Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Lajmet e keqija te nje fushate

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 10 vite më parë

Skënder Minxhozi
Lajmet e keqija te nje fushate

Poterja mbarëkombëtare për skandalin Doshi-Frroku tashmë u shua. Me të njëjtën lehtësi me të cilën nisi, ajo ia la vendin në ditët e fundit, normalitetit politik, i cili ka si kryefjalë të tij këto orë temën e zgjedhjeve lokale. Më në fund, skenarët televizivë me killera dhe tritol ia lanë vendin gossip-it mediatik të emrave të kandidatëve të mundshëm për 61 bashkitë e vendit.

Tashmë kemi një panoramë të qartë emrash, për ata që do të garojnë mes tyre më 21 qershor. Nga gara është larguar Lulzim Basha, kurse Agron Duka nuk do të jetë kandidat në Durrës. Nga ana tjetër, nuk do ketë as largim të kryebashkiakëve të “lashtë” të PS nga garimi, ashtu siç krijoi iluzionin, javë më parë, dorëheqja e kryetarit të Bashkisë së Pogradecit.

Rama ka pasur këto ditë sfidën jo të lehtë, të qetësimit të shpirtrave të trazuar të një shumice jo më aq të hareshme sa dy vjet më parë, kurse Bashës iu desh të gjejë një listë kandidaturash të pranueshme, pa ia hequr sytë axhendës së Berishës, por edhe duke tentuar të filtrojë sa më shumë emra nga lista e tij (gjithnjë, me miratimin e Doktorit)! Palët kanë markuar njëri-tjetrin, më shumë sesa kanë menduar për të kandiduar profile të përshtatshme dhe me programe konkrete, për zgjidhjen e problemeve konkrete të njësive ku ata kandidojnë.

Le ta nisim me lajmet e këqija, pasi të mirat nuk përbëjnë “lajm”, siç thuhet në gjuhën e medias. Tashmë është zyrtare: nisma e Ramës për të pastruar qeverisjen e majtë nga “xhaketat e kthyera”, pasi ka të tilla edhe aty poshtë, në pushtetin vendor, duket se nuk pati sukses. Kur Artan Shkëmbi jepte dorëheqjen nga Bashkia e vogël e Pogradecit, më 23 shkurt, shumëkush e lexoi këtë ikje në fund të mandatit, si një sinjal që kreu i shumicës u jepte kolegëve të Shkëmbit. Nga Gjirokastra në Vlorë, nga Elbasani në Durrës. Sot dimë se ky operacion (jo vetëm) estetik i PS, mbeti gjysmak. Ka ikur Bime nga qyteti i gurtë, është penguar të kandidojë Gjika në Vlorë, nga andrallat me drejtësinë ku ndodhet, iku dhe Zeqo nga Fieri, por nuk kanë lëvizur nga vendi as Sejdini në Elbasan, as Dako në Durrës. Ata do të jenë sërish në garë, për një mandat të tretë në krye të qyteteve të mëdha që drejtojnë aktualisht. Një notë e stonuar, apo një shans i shtuar për fitore?! Më shumë e para se e dyta. E sigurt është se edhe mandati i tretë i Ramës në Tiranë, nuk mbahet mend për mirë.

Rama dhe Basha kanë pasur nyjat e tyre gordiane për të zgjidhur gjatë ditëve të fundit, në këtë stinë bisedimesh që janë zhvilluar, siç pritej, larg forumeve dhe pranë klaneve e grupimeve. Ata që besonin te dekriminalizimi, edhe në pushtetin vendor, duhet t’u hedhin edhe një sy tjetër listave. Me siguri që kanë për të rrudhur buzët në më shumë se një rast!

Kjo para-fushatë nxori edhe një herë në pah se në PD vijon të drejtojë projekti i vjetër politik, bashkë me autorin e tij historik. Dualizmi Basha-Berisha nuk ka qenë kurrë më i qartë, sesa në negociatën absurde për Durrësin, ku kryetari i opozitës u përfshi për të futur në garë Agron Dukën, kurse ish-kryetari e bllokoi atë në prag të zyrtarizimit. Opozita e di fort mirë se ka fare pak shanse që të rifitojë Tiranën. Por di gjithashtu se i vetmi qytet i madh që ajo mund ta sulmonte dhe të fitonte, ishte Durrësi. Jo vetëm për shkak të indit të djathtë që ka një pjesë e madhe e elektoratit durrsak, por edhe për shkak të hartës së re administrative, si dhe të konsumit të kryebashkiakut aktual. Zhvillimi i ngjarjeve, rrezikon t’ia pakësojë dukshëm avantazhet që kishte në letër.

Mënyra sesi u menaxhua përzgjedhja e kandidatit të opozitës në qytetin bregdetar, është një “harakiri” elektoral ekzemplar. Dalja publike e aleatit historik, Partisë Republikane, në favor të deputetit të saj, Duka, e pasuar nga shpallja (ose vetëshpallja) e disa emrave të tjerë me kalimin e ditëve, si dhe pavendosmëria e Bashës për t’i dhënë drejtim një situate në kufijtë e groteskut, provokoi një plasaritje të dukshme në projektin e fitores së djathtë në Durrës. Kandidimi i minutës së fundit, Grida Duma, i dha fund kaosit me një figurë politike të ashpër, por pa produkt dhe relativisht të lehtë në peshoren e zgjedhjeve. Duke e lënë të hapur dyshimin mbi reagimin e bazës demokrate ndaj saj, pa llogaritur sjelljen e Agron Dukës gjatë fushatës.

Nga ana tjetër, mund të thuhet se kryeopozitari nënshkroi një tjetër kapitull të palavdishëm, me hemorragjinë e aleatëve që opozita pësoi në javët e fundit. Basha ia “doli” të bëjë kundër vetes madje edhe një bashkëpunëtor të vjetër si Arben Tafaj, i cili përgatitet të marrë vota të djathta, duke garuar si kandidat i pavarur për Tiranën. Kjo e aleancave nuk është një fitore e shumicës, sesa një humbje e opozitës, që mund të ketë një peshë jo të vogël në rezultatin e 21 qershorit. Dhe si e tillë, mund t’i vijë jo pak në ndihmë një qeverisjeje që vjen në këto zgjedhje plot probleme, me një barrë reformash të dhimbshme, por edhe me qetësinë e një opozite të përçarë dhe të pafuqishme përballë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama