz Shehu në intervistën për “Shqiptarja.com”.

Zoti Shehu, ku e ka orgjinën ky koleksion?
-Kam qenë i pasionuar për jetën e personaliteteve dhe duke shkuar në familjen e tyre kam parë se ata kishin kujtime dhe kënde muzeale të çuditshme, pastaj më lindi ideja që nëpërmjet atyre, të kujtoja që personaliteti, vepra e tyre të kujtohej nëpërmjet objektit.

Vura re shumë objekte interesante që janë dëshmi speciale të ekzistencës së personaliteteve të mëdha të kulturës, si syzet e Jup Kastratit, fustani i Margarita Xhepës, këpucët, e relike të Vaçe Zelës…
-Po. Të gjitha kanë nga një kujtim shumë të veçantë. Manjetofoni i Vaçe Zelës është përdorur për 20 vjet, para ‘90-s. Kjo të kujton vullnetin që kishte Vaçe Zela, e cila para se të ngjiste një këngë në skenë, nëpërmjet manjetofonit e dërgonte dhe  korrigjonte vetveten. Vaçja nëpërmjet manjetofonit regjistronte këngën e vet, të cilën e rregullonte derisa mendonte se do të dilte mirë para publikut. Ndërsa këmishën ma ka dhënë bashkëshorti i Vaçes, kuptohet me mirëkuptimin e saj.

Si munde ta sigurosh aparatin e fotografit të famshëm Jani Jançe?
-Jani Jançe është një nga paparacët më të mëdhenj që ka sot Anglia, nëpërmjet këtij aparati ai ka fotografuar Sharon Ston, Madonën, Mbretëreshën e Anglisë, Ledi Gagën. Mua më dhanë edhe gazetat që ka fotografuar ai me këtë aparat. Pra, ndërsa në botë e vlerësojnë fotografin me origjinë shqiptare, në Shqipëri se njeh njeri fare.

Si munde t’ia shkëputësh Eliza Dushkut reliket që fare mirë mund të ishin në muzeun e Hollivudit?
-Sa erdhi në Shqipëri shkova ta takoja me një autorizim të Ministrisë së Kulturës për t’u atashuar pranë personaliteteve që të shkruaja për ta dhe pasi i kërkova një relike, Liza Dushku ma dha kapelën. Ma dha kur ishte këtu në Shqipëri. Kjo kapele është vënë në një rol të saj. Ajo më dha edhe një shall, për të cilin më tha që “unë e dua shumë”, sepse e ka pasur kujtim të çmuar.

Mendoj se janë të çmuara edhe mjetet e peshkimit të artistit të madh Kadri Roshi.
-Natyrisht prandaj i kam marrë unë se janë të çmuara, por të mos ishin mund t’i kishte një tjetër.

Sa kanë kushtuar këto relike?
-Asnjë lekë. Unë seleksionoj dhe i reklamoj, i ruaj, dhe ata le të ngelen në histori.

Cilat nga reliktet më të dashura?
-Stilolapsi i Papa Vojtilës dhuruar Pjetër Arbnorit. Është edhe stilolapsi i një figure i cili ka bërë bujë sot në botë, i At Zef Pëllumbit. Dhe, unë të vetmen gjë që mund të shkëpus nga reliket është ky stilolaps, që do t’ia dhuroj Berluskonit në shenjë nderimi për gjestin që ai bëri sepse ka botuar 12 milionë vëllime të At Zef Pëllumbit falas. Vetëm atij, tjetër njeriu nuk i jap gjë nga koleksioni im.

Ku ruhet ky koleksion?
-Unë nuk e tregoj vendin, se janë gjëra shumë të çmuara, por theksoj se kam vështirësi në ruajtjen e këtyre relikeve kaq të vyera, sepse vendi ku i mbaj është i ngushtë…

Ekspozita ka larmi mesazhesh dhe origjinalitet

Ekspozita e relikeve të personaliteteve të kulturës të mbledhura nga Novruz Shehu është përcjellë me mbresa dhe lëvdime për autorin e saj. Veçanërisht prof.dr Isuf Kalo u shpreh për “Shqiptarja.com” se: “Më bënë përshtypje larmia e mesazheve dhe mesazhi është polimor. Më pëlqen diversiteti; nuk ka synuar që të ketë diçka përfaqësie, por diçka që na çon tek personaliteti. Kur shikojmë shkopin e Ramadan Sokolit ose objektet e një tjetër personaliteti, kostumet e roleve që kanë luajtur, kanë një mesazh më tepër se çfarë përfaqësonte artisti. Është një gjetje origjinale, këndvështrim i veçantë për të parë të bukurën e popullit tonë dhe për të dhënë një mesazh që njerëzit e çmuar nuk do të vdesin dhe nuk do të harrohen kurrë”.