Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shamatë apo shah… mat!

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 14 vite më parë

Edmond Tupja
Shamatë apo shah… mat!

Vazhdon pritja e gjatë, e bezdisshme, e vaposur, e pluhurosur, e zhubravitur (dhe lista e këtyre epiteteve mund të zgjatej gati pambarimisht) e shpalljes përfundimtare të fituesit të zgjedhjeve të 8 majit për Bashkinë e Tiranës. Dhe, bashkë me këtë pritje, vazhdon zhurma mediatike – analiza, opinione, mendime, përshtypje, debate, akuza e kundërakuza, argumente pro e kundër etj., etj. – me një fjalë, vazhdon shamata e madhe si me gojë (në radio e televizione), ashtu edhe me shkrim (në gazeta e revista).

Vazhdon shamata e madhe në këtë fundlojë zgjedhore, fundlojë që më kujton fazën përfundimtare të një ndeshjeje shahu, momentin kulmor kur njëri nga lojtarët gatitet t’i japë shah tjetrit, shah për t’ia kapur mat mbretin. Por cili nga dy lojtarët tanë kandidatë për postin e kryebashkiakut të Tiranës gatitet t’i japë shah ose tashmë i ka dhënë shah tjetrit për ta zënë mat e për ta detyruar kështu të dorëzohet? Me shumë gjasë, Basha e ka vënë Ramën me shpatulla pas murit, por deri në momentin e fundit fare, atë të certifikimit zyrtar, asgjë nuk është krejt e sigurt, prandaj i pari nuk po ngutet të “crier victoire”, siç thotë frëngu (të brohorasë për fitoren e korrur).

Gjithsesi, sado që mediat e shkruara dhe ato elektronike rreken ta orkestrojnë këtë shamatë profesionalisht, sigurisht me njëfarë talenti, por edhe me njëfarë tendence apo simpatie partiake, ajo, shamata, ngjan më shumë me zhurmat e një sifoni gjysmë të bllokuar sesa me një simfoni. Logjikisht, që shamata të marrë fund, duhet zhbllokuar sifoni. Por kush e ka bllokuar sifonin? Përgjigjja e kësaj pyetjeje nuk më ngjan hiç e vështirë po qe se i kthehemi idesë së fundlojës së shahut: Ai shahist që, ndonëse e sheh veten të humbur sepse shahu i dhënë është fatal për të, nuk pranon të dorëzohet duke e rrëzuar mbretin e tij në fushën e shahut. Po përse nuk pranon ai? Sepse nuk ka për të qenë më kampion, jo vendi e aq më pak bote, por kampion bashkie. Për dikë të kurorëzuar si i tillë për më shumë se dhjetë vjet, por edhe për tifozët e tij që e kanë brohoritur, lart në qiell ngritur, si figurë tejet të ndritur, mrekullira prej tij duke pritur, të mos jetë më kampion bashkie, do të thotë të mos jetë më as kampion partie, të paktën për disa kohë, e të rrijë në hije, çka nuk i ka hije, se kur nga fiku bie, askush nuk të voton veresie.

Për ta mbyllur, dëshiroj ta zbavis paksa lexuesin e vëmendshëm e të paanshëm të kësaj rubrike të përjavshme me diçka interesante që zbulova, teksa po shkruaja këto radhë, duke hapur “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) pikërisht te fjala “shamatë”; bëhet fjalë për një proverb, domethënia e të cilit më intrigoi: ‘Shamata e minjve, qari i dacit”. Më intrigoi sepse, në kuadrin e shamatës mediatike të përmendur në krye të këtij shkrimi, mund të lindë pyetja se cilët janë minjtë dhe kush është daci, figurativisht, kuptohet. Lidhur me identitetin e minjve, ekzistojnë dy përgjigje, të paktën sipas meje: këta mund të jenë a) gazetarët, publicistët, analistët, opinionistët etj., etj., ose b) militantët, simpatizantët, tifozët e njërit apo tjetrit shahist.

Nga ana tjetër, lidhur me identitetin e dacit, kam përshtypjen, gati bindjen e plotë, se ekziston vetëm një përgjigje dhe një e vetme: ky, pra, daci, mund të jetë njëri ose tjetri nga shahistët, më saktë ai i cili përfiton më shumë nga shamata e minjve, qofshin këta të kategorisë a) apo të kategorisë b); në fund të fundit, këto kategori nuk duken të jenë të ndara si me thikë nga njëra-tjetra: shembuj të shumtë e dëshmojnë vërtetësinë e këtij pohimi, përfshirë edhe rastin tim (lexuesi të më falë për këtë mungesë modestie, por “noblesse oblige”, siç do të thoshte frëngu – për përkthimin shqip të kësaj shprehjeje, shih fjalorin e Vedat Kokonës, ribotim, Tiranë, 2008).

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama