E bërë kështu, kjo duket një pyetje provokative, në momentin kur faqet e shtypit janë mbushur me emra kandidatësh vendorë. Në parim nuk ka më vend që të dyshosh se në Shqipëri do të ketë zgjedhje, e jo zgjedhje të parakohshme parlamentare, por zgjedhje administrative. Deri këtu provokacioni duket i tepërt e jashtë kohe. Por pyetja ka edhe një kuptim tjetër, pak më të kamufluar. A ka mundësi që në kushtet aktuale, zgjedhjet lokale të jenë vërtet lokale? Ndoshta e shtruar kështu, pyetja ka pak më tepër kuptim dhe vlen të analizohet.
Precedenti i zgjedhjeve të fundit lokale krijoi stereotipin e një fushate elektorale atipike. Kreu i njërit prej koalicioneve të mëdha, Edi Rama, ishte njëherësh kandidat në garë. Dhe kur përballë tij kandidoi ministri i Brendshëm i kohës, kjo e ktheu fushatën në një lloj referendumi politik të qeverisjes kombëtare, e jo në një garë të fokusuar në hallet e përditshme të Tiranës. Ka shumë mundësi që edhe më 8 maj të kemi të njëjtën situatë. Një përplasje ku s’do të jetë në lojë shtimi i sipërfaqes së blertë të parqeve të qytetit dhe as shtimi i kazanëve të mbeturinave anash rrugëve, por fati i pushtetit të nesërm politik.
Ky është një mutacion i dhunshëm, negativ, por tashmë faktik. Mesa duket, ky qytet është i dënuar të votojë njëherësh, jo vetëm qytetarin e parë të tij, por edhe Kryeministrin e nesërm të tij. Kjo ka qenë një zgjedhje e kushtëzuar jo vetëm nga vetë Rama, por tërthorazi, po aq edhe nga Berisha, me sjelljen e tij politike.
Në këto kushte, tingëllon e vështirë, thuajse e pamundur, të konkludosh që zgjedhjet lokale do të jenë vërtet lokale. Sepse ato duket se i rrinë mjaft ngushtë tashmë indit të tendosur të shoqërisë shqiptare në momentin e vështirë që po kalojmë. I mbingarkuar për dy vjet rresht me logjikën e lodhshme të një krize thellësisht politike, ambienti shqiptar ka pak ose aspak vëmendje te problematika dhe mesazhi që këto zgjedhje sjellin me vete natyrshëm.
Gara për pushtetin lokal tingëllon sot në thelb sureale dhe e tejkaluar, sepse vendi ka një krizë tjetër më të madhe për të zgjidhur. Nëse është njerëzore dhe krejt e natyrshme që të ketë një debat serioz mbi projektet lokale për menaxhimin e territorit, taksave vendore, trafikut kaotik, cilësisë së ajrit që thithim, përdorimit të drejtë të sipërfaqeve të ndërtimit, në përgjithësi për nivelin e shërbimeve për komunitetin, sot ndodhemi në një konflikt shumë më të madh e kompleks, i cili nuk është më as i sajuar dhe as imagjinar.
Prej dy vjetësh është në pikëpyetje funksionimi normal i qeverisjes qendrore; e cila është më e rëndësishme, në çdo kombinacion të imagjinueshëm, sesa ajo lokale. Me Parlamentin në kolaps dhe të kontrolluar pa asnjë elegancë e skrupull nga mazhoranca, me institucionet në konflikt total me njëri-tjetrin, me një shkallë të frikshme antagonizmi politik mes partive të mëdha dhe ngjarjen e 21 Janarit në mes, gjilpëra e krizës tregon jo më takimin elektoral të radhës, atë të 8 majit, por shumë përtej tij. Presioni ndërkombëtar po e fut në hullinë kalendarike formale këtë krizë. Por vetëm formalisht ama, sepse në praktikë palët duken aq larg njëra-tjetrës, sa duhet shumë fantazi që të imagjinosh se ato do të kufizohen në një përplasje idesh që lidhen me kanalizimet e ujërave të bardha, apo me cilësinë e pllakave me të cilat do të shtrohet bulevardi qendror i qytetit.
Zgjedhjet lokale do të mbahen, por ka pak gjasa që të dëgjojmë të flitet realisht për to deri më 8 majin e ardhshëm. Retorika e Kuvendit paralajmëron dhunë verbale me sfond ekskluzivisht politik, jo garim të qetë kandidatësh të mirë, të dalë nga komuniteti, që do na shtrojnë kalldrëmet e rrugicave apo do na pastrojnë oborret nga mbeturinat. Aty ku bien topat, nuk dëgjohen pushkët, thotë fjala e urtë.