Ka ngjarë diçka historike, por pa brendi të madhe ndryshimi, në historinë e Prokurorisë shqiptare me politikanët e vendit. Ka ndodhur ajo që për 25 vjet është përmendur dhe stërpërmendur si një tabu e patejkalueshme. Burrat e shtetit dhe ata që zotërojnë partitë, në një ditë apo tri, janë parë të hyjnë në portën kryesore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kanë hyrë një nga një, të thirrur në ditë të ndryshme, për të dëshmuar rreth vrasjes së porositur për deputetët Tom Doshi dhe Mhill Fufi. Një subjekt i papritur tronditës, i cili implikoi së pari në përgojim të hapur publik, Kryetarin e Parlamentit, njëherësh kryetar i LSI-së, zotin Ilir Meta. Është hera e dytë në harkun kohor të katër viteve të fundit që politikani në fjalë goditet fort me akuza të dëshmuara përmes video-filmimeve.
Kjo histori pati në shpalljen e vet, efekte të shumta tronditëse, por njëkohësisht edhe një rrjedhë debati dhe zhurme politike e cila vijon ende. Rasti kaq tronditës,(i tëri një skenar sa i çuditshëm, naiv dhe i rafinuar), në fakt bëri të mundur të bjerë tabuja 25-vjeçare e mosthirrjes, mosshkeljes dhe mosparaqitjes së politikanëve në dyert e prokurorisë.
Po pse u paraqit me kaq gatishmëri dhe kaq politesë gjithë kjo pari në dyert e prokurorisë? Si ngjau të jenë kaq të gatshëm dhe begenisës ndaj ftesës zyrtare të prokurorisë? Mos vallë u kapërcye “ylberi” në ndërgjegjen e tyre, duke e konvertuar atë në ligjrespektuese?
Në të vërtetë e tëra lidhet me diçka tjetër, fare të thjeshtë dhe të lehtëkuptueshme. Nuk ishin të gatshëm se po i nënshtroheshin respektimit të hetimeve apo të marrjes së statusit të të pandehurit. Ka ndodhur në rastin e çështjes “Doshi” diçka tjetër dhe ndryshe: Të gjithë politikanët kanë pasur dëshirë të respektojnë dhe të vihen, në statusin e dëshmitarit. Pra, dita e paraqitjes së tyre në portën e xhamtë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është dita si dëshmitarë e të akuzuarve.
Natyrisht, ky zell i tyre kësaj here nuk përkon me një akuzë të provueshme dhe një të pandehur konkret si porositës. Së paku këtë e thonë në interpretime të nënzëshme e në biseda të lira, juristët dhe ekspertët e drejtësisë, duke mbetur gjithsesi në rezervën dhe pritshmërinë e përfundimit të hetimeve dhe të dëshmive të mbetura.
Pavarësisht kësaj, të akuzuarit e përhershëm për tranzicionin, shtetkapjen, abuzimin dhe aferat, së paku e pasuan njëri-tjetrin gati në të njëjtën performancë paraqitëse, duke hyrë në prokurori në statusin e dëshmitarëve. Ishin shumë dhe të ndryshëm. Së pari, mitin e vetvetes e theu ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha. Po ashtu, Kryetari i Parlamentit, politikani i akuzuar si porositës i vrasjeve, Ilir Meta. Dëshmitar u thirr edhe Kryeministri aktual, Edi Rama, dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Por rishtas dëshmitar u thirr edhe deputeti i videoskandalit të bujshëm që solli “21 janarin” Dritan Prifti etj.,etj. Të gjithë pjesë e një liste të bujshme dëshmitarësh për një histori të porositur, por të pangjarë.
