Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kriza e klientokracisë shqiptare

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 14 vite më parë

Blendi Kajsiu
Kriza e klientokracisë shqiptare

Në thelb të krizës aktuale politike që po zhvillohet sot në Tiranë, por që kërcënon të gjithë sistemin tonë politik, është fakti që zgjedhjet tashmë nuk prodhojnë rezultat. E thënë ndryshe, zgjedhjet nuk prodhojnë më shumicë të qartë. Kjo ndodhi pak a shumë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, kjo u përsërit në zgjedhjet lokale për Bashkinë e Tiranës, dhe ka shumë gjasa që po ky skenar të përsëritet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Gjithnjë e më tepër zgjedhjet në Shqipëri tregojnë se të dyja kampet kanë pak a shumë të njëjtën mbështetje elektorale. Për pasojë, zgjedhjet, si instrument themelor i demokracisë për të përcaktuar vullnetin e shumicës, e humbasin kuptimin.

Ndaj ato prodhojnë gjithnjë e më pak zgjidhje dhe gjithnjë e më shumë tension.

Mendoj se ndarja e elektoratit në mënyrë të barabartë mes palëve është pasojë e sistemit tonë politik klientokratik. Partitë politike gjithnjë e më pak i mobilizojnë votuesit nëpërmjet programeve politike apo politikave shtetërore dhe gjithnjë e më shumë në shkëmbim të përfitimeve konkrete dhe individuale. Mediat mbështesin njërën apo tjetrën palë në shkëmbim të reklamës, bizneset në shkëmbim të kontratave apo tenderëve dhe militantët në shkëmbim të një vendi pune. Në këtë mënyrë, partitë janë kthyer në klientelë që kënaqin interesa individuale më shumë sesa përfaqësuese të shtresave të caktuara sociale.

Ky fenomen është rezultat i modelit neoliberal të zhvillimit, që është përqafuar fort si nga pozita, ashtu dhe nga opozita. Ky model ka prodhuar dy pasoja perverse që e kanë forcuar sistemin klientelist. Së pari, modeli neoliberal i zhvillimit, duke hapur tërësisht tregun lokal dhe duke eliminuar politikat mbrojtëse dhe subvencionet shtetërore, ka dëmtuar prodhimin vendas, si atë bujqësor, edhe atë industrial. Sot ne importojmë edhe produkte bazë si bulmetet dhe duhani, që dikur i prodhonim vetë, ndërkohë që edhe industri bazë, si ajo minerare, tashmë kanë marrë fund. Pra, ekonomia shqiptare, nga ekonomi prodhuese është transformuar në ekonomi konsumuese, ku jo vetëm industria, por edhe bujqësia mezi merr frymë. Për pasojë, ekonomia shqiptare nuk prodhon dot punësim dhe të ardhura për buxhetin e shtetit. Ndaj, rritja e prodhimit të përgjithshëm bruto këto 20 vitet e fundit ka ardhur kryesisht si pasojë e remitancave ose duke shitur vazhdimisht asete kombëtare.

Së dyti, modeli neoliberal nëpërmjet privatizimit total, nëpërmjet tregtisë së lirë dhe nëpërmjet kontrollit të sektorëve strategjikë si telekomunikacioni dhe sistemi bankar, nga kapitali i huaj, e ka reduktuar rolin e shtetit shqiptar në një arbitër pa brekë. Kështu, si pasojë e përqafimit të dogmës së tregtisë së lirë në kuadrin e integrimit europian, shteti shqiptar nuk mbron dot prodhimin vendas. Ndërkohë që çdo vit Shqipëria humbet qindra milionë euro nga tregtia e lirë me BE-në. Deficiti ynë tregtar dhe deficiti i llogarisë korrente janë të frikshme! Si pasojë e kontrollit total të sistemit shqiptar bankar nga kapitali i huaj, shteti shqiptar e ka të vështirë ta kanalizojë financimin bankar drejt investimeve afatgjata industriale (vini re, asnjë shtet i zhvilluar, që nga Azia deri tek Amerika, nuk ia ka dhuruar sektorin bankar kapitalit të huaj!). Për pasojë, financimi kanalizohet shpesh drejt sektorëve spekulativë dhe afatshkurtër si ndërtimi. Shkurt, shteti shqiptar sot ndërmerr shumë pak ose aspak politika zhvillimore, politika industriale apo politika sociale në favor të shtresave të ndryshme sociale. Hapësira politikëbërëse e shtetit shqiptar është reduktuar ndjeshëm.

Dy pasojat e mësipërme kanë prodhuar një sistem politik klientelist. Reduktimi i rolit të shtetit e ka barazuar shtetin me pushtetin. Në pamundësi për ta mobilizuar elektoratin me politika shtetërore, partitë përdorin pushtetin për të kënaqur nevojat konkrete të mbështetësve të tyre. Si pasojë e nivelit të lartë të papunësisë dhe e paaftësisë së ekonomisë sonë të krijojë vende pune, shteti bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, edhe pse reduktohet gjithnjë e më shumë. Në një ekonomi si kjo e jona, ku mungon një sektor i shëndetshëm industrial dhe ku bujqësia është ende primitive, një vend pune në shtet bëhet tejet i rëndësishëm. Ndaj, forca në pushtet përdor shtetin ose administratën publike për të shpërblyer militantët në bazë, pasi këta kanë gjithnjë e më pak alternativa punësimi.

Në pamundësi për të ndërtuar politika zhvillimore që stimulojnë prodhimin bujqësor dhe industrial vendas, forca në pushtet përqendrohet te tenderët, koncesionet, kontratat, për klientelat mediatike dhe të biznesit si lokale, edhe ndërkombëtare. Kjo do të thotë që pushteti përdor tenderët, kontratat, licencat apo privatizimin për të shpërblyer mbështetësit e tij. Aq më tepër që bizneset shqiptare, të paafta të konkurrojnë në tregun ndërkombëtar, janë shumë të varura nga pushteti.  Shkurt, pushteti përdor atë që i ka mbetur nga shteti në funksion të klientelës së vet. Ky është edhe thelbi i korrupsionit tonë sistemik; përdorimi i pushtetit në funksion të një klientele të caktuar.

Po pse prodhon barazim elektoral ky sistem? Së pari, sepse sistemi klientokratik ka alienuar ose, në shqip, ka të huazuar elektoratin gri, luhatja e të cilit historikisht ka përcaktuar shumicën elektorale. Mungesa e politikave shtetërore, që shkojnë përtej interesave të klientelës partiake, ka bërë që elektorati gri të ketë gjithnjë e më pak interes në zgjedhje, pasi ai nuk preket shumë nga ndryshimi i forcës në pushtet. Kësaj i shtohet edhe pakënaqësia me sistemin klientokratik me korrupsionin sistemik të çdo force në pushtet, si dhe me mungesën e dallimit ideologjik dhe politik mes palëve.

Kjo ka bërë që elektorati gri të marrë pjesë gjithnjë e më pak në zgjedhje. E thënë ndryshe, gara sot zhvillohet gjithnjë e më shumë mes militantëve të secilës palë. Ndaj është një garë elektorale tejet e polarizuar. Ky ishte rasti tipik i Tiranës, ku përplasja mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës ishte, në fakt, një përplasje mes elektoratit të PD-së dhe LSI-së nga njëra anë, dhe PS-së nga ana tjetër. Kjo shpjegon edhe barazimin mes dy kandidatëve.

E, megjithatë, pyetja që mbetet për t’iu përgjigjur është: Përse klientelat ose elektoratet e dy kampeve shkojnë drejt barazimit? Aq më tepër kur dihet se forca në pushtet ka më shumë burime financiare dhe administrative. Arsyeja e konvergjencës në rastin konkret është sepse ndoshta për herë të parë në historinë e tranzicionit shqiptar, edhe opozita është realisht në pushtet. Nuk duhet harruar se bashkitë më të rëndësishme, si Tirana dhe Durrësi, kontrollohen prej kohësh nga opozita. Dhe në një vend si Shqipëria, ku popullsia dhe biznesi janë përqendruar në qendrat urbane, ku decentralizimi është thelluar dhe ku industria kryesore që shpesh financon edhe mediat, është ajo e ndërtimit, ky është një pushtet i rëndësishëm. Nuk është rastësi që lideri i PS-së nuk heq dorë kollaj nga ky pushtet që kërkohet me ngulm edhe nga Berisha. Pas kryeministrit, pozicioni më i rëndësishëm politik dhe elektoral në Shqipëri është kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Përdorimi i pushtetit për të zgjeruar dhe mbajtur klientelën ka prodhuar pak a shumë një balancë si në qendër, edhe në bazë. Disa media dhe biznese mbështesin haptas opozitën, disa media dhe biznese mbështesin haptas pozitën. Sot kemi analistë, gazetarë dhe biznesmenë që janë haptas me PD-në, me PS-në dhe LSI-në. Nëse pozita punëson dhe mobilizon militantët e saj në administratën qendrore, opozita përdor administratën lokale. Diçka e tillë shikohet qartë sa herë që palët organizojnë mitingje. PD-ja nxjerr në shesh administratën qendrore dhe PS-ja atë lokale.

Kalimi i LSI-së me PD-në është një tjetër faktor që i ka barazuar të dyja kampet.

Balancimi i klientelave në bazë shikohet qartë edhe në lëvizjet e vazhdueshme të anëtarësisë midis PS-së dhe LSI-së. Ata që janë të pakënaqur nga oferta e PS-së shkojnë te LSI-ja dhe anasjelltas, derisa arrihet një ekuilibër që prishet për t’u vendosur përsëri.  LSI-ja, duke shërbyer si një urë lidhëse mes pozitës dhe opozitës, kryen funksionin e një kanali që eventualisht i barazon këto dy rezervuare klienteliste, kuptohet, duke mbledhur edhe ajo ujin e saj. Është kjo konvergjencë mes dy kampeve që prodhon tension, polarizim dhe presion mbi institucionet elektorale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama