Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Menu 'Krokodili'

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Menu 'Krokodili'

Kur europianët vendosën t’i japin fund grevës së urisë të opozitës, një vit më parë, me një darkë në restorantin e famshëm të Strasburgut, shumë nga kundërshtarët e Berishës patën një miks të ngatërruar ndjesish. Fakti që Kryeministri dhe kreu i opozitës uleshin në “tokë asnjanëse” për të shëruar antagonizmin e tyre ekstrem, ishte një fitore e vogël morale për ta. Një fitore tjetër ishte gjithashtu edhe fakti që kriza ishte ndërkombëtarizuar, duke përfshirë në qerthullin e saj të tre institucionet europiane: Këshillin, Komisionin dhe Parlamentin. Pa harruar natyrshëm amerikanët, të cilët e ushqenin këtë skemë me mbështetje nga jashtë.

Ajo që pasoi darkën e Krokodilit mund të shihet sot me avantazhin e ngjarjes, e cila, në distancë kohore, i ka treguar të plota konturet e saj. Bashkësia ndërkombëtare nuk kërkoi të zgjidhte krizën, por vetëm ta qetësonte atë, për ta futur teatrin politik shqiptar brenda kornizës formale të “sezonit” të tij. Nuk u mor parasysh asnjë kërkesë e opozitës për transparencën e zgjedhjeve të shkuara, nuk u ushtrua mjaftueshëm presion që të zbatoheshin rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, por u mjaftua duke i mëshuar idesë se zgjedhjet duhen mbajtur në kohë dhe se rezultati duhet pranuar nga të gjithë.

Pikërisht ajo që bëri edhe dje i dërguari i baroneshës Ashton, Lajçak. Nuk duhet shumë mund për të kuptuar se ky është një kurth jo fort i kamufluar për opozitën. Nuk duhet gjithashtu ndonjë inteligjencë mbi normalen, që të kuptosh se standardet elektorale duhet të presin edhe kësaj radhe dhe se mbi to, perëndimorët kanë përzgjedhur parimin e stabilitetit. Ekzakt siç kanë bërë në çdo gjysmë-demokraci jo larg prej nesh, apo në regjime ku nuk ka shumë rëndësi sesi votohet, por sesa servil e i përthyeshëm është ai që merr radhën për të qeverisur.

Shqipëria po hyn në një proces elektoral në mënyrën më të pasigurt të imagjinueshme. Krizës së thellë të besimit, pas 28 qershorit, iu shtua edhe ngjarja e 21 Janarit, çka bëri që tryeza, qoftë dhe formale, e reformës zgjedhore të bëhet e pamundur nga afatet kohore. Pasi u përkund në ëndrrën e zgjedhjeve të parakohshme, e më pas në atë të shtyrjes së zgjedhjeve, opozita e sheh veten të ngjeshur pas murit të 8 Majit dhe pa asnjë prej korrigjimeve mëse të domosdoshme që duheshin bërë në infrastrukturën zgjedhore, në xhep. Por ky faj i saj, ky gabim i rëndë politik e taktik, nuk ka pse të jetë njëkohësisht edhe preteksti i të huajve që arbitrojnë procesin, për të mos lëvizur asnjë gur nga vendi. Sepse nuk është e ekzagjeruar të thuhet se sot, zgjedhjet dhe opozita, janë dy viktimat e cinizmit të heshtur të Brukselit e Uashingtonit, në përpjekjen e tyre për të mos lejuar asnjë spostim të gjilpërës së pushtetit, përmes votës së lirë.

Lajçak nuk ngurroi ta fillojë ditën e tij të hershme të punës në Tiranë, duke nxjerrë nga xhepi të parën dhe më të rëndësishmen e kërkesave: zgjedhjet të mbahen në datën e paracaktuar dhe, mbi të gjitha, rezultati i tyre të njihet nga palët. Si të thuash, për shembull, që një ndeshje për të cilën ka dyshime të forta se është e shitur, të kuotohet në agjencitë e basteve dhe lojtarët të marrin përsipër të gjithë riskun, pa u thelluar shumë në faktin se çfarë po komplotojnë lojtarët dhe arbitri mes tyre. Mendohet se Lajçak ka marrë disa javë më parë një listë propozimesh nga opozita, në lidhje me mënyrën sesi ajo e sheh krijimin e një klime normale për të hyrë në zgjedhje. Nga qëndrimi i tij i djeshëm kuptuam se këto pretendime kanë marrë një “jo” të prerë. As garanci për listat, as proces verifikimi për kartat e identitetit dhe as ndonjë formatim çfarëdo i KQZ-së. Është vonë, duhet shkuar në votime, është përgjigjja e prerë që vjen nga qendra e Europës.

Po hyjmë në një tunel nga i cili nuk është e sigurt se do të dalim në paqe. Veçse kësaj radhe kjo nuk po ndodh si rezultat i ndonjërës prej hileve të vjetra të politikës shqiptare, por është një rrugëtim që po starton me bekimin dhe dëshirën e ndërkombëtarëve. Të shohim nëse paqja e imponuar para zgjedhjeve do të prodhojë stabilitet dhe bashkëpunim pas zgjedhjeve. Menuja e vjetshme e “Krokodilit” prodhoi fiks të kundërtën. Po kësaj radhe?!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama