Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Krisja e një paradigme

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 13 vite më parë

Blendi Kajsiu
Krisja e një paradigme

Për vite me radhë, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është njehsuar me procesin e demokratizimit. Sa më shumë demokratizohemi, aq më shumë i afrohemi BE-së, na thoshin si politikanët tanë, ashtu edhe ata europianë. Raporti i fundit nga Komisioni Europian që i jep statusin e vendit kandidat Shqipërisë, është ndoshta dokumenti më i rëndësishëm që nxjerr në pah falsitetin e kësaj paradigme. Sot Shqipëria i është afruar BE-së, por i është larguar demokracisë. Sot niveli i korrupsionit në qeverisje është pa dyshim më i lartë se dje. Mjafton të përmendim skandalet Meta-Prifti që e legjitimuan korrupsionin në nivelet më të larta. Sot sistemi shqiptar i Drejtësisë ka humbur çdo besueshmëri, pasi u tha shqiptarëve se nuk arriti të shquante ndonjë korrupsion as në veprimet e Metës, as në ato të Priftit.

Sot më shumë se dje kemi një shtet që kapet nga Ekzekutivi dhe një Ekzekutiv që kapet nga interesat private. Nga njëra anë Kryeministri ka kapur Presidencën, SHISH-in, dhe së shpejti Prokurorinë.  Nga ana tjetër, ai vetë është kapur nga një mori pa fund interesash që e kanë paralizuar tërësisht qeverisjen. Qeveria shqiptare sot është pleksur aq keq me interesa perverse private, saqë nuk mbyll dot as edhe një universitet privat që shet diploma haptas fare. Gjithkundshmëria e zhurmshme e Berishës nuk fsheh dot faktin e hidhur se qeverisja e tij tashmë është paralizuar. Ajo është peng i rrjetës që ka thurur për të mbajtur pushtetin.

Sot, për herë të parë në njëzet vitet e fundit mungon shtylla e demokracisë: opozita. Ajo është gati të bëjë aleancë me korrupsionin në qeveri, mjafton të vijë në pushtet. Për hir të aleancave të vitit 2013, PS-ja e ka amnistuar LSI-në, simptomën më të rëndë të korrupsionit qeveritar. Është e kotë të shash Berishën për korrupsion kur je gati të bësh aleancë me korrupsionin e tij për të ardhur në pushtet. Mungesa e opozitës e ka ulur edhe më tej standardin e qeverisjes.

Natyrisht, asnjëri nga problemet e mësipërme nuk ceket realisht në progres-raportin e Komisionit Europian. Në këtë aspekt, ky është raporti i mungesave. Ai merret me gjithçka të parëndësishme dhe injoron gjithçka të rëndësishme. Nga njëra anë u kushton vëmendje ndryshimeve në Rregulloren e Parlamentit dhe, nga ana tjetër, injoron pasojat perverse të Kushtetutës aktuale shqiptare, ku Presidenti bëhet një zgjatim i Kryeministrit.

Në raport bëhet thirrje për konsensus mes PD dhe PS, ndërkohë që problemi i demokracisë shqiptare është se palët po bëhen të padallueshme, jo vetëm në ide, por edhe në interesa. E vetmja pikë ku ndahen është se kush do qeverisë. Madje edhe këtu ka shumë konsensus, pasi të dyja palët, PD dhe PS, janë gati të qeverisin me LSI-në.

Konsensusi trajtohet si arritja më e madhe e politikës shqiptare, ndërkohë që demokracia jonë është shkatërruar me konsensus. Ndryshimet e Kushtetutës në vitin 2008 u bënë dhe u votuan me konsensus të gjerë, dhe për këtë arsye u përshëndetën nga vetë BE-ja. Ama, ne sot vuajmë pasojat e tyre. Konsensusi që lartësohet kaq shumë nga BE-ja është në fakt një fjalë bosh. Realisht ai do të thotë: rrini urtë se s’kemi nerva të merremi me ju!

Si çdo raport paraardhës, edhe ky i fundit thekson nevojën e zbatimit të ligjit, sipas klishesë së famshme se “ligjet janë të mira, por nuk zbatohen”. Po nëse ligjet tona janë kaq të mira, si ka mundësi që na rekomandohet t’i ndryshojmë çdo vit? Kodi Zgjedhor ndryshohet sa herë ka zgjedhje. Shumica e ligjeve tona, si ai për  nëpunësit civil, amendohen pa fund dhe shumë shpesh, gjithnjë me rekomandim të vetë BE-së.
E vërteta është se shumica e problematikës shqiptare sot buron nga fakti se ligjet tona janë katastrofë. Ato shpesh janë në kontradiktë me njëri-tjetrin, pasi janë ndryshuar pa fund. Shpesh janë të shkruara keq dhe të paqarta, ndërsa në shumicën e rasteve janë të pazbatueshme për kapacitetet tona financiare dhe administrative.  Mjafton të përmendim që konflikti për Bashkinë e Tiranës mes Ramës dhe Bashës buronte, ndër të tjera, edhe te paqartësia e Kodit Elektoral. Po kështu, ligji për referendumet është bërë aq keq, sa të bllokojë çdo nismë qytetare për referendum kur mungon vullneti politik, sikurse ndodhi me referendumin e plehrave. Pa përmendur këtu ligjet rreth pronës, që janë ende lesh e li, duke krijuar hapësira për subjektivitet dhe abuzim në Gjyqësor.

Problemi është se në kuadrin e integrimit Shqipëria është shumë e zënë me kopjimin e ligjeve nga BE-ja. Qeveria ka pak kohë dhe kapacitete për t’u marrë me përshtatjen e ligjeve me realitetin shqiptar, pasi ne nuk krijojmë, por kopjojmë ligje.  Ç’është me e keqja, është se ligjet që ne marrim nga BE-ja janë produkt i zhvillimit dhe nevojave të ekonomive dhe të shoqërive të zhvilluara si Gjermania dhe Franca. Se si dhe se sa, mund të përshtaten këto me realitetin shqiptar, një zot e di.

Duke theksuar zbatimin e ligjit, raportet e BE-së injorojnë vazhdimisht burimin e problemit. Sot Shqipëria ka një kuadër legjislativ që nuk përshtatet as me realitetin e saj ekonomik dhe social, dhe as me kapacitetet e saj administrative.  Nuk është thjesht problem vullneti politik. Edhe sikur vullneti të ekzistonte, kërkesat me të cilat përballet Shqipëria sot në kuadrin e integrimit janë të pazbatueshme në raport me kapacitetet tona administrative dhe financiare.

Për këtë arsye, procesi i integrimit është kthyer në një formalitet. Ai ka të bëjë gjithnjë e më pak me progresin real të Shqipërisë dhe gjithnjë e më shumë me politikën e BE-së ndaj rajonit. Tashmë BE-ja është në krizë. Entuziazmi për të është në rënie, edhe në vende si Shqipëria, sidomos pas liberalizmit të vizave. Për pasojë, BE-së i duhet t’i mbajë të lidhura rreth vetes vende si Shqipëria, nëpërmjet shpresës për anëtarësim.

Kjo është një lojë politike e tipit “bëjmë sikur”.  Nga njëra anë BE-ja bën sikur është realisht e interesuar në progresin dhe demokratizmin e Shqipërisë duke sugjeruar luftën kundër korrupsionit teksa legjitimon klasën politike që e prodhon atë. Ndërkaq, interesi i saj real është stabiliteti. Nga ana tjetër, politikanët tanë bëjnë sikur po arrijnë konsensus dhe po qeverisin në emër të integrimit. Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), për shembull, erdhi në pushtet me Berishën, pasi mori votën anti-Berishë, vetëm e vetëm për të na futur në BE.

Të paktën në këtë pikë integrimi në BE dhe demokratizimi janë bërë procese identike. Në të dyja rastet “bëjmë sikur”. Jo vetëm klasa jonë politike. Edhe BE-ja.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama