Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Prova e demokracisë në shtetin e pangritur

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 14 vite më parë

Aleksandër Çipa
Prova e demokracisë në shtetin e pangritur

Kosova po rrit demokracinë më parë se shtetin? Kushtetutshmëria, një ndërgjegje me provë apo një sjellje foshnjarake ende e pakapur prej politikës? Këto dy pyetje, si brendi e një dileme në fuqi, vërtiten gjatë ditëve të zhvillimeve të fundit në skenën politike të Prishtinës. Leximi matanë vendimeve dhe sjelljeve politike të shtyn të besosh se në sjelljen dhe episodet aktuale politike të udhëheqësisë së Prishtinës, ndër të tjera, ka shumë lëndë intrige. Është fjala për intrigën politike, e cila nuk lidhet vetëm me formulën e betejës së brendshme mes krerëve kryesorë të koalicionit apo të përkundërtit e tyre në opozitë. Kjo ka lidhje me atë pohim paraelektoral, kur shumëkush dëgjoi se President i zgjedhur nga halli dhe i imponuar nga rrethanat do të ishte zoti Pacolli. Sikundër gjithashtu u paradeklarua se qeveria do të ishte një koalicion i ri “pa din e iman” për shkak të aritmetikës parlamentare të votave. Në këtë mënyrë, zgjedhjet ishin periudha e mbarsjes së konflikteve në tri pamje.

Konflikti i parë natyral, ai mes pozitës dhe opozitës. Konflikti tjetër “i qeverisë së arnuar” për shkak të votë-numrave dhe i treti, ai i brendshmi mes kabinetit “Thaçi 2” dhe të pakënaqurve të tij, ku do të shquheshin shpejt kryeparlamentari Krasniqi dhe ish-ministri i akuzuar, Fatmir Limaj, konflikt ky i heshtur që do të promovohej pas zgjedhjes së kontestuar të Presidentit Pacolli dhe “hisesë” së majme që partia e tij do të merrte në qeverinë e re.

Në këtë tablo të konfliktit në tri pamje, natyrisht së pari u eklipsua përmbajtja e problemeve me të cilat do të përballej qeveria e të rizgjedhurit Kryeministër Thaçi. Probleme të cilat janë në kulmin e tyre, por që kapaciteti real përballues i qeverisë dhe krejt administratës së Kosovës le për të dëshiruar.

Qeverisja dhe sidomos diplomacia institucionale e Kosovës pas zhvillimeve zgjedhore duket se po mbahet në gjendje inpasi. Kryeministri Thaçi është kreu i Ekzekutivit me lëvizjet më të pakta diplomatike në muajt e parë të rizgjedhjes. Me një axhendë e cila nuk përkon fare me peshën specifike që mbartin problemet e akumuluara dhe sidomos axhenda e mbingarkuar e dialogut me Beogradin. Një imazh mosformatimi të shfaq qeverisja aktuale dhe po këtë imazh e ushqen instabiliteti në luftën politike brenda Parlamentit dhe sidomos në raportet brenda spektrit partiak të vendit.

Në Prishtinë ka shumë dyshime për gjithçka politike dhe shumë, shumë pak besim politik për përballje me sfidat shtetmaturuese dhe sidomos ato të shtetnjohjeve të domosdoshme. Madje, në këtë çështje eminente, të gjitha palët po investohen si më të painteresuarat dhe më pak kontribuueset. Aq sa, që pas krijimit të qeverisë së re, nuk kemi ende një deklaratë të fortë të ministrit të ri të Jashtëm për një tur takimesh apo udhëtimesh për këtë qëllim.

Por kjo është më e pakta përballë marrëdhënies serioze që po krijohet mes drejtësisë dhe ekzekutivit, ose e thënë ndryshe mes pushtetit politik dhe atij ligjor. Është një përballje me shumë prova, madje do të thoshim me shumë subjekt dhe mbingarkesë vijuese. Në këtë kompleksitet marrëdhënieje së fundi ka hyrë edhe Gjykata Kushtetuese, pas deklarimit të vendimit për pakushtetutshmërinë e procedurës zgjedhëse të Presidentit Pacolli. Një akt principial dhe kurajoz, ligjor dhe sidomos kushtetues. Në plan të parë, mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese po jepen provat e një efektshmërie serioze dhe veprimi funksional po kaq serioz. Në këtë vend rishtar po jepen prova të triumfit kushtetues. Një triumf i munguar në raportet krahasimtare shpesh me realitetet fqinjëruse të Kosovës, si për shembull në Shqipëri.

Por kaq nuk mjafton. Kjo që kontekston vendimin e Gjykatës Kushtetuese dje në Prishtinë, është më komplekse nga sa shfaqet. Pyetja në hyrje të shkrimit, riformulohet: A e ka rrethuar ndërgjegjja kushtetuese skenën aktuale politike dhe aktorët kompleksë të saj? A do të evitohen ndërhyrjet, apo a janë evituar ato, qoftë edhe deri tani? Në shtetin e ri e mbarsur me dyshime, një dyshim tjetër duket sikur nuk prish punë. Por në një vend ku demokracia është foshnjë, rreziku dhe frika prej ceneve është natyrshëm e hapur si në instinktin e “çadrës nën shiun e beftë”.

Kosova aktualisht po jeton në një realitet sociopolitik me  multikorrupsion. Kjo është e rëndë, por ende e pandëshkuar, madje ende pa reagime të forta parandaluese. Ky realitet po soditet si një proces me të cilin do të përballet në pakohësi EULEX-i. Sikundër kontestimi politik për proceset e EULEX-it po shfaqet si brendi e një konflikti të brendshëm politik në partinë kryesore të qeverisjes. Sido që ta shohësh subjektin në vazhdim “Limaj”, do të bindesh se në Kosovë mes politikës dhe pushtetit të drejtësisë po krijohet atmosferë dhe marrëdhënie e re. Sfida të reja po shfaqen në horizontin e relatave të tyre në të nesërmen, ato janë provat reale të kushtetutshmërisë dhe të madhimit të dëshiruar të shtetit të së drejtës. Se si do të vijojë procesi politik dhe se si do të sprovohet integriteti i drejtësisë dhe piramidës së gjyqësorit në Kosovë, këtë do ta shohim ndër të tjera, pas kapërcimit të kësaj loje të komplikuar politike që po bëhet për Presidentin dhe derivatet politike të zgjedhjeve të fundit. Gjithsesi, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një provë e rëndësishme për demokracinë ligjore në kushtet e një shteti kaq rishtar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama