Zbulohet dokumenti sekret qeveri-banka, me paketën e ndihmës prej 100 milionë euro. Nëse nuk e kthen kredinë qeveria të sekuestron biznesin

Kur nuk arrin ta paguash kredinë-“ndihmë” këtu hyn në punë “tigri” Arben Ahmetaj dhe krejt lukunia e oligarkëve, që pasi ta shqyen gurmazin “tigri”, ata turren dhe marrin krejt lirë pronat e sekuestruara nga qeveria, sepse nuk arrin të paguash kredinë, ku qeveria ti dha për të paguar pagat dhe detyrimet ndaj saj.

09/04/2020

Dalin fakte të reja mbi atë që qeveria thotë se po ndihmon biznesin për periudhën e koronavirusit. Zbulohet dokumenti qeveri-banka (shiko në fund të shkrimit), ku qeveria në kuadrin e gjoja ndihmës ndaj biznesit të thotë merr kredinë për të mbijetuar tani, por më vonë nëse nuk e kthen, të nxjerrë dokumentin e sekuestrimit të pronës.

Ajo që propogandohet si ndihmë e madhe, mbetet thjesht një kurth vdekjeprurës, sepse duke parë marrëveshjen mes bankave dhe qeverisë, nëse biznesi merr kredinë (siç thotë Rama si “ndihmë”) dhe nuk arrin ta paguajë, atëhere qeveria e sekuestron biznesin dhe e shet për të marrë lekët që ajo ka dhënë si “paketë ndihme”.

Marrja e kredisë është për pagat, për kontributet në Sigurime Shoqërore, taksat, detyrimet e tjera ndaj shtetit, pasi me vendim qeverie aktiviteti privat të është bllokuar. Aktiviteti privat nuk ka probleme nga konkurenca apo probleme nga drejtimi privat, por nga situata e sotme prej koronavirusit e ku qeveria nuk të lejon të punosh, gjithçka është paralizuar.

Sipas marrëveshjes qeveri-banka parashikohet që biznesi të përfitojë një financim (kredi) deri në 3 muaj të fondit të pagave, që mund të merret në formë kredie te bankat e nivelit të dytë, ku shteti bën rolin e garantit.

Por kjo është një lojë e pisët qeveritare.

Së pari, biznesi e merr si “ndihmë” këtë racion nga 100 milionë eurot, por të pret sekuestrimi shtetror. Dhe e dyta, qeveria ka në dorë që nesër të bëjë “selektimin e falimentimit”, pra nëse e ke mirë me qeverinë, të zgjat “litarin e vdekjes” ose nëse nuk shikohesh me sy të mirë nga qeveria, të sekuestron, sepse nuk ke paguar “kredinë si ndihmë”!

Gazeta Koha e Jone