“Flamuri i Kombit Shqiptar; Origjina, lashtësia” është botimi më i ri i shtëpisë botuese “Saras” dhe një kontribut për simbolin kombëtar në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Studiuesi Jaho Brahaj, pas një pune më se 10-vjeçare, duke hulumtuar në arkiva, në artefakte arkeologjike e objekte etnografike, sjell një këndvështrim interesant të zanafillës së shqiponjës dykrenare, simbol që e trashëgojmë edhe sot në flamurin kombëtar. Ky ribotim luksoz(vëllimi i parë i takon vitit 2007), redaktuar nga kryetari i Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë, Bajram Peçi, është pasuruar me fakte të reja interesante dhe me ilustrime të disa prej flamujve historikë që trashëgojmë sot e kësaj dite. Brahaj e çon zanafillën e shqiponjës dykrenare në shek e VI. p.e.s, duke hedhur poshtë pretendimet që e lidhnin këtë simbol me prejardhjen bizantine. Jaho Brahaj nuk e quan këtë një vëllim të përfunduar, megjithatë, ky është vëllimi i parë që hulumton në përmasa të tilla origjinën dhe lashtësinë e flamurit kombëtar.
“Flamuri i Kombit Shqiptar; Origjina, Lashtësia” vjen si një ribotim luksoz nga shtëpia botuese “Saras”. Cila ishte shtysa për të bërë këtë studim mbi flamurin tonë?
Në vitin 1997 unë kam botuar librin e parë që i kushtohej heraldikës së trashëguar, “Emblema shqiptare”. Atëkohë kisha dyshime për ta botuar, por profesor Dhimitër Shuteriqi më këshilloi se ishte momenti i duhur dhe kishte të drejtë. Libri u prit mirë, i vlerësuar edhe me një çmim nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave për librin historiko-shkencor. Pjesë e këtij libri ishte edhe një kapitull i shkurtër mbi historinë e flamurit shqiptar, ndaj edhe më lindi dëshira të gjurmoja në arkiva dhe materiale të ndryshme për të krijuar një studim më të plotë. Kërkimi vazhdoi përgjatë 10 vjetëve, deri më 2007 kur arrita të botoj variantin e parë. Ky ribotim që kemi në dorë, është i plotësuar me fakte të reja. Mjafton të përmend që botohet për herë të farë si fotografi harta “Portollane” e Paolo Rosellit e vitit 1459, ku duken portet e Mesdheut dhe në çdo qytet ka flamuj. Flamurin shqiptar e gjejmë në Krujë, duke na dhënë kështu dëshmi autentike se si ka qenë flamuri i Skënderbeut në kohën kur ishte gjallë, pavarësisht se sot nuk e kemi si objekt fizik.
Në fakt, për të prekur boshtin e librit, cila është sipas jush origjina e flamurit shqiptar?
Të flasësh për shqiponjën tonë dykrenare nuk është shumë e lehtë sepse ka pasur shkrime të ndryshme sidomos nga fillimi i shek. XX, por edhe në vazhdimësi që ia atribuonin shqiponjën dykrenare të flamurit tonë Bizantit. Është e vërtetë që Bizanti në shek. IX të erës sonë e këtej ka shqiponjën bizantine në simbolet heraldike, po ashtu e pati edhe kisha ortodokse. Kur u futa në pasurinë e madhe arkeologjike, kultike, gdhendjet artizanale të së shkuarës, na rezultoi që ne(ilirët) e kemi të paktën të dokumentuar saktësisht shqiponjën dykrenare që në shek VI para erës së re shqiponjën dykrenare. Kjo nuk do të thotë se e kishin vetëm ilirët, sepse e gjejmë edhe te hititët, një perandori që e kanë pasur shtrirjen e tyre në Turqinë e sotme, e po ashtu e kanë pasur edhe iranianët.
Çfarë i dallonte këto shqiponja?
