Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të vras, se të dua!

Shkruar nga: Aranita Brahaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Aranita Brahaj
Të vras, se të dua!

Të kam shtëpi, të kam atdhe…! Kush ka dëgjuar për herë të parë refrenin e kësaj kënge të Gerta Hetës, në fillim rëndom mund të ketë menduar se artistja ka hartuar një baladë për shqiptarët që jetojnë larg në emigracion, dikush tjetër mund të mendojë se refreni është gjetje e ndonjë spoti publicitar për ndonjë platformë gjithëpërfshirëse. Po të dëgjosh me vëmendje tekstin e këngës, nga fillimi deri në fund kupton se “atdhe”, “shtëpi”, është njeriu me të cilin personazhi i këngës është dashuruar.

Me leksikun më dedikues për një dashuri, më fjalë e atribute të romantizmit më të bukur në letërsinë tonë, me figura krahasimore sublime, vajza rreth të tridhjetave, ka kënduar për një dashuri për të cilën shumë tridhjetëvjeçarë bashkëkohës e kanë të vështirë të besojnë se ekziston. Por është bukur të mendosh se dikush e ka këtë ndjesi shenjtërie, është shpresëdhënëse të kuptosh që, mes radhëve tona, ekziston vajza apo djali që dashuron për t’u shprehur me fjalë kaq fisnike.

Ndërkohë, antropologjia jonë sociale lë shumë për të dëshiruar. Askush nuk do t’i dedikonte një analizë të tërë një kënge dashurie e një refreni përkushtimi, si ai i Hetës. Për fat të keq, edhe në këtë shkrim është rasti për të artikuluar më të bukurën e më pas për të kaluar tek ekstremi, që është profil i një tipologjie krimi të shëmtuar. Vrasje posesive me sfond xhelozinë dhe egoizmin. Në javët e fundit, në kryetitujt e shumë gazetave, jemi traumatizuar duke lexuar dy vrasje të rënda: vrasjen e Aurora Trashanit dhe vrasjen e këngëtares Emmy. Krime në emër të paaftësisë për të mbyllur një dashuri, vrasje në emër të posesivitetit, veprime egoizmi, tendenca për të kontrolluar një raport e në pamundësi kontrolli, vjen një vendim për të eliminuar partnerin, që nuk lejon prirjen për të qenë kontrollues.

Të tilla krime për pasion, për dëshirë e në logjikën e përplasjeve të forta emocionale, ndodhin kudo. Këto ngjarje i dëgjojmë në lajmet e kanaleve televizive italiane, në kronikat e shtypit helen, në narracionet e britanikëve. Por, nëse në Itali, Greqi apo Britani jeton mbi dhjetëfishi i popullsisë së vogël shqiptare, pyetja është; pse një popullsi prej tre milion e gjysmë shfaq kaq shumë kronika krimesh posesive, sa nuk gjenerojnë popullsitë e gjysmës së kontinentit bashkë? Mos vallë shqiptarët nga një shoqëri e mbyllur, po çelen duke i dhënë të drejtë vetes të dashurojnë lirshëm e kur nuk merret përgjigjja pranuese, reagohet dhunshëm.

Dhe pyetja e përgjithshme është; çfarë i bëri shqiptarët të jenë kaq tragjik në fund të një dashurie? Çfarë nuk shkon në historitë që përfundojnë pa mirësi, pa buonsens, pra përfundojnë me përplasje. Cili është profili posesiv, xheloz, mohues, zhgënjyes, dhunues, vrasës, harrues i njeriut djalë apo vajzë, burrë apo grua që dashuron në këtë realitet social shqiptar? A ka një model që sociologët, psikologët e deri kriminologët shqiptar, duhet të edukojnë për të mësuar të rinjtë e mesomoshat shqiptare të dashurojnë jo dhunshëm? Cila është analiza që duhet bërë për profilin kriminal të dy partnerëve, që u kthyen në vrasës?

Vrasësi i Aurora Trashanit është një burrë shqiptar në emigracion. Mosha e tij është mes tridhjetë e pesë dhe dyzet vjeç. Njohja dhe afeksioni për tridhjetetre vjeçare, që më pas do të bëhej viktima e torturuar prej tij, është realizuar në rrjetin social Facebook. Me kurajon e platonistëve që besojnë edhe tek dashuritë e lindura në kontekstin e një rrjeti social, ku shumë prej personazheve janë fiktiv, mes tij dhe viktimës kishte nisur një lidhje. Marrëdhënia, e cila mesa duket kishte evoluar mes platonikes dhe reales, ishte kthyer në fiksim për emigrantin shqiptarë e në bezdisje për vajzën shkodrane të vendosur në Tiranë.

Ky posesiv i dashuruar me profilin femëror të viktimës së tij në Facebook, ka blerë një biletë avioni për të mbërritur nga Gjermania në Shqipëri, jo për ta takuar por për ta ndëshkuar, vajzën që e kishte shmangur nga lista e miqve në rrjetin social. Krimin e kishte menduar me makabritetin e një maniaku e me nxitjen inferiore të një të paafti për të dashuruar, duke pranuar edhe të drejtën e ish-partnerit për të mos vijuar. Nga mënyra se si ka vrarë e më pas djegur trupin e viktimës, vrasësi i Trashanit është një profil kriminal i konsoliduar, nuk është një vrasës i rastit, nuk është një Romeo i zhgënjyer. Dinamika dhe mënyra e veprimit tregon se ka përmbushur një kënaqësi personale, duke kryer krim ndaj femrës të cilën më parë e ka lakmuar.

Ka gjykuar ftohtë se nëse e adhuruara e tij i jepej një tjetri, duke e refuzuar atë vetë, atëherë ajo duhej shkatërruar në ekzistencën, bukurinë, prezencën e saj femërore. Për ironi, ndërsa trupi i Aurorës prehet i shkrumbuar, profili në Facebook vijon të shfaqë feminilitetin e saj me fotot që e nxitën autorin të marrë vendimin për ta eliminuar. Inicialet e vrasësit janë R.V dhe aktualisht autoritetet kanë kërkuar nga shteti gjerman arrestimin për llogari të drejtësisë shqiptare.

Emmy, këngëtarja njëzetedy vjeçare, është viktima tjetër, e përplasur në formën më fatale me makinë nga një person që konsiderohet i dashuri i saj, por që ka dyfishin e moshës së viktimës. Rasti i biznesmenit të arrestuar është tipik i mashkullit egoist dhe abuzues. Ky individ i jep të drejtë vetes të posedojë një vajzë pak më shumë se adoleshente, ndërsa vetë i ka kaluar të dyzetat, ky individ gjeneron lidhje me egoizëm të theksuar maskilist, duke lënduar e sfiduar partneret. Suksesi i tij në afrimin me vajza më të reja, qëndron edhe tek aftësia për t’u bërë interesant duke shpenzuar para për makinë, ambiente e aksesorë luksi.

Reagon dhunshëm në rastin e parë që dikush shfaq mosmiratim ndaj sjelljes së tij. I tillë ka qenë edhe reagimi natën e vrasjes. Nëse do të intervistohen bashkëshortja apo ish-të dashurat e tij, është e sigurt që secila prej tyre do të pohonte të paktën një rast episodi cenues. Ngjarja e natës së vrasjes mund të ketë qenë një reagim, jo i përllogaritur për vrasje. Nëse vajza nuk do të gjendej në skenën e krimin natën e ngjarjes, ajo do ishte ende mes të gjallëve. Pra vrasja nuk mund të konsiderohet e drejtpërdrejtë në dashjen e autorit për të viktimizuar. Por profili i biznesmenit në pranga, është profil që meriton të ndëshkohet dhe rehabilitohet, me qëllim që njëzetedyvjeçarja të jetë e fundit e dashur e tij e dhunuar.



Panorama 09/03/2011/

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama