Detyrë kryesore e folklorit dhe e folkloristikës është mbledhja dhe studimi i traditave popullore, duke nënkuptuar për traditë jo vetëm besimet dhe opinionin që ka populli i pakultivuar për faktet dhe dukuritë e universit, por edhe zakonet e përditshme, për ceremonitë e festave të ndryshme, si edhe manifestimet estetike të çfarëdo lloji. Kur flasim për zanafillën e folklorit, duhet ta kemi të qartë se ai nuk lind vetëm, por së bashku me elemente të tjera me të cilat është i lidhur, kështu ai lind edhe me elemente që i përkasin etnografisë (zakone, ritet e ndryshme etj.), që i përkasin muzikës, valles etj.