Ne si popull vazhduam ta ruajmë dhe ta mbajë në ornamente, objekte metalike, arkeologjike, ta kemi si kult. Bizanti e ka marrë si simbol nga ato popullsi mbi të cilat u shtri dhe u zhvillua. Pjesë e Bizantit ishte edhe popullsia ilire ballkanase, e duke qenë se ne e kemi të dokumentuar shqiponjën dykrenare në shekullin VI, mund të thuhet se Bizanti e mori nga ne. Ajo ka qenë bashkudhëtare gjatë periudhës historike nga shekulli VI p.e.s deri në ditët e sotme, periudhë kjo e dokumentuar, por mund të ketë qenë edhe më parë tek ilirët. Fati e solli që ky objekt i dashur të ishte emblemë e derës së Kastriotëve, paraardhësve të Gjergj Kastriotit, ashtu siç thotë Barleti. Duke qenë se në mbledhjen e princërve shqiptarë në 2 mars 1444 Skënderbeu u vendos komandant i përgjithshëm, atëherë flamuri ishte edhe flamuri i të gjitha forcave administrative ushtarake të arbërve e prej këtu fillon të jetë flamur përfaqësues i kombit shqiptar, për të mbërritur në ditët e sotme.
Ju folët më lart për një ndryshim të formës grafike të shqiponjës ndër vite. Çfarë e ka kushtëzuar këtë gjë?
Rilindjes shqiptare i kanë rënë detyrat nga më të ndryshme kulturore, shtetformuese etj,. Një nga këto probleme ishte edhe forma grafike e shqiponjës së flamurit tonë, e trashëguar nga dera e Kastriotëve. Meqenëse në atë periudhë kur donin të afirmonin shtetit tonë, shqiponjën dykrenare e kishte Perandoria Austro-Hungareze, Rusia, Serbia, Mali i Zi, Kisha Ortodokse dhe e ashtuquajtura Lidhje e Shenjtë Romake, rilindësve u doli detyra ta zgjidhnin këtë çështje, ndaj ata e ndryshuan shqiponjën për ta bërë të dallueshme nga këto shenja të shteteve të tjera që ishin afirmuar zyrtarisht me flamujt e tyre në fundin e shek XIX dhe fillimin e shek. XX. Shqiponja e Faik Konicës arriti që të ngrihet më 28 Nëntor 1912. Faktorët dhe kushtet historike ishin shumë të vështira dhe na sollën vështirësi edhe në këtë drejtim. Fuqitë e Mëdha caktuan që princ në Shqipëri do të ishte Vidi dhe ai me të drejtën konstitucionale që kishte, ndryshoi edhe flamurin. Sapo filloi të afirmohej shqiponja e Princ Vidit plasi Lufta e Parë Botërore, e cila solli një ndryshim edhe më të madh, duke gjetur një balancë mes shqiponjës së vitit 1912 dhe asaj të Princ Vidit. Pati forma nga më të ndryshme të shqiponjave dykrenare, periudhë e cila vazhdoi deri më 1922 kur kemi për herë të parë nga administrata shtetërore e rikrijuar pas Ismail Qemalit që ka akt administrativ për formën grafike të shqiponjës sonë kombëtare.
Sot vazhdon të ketë një diskutim të hapur për flamurin që është ngritur në Vlorë më 1912. Cila është teza jote në këtë pikë?
Se cili është flamuri që u ngrit në aktin e kuvendit të pavarësisë, kjo vazhdon të mbetet një çështje e hapur. Unë kam dokumente që mbështesin njërën tezë, por duket se ky diskutim tashmë është kthyer në problem pasionesh se sa i bazuar në dokumentacion. Për sa i përket formës së shqiponjës dykrenare nuk ka dyshime, pasi kemi dokumentin zyrtar të qeverisë së Vlorës që e ka botuar në gazetën e saj, e ku bëhen edhe shpjegimet përkatëse, duke treguar se fotografia bardhezi paraqiste edhe disa vijëzime të cilat nuk ishin të vërteta në flamur. Ne e dimë saktësisht se cila është forma e flamurit dhe ajo që na intereson në këtë debat forma grafike e shqiponjës, pavarësisht se ende edhe në këtë rast nuk e trashëgojmë këtë flamur.