Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ku është Bleona Mata!?

Shkruar nga: Aranita Brahaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Aranita Brahaj
Ku është Bleona Mata!?

Një vit pas humbjes së Bleona Matës në fshatin Zapod të Kukësit, kanë rrjedhur shumë ngjarje. Kanë shkelur në këtë fshat shumë titullarë dhe ekspertë nga më të mirët e hetimit policor, kanë folur për ngjarjen gazetarë të kronikës, por, për fat të keq, ndonjëherë kanë folur diletantë të ekranit. Janë vënë në lëvizje struktura të hetimit të koordinuar e është krehur fizikisht zona nga bashkëfshatarë, por dhe forca terreni me uniformë. Një vit hetim i vështirë dhe me versione të aluduara nuk përkon me një pistë bindëse dhe konkretizuese. Për rastin Bleona Mata ka vetëm tri konkluzione në analizë.  Së pari, krimi është individual, me karakteristikat e hetim-krimit të këtij lloji kundrejt atij në bashkëpunim apo të organizuar. Së dyti, fëmija nuk është zhvendosur në një qytet apo shtet tjetër; gjallë apo vdekur, ajo ka mbetur ne Zapod. Në përfundim, asnjë version, dëshmi apo e vërtetë nuk ka rëndësi në këtë hetim pa gjetjen e vajzës apo të trupit.
Një vit pas humbjes së Bleona Matës, enigma e fatit të saj shënon një nga rastet me paprecedent të një aksidenti apo krimi fizik pa dëshmitarë dhe pa gjurmë. Aludimet, versionet, pistat apo vendndodhjet e mundshme në çdo moment të hetimit u shfaqën në formën më të paqartë, duke bërë jo vetëm publikun e gjerë, por edhe grupin e specialistëve dhe titullarëve të hetimit skeptikë dhe të paaftë për analizë të fatit të vajzës. Mundësitë që Bleona të jetë zhvendosur nga Zapodi, sot, dymbëdhjetë muaj pas humbjes, duket se kanë mbërritur në nivelin zero. Versionet e hedhura për tri shtete, duke nisur me Kosovën, Maqedoninë dhe Greqinë, të kaluara në sitën e hetimit ndërpolicor, përkojnë me konkluzionin që vajza nuk ka dalë kurrë nga terreni i Zapodit. Asnjë zhvendosje fizike e dikujt nuk zhvillohet kaq pastër pa lënë gjurmë. Teknikisht, ky version nuk është neglizhuar në asnjë kohë nga ekipi i hetimit, edhe shpallja në  kërkim ndërkombëtar vetëm pak orë pas ngjarjes ka shërbyer në pasjen nën kontroll të çdo lloj mundësie për zhvendosje të Bleonës. Lajmet për prezencën e një fëmije të ngjashme në Kosovë, Maqedoni apo Greqi, më shumë se indicie të bazuara hetimi, kanë rezultuar pasaktësi. Ndonjëherë edhe fantazi të audiencës mediatike të një emisioni televiziv ku nuk ka në asnjë moment asnjë të dhënë të saktë për çështjen Mata. Zhvendosja e Bleonës do të duhej të shoqërohej me bashkëpunim të disa personave dhe thyerje gjatë marrjes në pyetje në një rast implikimi të të paktën njërit. Lëvizja do të konstatohej nga një dëshmitar i rastit, për më tepër që flasim për një zonë të izoluar ku dallohet me lehtësi çdo lloj zhvillimi. Vënia nga policia e një shpërblimi të pëlqyeshëm për këdo që tregon mbi ngjarjen përbën premisën e besueshme se kushdo që kishte dijeni do të jepte një shenjë të kësaj zhvendosjeje fizike të supozuar. Motive mbi dërgimin e vajzës në Maqedoni, Kosovë apo Greqi përkojnë shumë prej tyre me histori ndërpersonale të anëtarëve të familjes. Të hetuara këto kanë rezultuar shterueshëm të pavlefshme.
Në kujtesën e atyre që punojnë me hetime të krimeve të rënda ndaj të miturve, si dhe gazetarëve të kronikës apo të vetë opinionit publik, janë të freskëta dy ngjarje shumë tronditëse, shoqëruar me dy rrëfime nga dy vrasës fëmijësh. Sadik Kuniqi ka vrarë në 2002-shin Xhek Simonin trevjeçar bashkë me nënën e tij, Fatmira; vrasësja e dytë, Liliana Mulliri, ka vrarë duke coptuar shtatëvjeçarin Alberto Xhihani. Të dyja janë krime individuale, të zbardhura me vështirësi kohë pas ngjarjes, me motive të vështira për tu perceptuar nga një qenie humane, qoftë ky dhe eksperti kriminal më i mirë. Ajo që është më e veçantë, është se në të dyja ngjarjet, opinioni publik, në momentin e zbardhjes, mori një vetërrëfim me detaje të vrasjes dhe fshehjes së krimit. Sadik Kuniqi nuk ishte i dyshuari i vrasjes së Xhek dhe Fatmira Simonit, madje as për vrasjen e çiftit Kudret e Isuf Sula, kryer në janar 2002, gjithashtu prej tij. Policia, për këto dy ngjarje, kishte cilësuar motive të ndryshme me të tjerë të dyshuar. Askush nuk do ta mendonte si vrasës muratorin nga Shkodra nëse një ditë, një oficer policie nuk do ta kontaktonte për ta pyetur mbi bashkëshortët Simoni, si person në dijeni të fakteve. Përballë efektivit të policisë, Kuniqi nuk e dinte se sa larg së vërtetës ishte në atë moment skema policore e hetimit. Me zë inferior lëshoi vetëm fjalët: Unë i vrara, mos më vrisni. Pas kësaj fjalie, në çantën e punës do të gjendej çekiçi me shenja gjaku. Bashkë me provat doli edhe ditari me rrëfimin ekzakt për detajet e secilit krim.
Liliana Mulliri, vrasëse e shtatëvjeçarit Alberto Xhihani (shtator 2003), rrëfeu sapo u vendos përpara kamerës së policisë së Korçës. Për të gjetur eshtrat në fund të një pusi dhe për të zbardhur krimin ndaj të miturit në fshatin Vidohovë, u deshën plot tre vjet hetime. Këto dy çështje dëshmojnë se ndonjëherë, zbardhja e një krimi pa gjurmë e pa version varet shumë nga psikika e autorit dhe nga ndonjë rrethanë e rastit. Karakteristikë e përbashkët me ngjarjen e Bleonës është viktima i mitur dhe krimi individual. Theksohet krim individual pasi teknika hetimore voluminoze e dinamike, si dhe vëmendja ndaj ngjarjes do të kishte zbardhur apo marrë një indicie nëse do të ishte një krim në dijeni apo bashkëpunim.
Po ku është Bleona Mata?! Vendngjarja e një vrasjeje apo një rrëmbimi duhet kërkuar jo larg podit në kullotën e familjes. Nga ky vend shtatëvjeçarja është zhvendosur ndoshta me iniciativën e saj e panxitur nga askush. Vajza mund të ketë marrë rrugën drejt shtëpisë dhe mundet kthimi i saj atje ka përkuar me një detaj që na çon në krim. Në shtëpi, në këtë moment, rezulton të kenë qenë gjyshërit dhe vëllai i Bleonës. Një version i dytë është lëvizja e vajzës drejt burimit (burim uji dhjetë minuta larg zonës ku është parë për herë të fundit). Sipas dëshmitarëve, Bleona në momentet e fundit në kullotë  ishte tepër e etur. Rruga drejt burimit përkon me një terren të vështirë dhe gjatë këtij rrugëtimi mund të shfaqet edhe motivi i krimit ndaj fëmijës.
Bleona Mata u zhduk pa gjurmë pasditen e 22 majit 2010. Prej asaj dite, gjyshërit, prindërit, vajzat e familjes, dëshmitarë dhe bashkëfshatarë të Zapodit nuk kanë pushuar së kërkuari dhe deklaruari për ndihmë. Ndoshta me zërat e atyre që pyesin se ku është Bleona, ngatërrohet edhe zëri i një keqbërësi. Historia Mata është histori e rëndë krimi fizik, hetim i vështirë me motiv çnjerëzor, që përkon me një krim ku mbi çdo teori e model hetimi implikohet vështirësia e individualitetit moral e psikik të një autori.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama