Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Paqartesite e socialisteve

Shkruar nga: Endri Xhafo  
Botuar më: 14 vite më parë

Endri Xhafo
Paqartesite e socialisteve

Kohët e fundit, diskutimi politik i Partisë Socialiste është bërë i paqartë. Mbushur me sofizma, fjala e udhëheqjes socialiste e ka vështirësuar në maksimum deshifrimin e aksionit politik, veçanërisht në lidhje me zgjedhjet e 8 majit. "Ju garantoj se bojkoti i zgjedhjeve vendore nuk ka qenë kurrë një opsion i yni", - i shkruante javën e shkuar kryetari Rama, Presidentit Topi, për të shtuar pak më poshtë se, "në kushtet e sotme, zgjedhjet thjesht nuk mund të bëhen".

Kushtet e sotme, ashtu si i përshkruan zoti Rama, ku "vota e vjedhur ka sjellë në pushtet një qeveri të papërgjegjshme që nuk e ndjen për detyrë të japë llogari përpara popullit të vet, sepse mund tia vjedhë votat kur ti duhen, vjedhja e vazhdueshme e pasurive kombëtare, korrupsioni galopant me bllok në dorë, vrasja e qytetarëve të pafajshëm në një demonstratë ku dhuna u provokua nga policia", të tëra këto në fakt duhet ta çojnë logjikisht popullin në një plebishit pakënaqësie kundër qeverisë, aq sa çdo manipulim do të ishte i pamundur për ta ndryshuar rezultatin. Në këtë logjikë, Partia Socialiste duhet të ishte e para e interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve. Veç nëse synon, si në një lojë pokeri pa limit, të luajë një dorë all-in, duke tentuar fitoren maksimale, por me riskun për të humbur gjithçka.

Një gjë të ngjashme synoi lidershipi socialist në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, kur nëpërmjet hartimit të listave për deputetë tentoi "pastrimin" e partisë, fitoren në zgjedhje dhe mbizotërimin e të majtës. Nga kjo ambicie e trefishtë nuk arriti veçse konsolidimin e përkohshëm të pushtetit personal në parti, sepse në gropën që tentoi ti ngrinte LSI-së, ra vetë:

Aleanca e refuzuar parazgjedhore me LSI-në e la Partinë Socialiste në opozitë, ndërkohë që Ilir Meta erdhi në pushtet si kingmaker, i faktorizuar në vijim si nga të qenët në pushtet, edhe nga vetë Kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit po e përdor Ilir Metën për të dobësuar pozitat e Edi Ramës brenda Partisë Socialiste, sepse e ka të qartë se Ilir Meta në krye të LSI-së nuk do të mundet kurrë ti kthehet në kërcënim. Kësisoj, LSI-ja, besnike e arsyes së krijimit të saj, po vazhdon të mbetet streha e të pakënaqurve të Partisë Socialiste si Vangjel Tavo, Ylli Manjani, Durim Hushi, Ilir Kokona, ndërkohë që brenda vetë selisë rozë, Ben Blushi, Kastriot Islami, Andis Harasani, Arben Malaj, Marko Bello apo Bashkim Fino nuk mund të konsiderohen si "besnikë" të kryetarit.

Në fakt, fill pas ngjarjeve të 21 janarit që radikalizuan situatën, në Partinë Socialiste besuan sinqerisht se zgjedhjet lokale nuk do të mund të mbaheshin. Pakënaqësia e përgjithshme dhe radikalizimi i situatës pas vrasjes së katër qytetarëve të pafajshëm ishin një rast i mirë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme. Por, i pari Presidenti i Republikës dhe më pas partnerët ndërkombëtarë ia ftohën sadopak opozitës këtë hov të lojës, duke deklaruar ose mosshtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale, ose refuzimin në këto momente të zgjedhjeve të parakohshme. Madje amerikanët, siç u shpreh zv/sekretari i Shtetit, Steinberg, presin "me kënaqësi zgjedhjet vendore në maj".

Kjo nuk është, megjithatë, kaq e lehtë. Mbajtja e tyre në mënyrë korrekte është kompromentuar nga bllokimi gradual i KQZ-së, bllokim që do të jetë total sa më shumë afrohet 8 maji dhe afatet ligjore vazhdojnë të shkelen njëri pas tjetrit.