Megjithatë, kjo histori paraqitjesh e gjitha mbeti në raportimin dhe servirjen e saj përmes fasadës dhe paraqitjes deri te dera. Askujt nuk ia dëgjuam dëshminë e plotë apo dialogimin me prokurorët e çështjes. Do të ishte shumë më interesante të ndodhte kjo apo të mësohej brendia e bisedës së tyre si dëshmitarë me prokurorët. Diçka e tillë proceduralisht ngjet rrallë e gati asnjëherë, por në rastin e këtij grupi politikanësh të Shqipërisë së tranzicionit, kureshtja jo vetëm që ishte në pikun e vet, por është shumëfishuar edhe më shumë. Aq më tepër që mitin e mosparaqitjes e vetëshembi edhe politikani dominant i 25 viteve, zoti Berisha. Një ikje prej traditës së vet, për të ndihmuar ndoshta edhe aktualitetin politik, në të cilin po rikthen protagonizmin e vjetër, sikundër edhe udhëheqësinë e tij faktike brenda PD-së. Një zell i padëshmuar më parë për të goditur dhe ndëshkuar fort imazhin dhe autoritetin politik të ish-ortakut në qeverisje, sot kundërshtari Ilir Meta.
Politika, e cila në historinë e tranzicionit ka ditur të përdorë dhe lozë me vdekjet dhe anarkinë, me shtetshembjen dhe shtetkapjen, me krizat dhe shpërthimet, me videot e korrupsionit dhe zarfet e drejtësipagimit, kësaj here po ripreferon të ndryshojë skenar: Po luan me vrasje të porositura.
Zhurma dhe tensioni po bëhen të plota, ndoshta zotësi parashikuese e skenaristëve(!) Roli i personazheve të rëndësishme në ditën apo javën si dëshmitarë të akuzuar, po vijon të interpretohet, duke evidentuar në publik specifikat dhe individualitetet e njohura. Aktorët, duke u marrë me aktrimin e tyre politik dhe sidomos duke ekspozuar detaj më detaj “sakrificën” e tyre të paraqitjes si “engjëj vrasës” në dyert e Prokurorisë, besojnë te sjellja dhe praktika klasike e tyre se në këtë mënyrë, po i dëshmojmë publikut, jo atë që dimë fshehtësisht, por faktin se dhe ne jemi të vullnetshëm në respektimin dhe bindjen para drejtësisë.(!) Mirëpo, ky fakt dhe kjo performancë populiste e tyre nuk mjafton, sepse siç shprehet M.Massing “…publiku i mirinformuar është në gjendje të nxjerrë konkluzione të arsyeshme në bazë të provave që i ofrohen”. Publiku provat vërtet nuk po i merr prej mediave apo prej aktorëve, por i lexon prej sjelljes dhe aktrimit të tyre në këtë skenë. Këtë të vërtetë, duket se dëshmitari i zellshëm, Berisha, nuk e merr shumë në konsideratë kur shfaq patosin e konsumuar të kërkesës së një “20 shkurti” në 12 marsin e këtij viti. Historia mund të ripërsëritet, por koha e të njëjtit njeri dhe sidomos mosha e tij, kurrsesi.
Mediat tona janë symprehta para dyerve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por jo aq sakrifikuese për të nxjerrë fakte dhe episode që kanë ngjarë apo ndodhur në kohën kur denoncimi apo pretendimet për atentate kanë qenë pëshpërima konkrete gjersa u bënë akt i denoncuar zyrtarisht. Sikundër historia e eksploziveve që zgjojnë e tronditin Tiranën apo qytete të tjera, nuk janë grimca të realitetit të pretenduar kolumbian, por thjesht mishërim i ideve dhe aksioneve psikologjike të injektuara nga mendje-padrinot apo fanatikët e tranzicionit. Politikanët dëshmitarë të javës së fundit, kanë pasuruar në rastin “Doshi” vetëm bindjen e publikut se mes tyre dhe ndër vedi, ata kanë konsumuar gjithë arsenalin e njerëzores dhe gjenden në pamundësinë për të mbuluar atë që tashmë është e vetme; brendia mafioze e vetes. Të ndodhur para mundësisë për një aktrim si dëshmitarë, njëjtësisht dhe me të njëjtin vullnet, kanë rendur të ikin prej rolit, si të akuzuar. Në paraqitjen e tyre një pas një në prokurori, për rastin e deputetit Tom Doshi, ata shijuan në mënyrë dhe pozita të ndryshme skenën e dëshmitarëve, duke ia dalë të përziejnë edhe kësaj here identifikimin real të të akuzuarve. Në komedinë e vjetër të tranzicionit, u shtua edhe një dramë që trajtohet si komedi. Natyrisht, kjo ngjau falë dëshmitarëve të rinj që dinë të ikin nga roli i të akuzuarve të vjetër.