Në shkelje të hapur të afateve, ligjore Partia Socialiste dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kanë refuzuar të dorëzojnë deri tani listave e komisionerëve për KZAZ-të, komisione zonale që administrojnë realisht zgjedhjet ditën e votimit. Duke qenë se në gjysmën e këtyre komisioneve shumicën prej 7 anëtarësh e ka opozita, KQZ-ja ka shpallur me një procedurë ekstraligjore, vende vakante për tu zënë nga persona jashtë politikës. Por, opozita ka "tërhequr" edhe 3 anëtarët e saj në Komisionin Qendror, të cilët, në bazë të Kodit Zgjedhor duhej të ishin shkarkuar për mungesën "pa shkaqe të arsyeshme" në më shumë se dy mbledhje radhazi. Por shkarkimi i tyre kërkon një shumicë të cilësuar prej 5 votash, ndërkohë që votat në KQZ janë të ndara në 4 me 3. Pa folur pastaj se çdo shkarkim i një anëtari të KQZ-së kërkon zëvendësimin e tij nga forca politike që e ka propozuar, gjë që PS-ja do ta refuzonte. Kësisoj, do të gjendeshim prapë në një situatë që nuk do ti jepte zgjidhje kuorumit të cunguar të KQZ-së.

Sigurisht, mungesa e këtyre 3 anëtarëve të KQZ-së nuk e frenon mbajtjen e zgjedhjeve më 8 maj (sepse, mandatin kryetarëve të bashkive dhe komunave dhe komisionerëve të këshillave, ua japin KZAZ-të, që mendohet të plotësohen), por bllokimi do të jetë total kur KQZ-së do ti duhet të nxjerrë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, shpallja e të cilit bëhet sërish nga një shumicë e cilësuar prej 5 votash. Ndaj, zoti Rama ka të drejtë kur thotë se "pa ne nuk ka zgjedhje".

Por sofizmat në deklarimet publike po krijojnë prej disa kohësh përshtypjen se Partia Socialiste nuk e di se çdo. Së fundi, në Elbasan, po atë ditë që u takua me zv/sekretarin amerikan Steinberg, Edi Rama deklaroi se nuk ka ndër mend të bëjë realitet ëndrrën e Kryeministrit për bojkotin socialist të zgjedhjeve. Pavarësisht se ky pohim është i pabazë, sepse Kryeministri Berisha është i fundit që mund të nxjerrë përfitim nga bojkoti socialist dhe radikalizimi i tërë jetës politiko-shoqërore që mund të rrjedhë nga kjo, e vërteta është se strukturat bazë si të Partisë Socialiste, edhe të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut i kanë gati listat e komisionerëve të KZAZ-ve. Po ashtu, nga selia rozë është pranuar mundësia e rikthimit të 3 anëtarëve të larguar në mbledhjet e KQZ-së. Në pamundësi për të provokuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, opozita duket se po kërkon garanci për zgjedhjet e 8 majit.

Zoti Ruçi ka kërkuar lista të pastra zgjedhore, karta të besueshme identiteti dhe riformatim të KQZ-së. Një situatë e ngjashme me zgjedhjet lokale të vitit 2007, ku PS-ja luajti fort deri në fund për ti marrë mazhorancës maksimumin e lëshimeve. Por ndërsa listat kësaj here janë autogol, sepse pastrimi i tyre nga dublimet është kompetencë ligjore e pushtetit vendor, ku socialistët kanë shumicën e bashkive të qyteteve të mëdha, riformatimi i KQZ-së kërkon një ndryshim të Kodit Zgjedhor. Por edhe këtu i takon Partisë Socialiste të dalë nga shurdhëria me të cilën është rrethuar përkundrejt tërë kërkesave që vijnë për reforma zgjedhore.

Së fundi, shumë interes ka edhe emri i kandidatit socialist për bashkinë e kryeqytetit. Hezitimi që duket se ka ripushtuar Edi Ramën për të rikandiduar, më shumë sesa frikë nga kundërshtari, është tregues i paqartësisë në të cilën përkundet tani Partia Socialiste.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama