Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Krejt të pambrojtur...

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 10 vite më parë

Edmond Tupja
Krejt të pambrojtur...

Në epokën e sotme, kur shkenca po përparon rrufeshëm, madje aq rrufeshëm saqë përplaset nganjëherë me vetë etikën, ajo që e tremb njeriun përherë e më të varur nga kjo shkencë, është humbja, ndër të tjera, e asaj që rëndom quhet jetë private ose privatësi, d.m.th. intimitet.


Nëse dikur thuhej “muret kanë veshë”, sot pa frikë mund të pohohet se muret kanë sy, hundë, kujtesë, kureshtje të papërballueshme për gjithçka kryen individi homo sapiens. Veçse muret në fjalë janë në shërbim të… vetë këtij individi.


Pra, njeriu përgjon, incizon, regjistron, filmon vetë njeriun. Parimisht, për ta mbrojtur nga keqbërësit bashkësinë ku ai jeton e punon. Mirëpo problemi ngatërrohet aq sa bëhet lëmsh kur informacioni i qëmtuar për çdo individ shërben jo më për ta mbrojtur, por për ta dëmtuar atë. Këto vitet e fundit plot skandale që lidhen me këtë dukuri kanë plasur në mbarë botën e globalizuar. Epoka e internetit na ka bërë të gjithë potencialisht të përgjueshëm e realisht të përgjuar. Teorikisht për të na mbrojtur, por praktikisht duke ndërhyrë në jetën tonë private, intime jo vetëm për të na mbrojtur, por edhe për të na mbajtur nën trysni. Në Shqipërinë postkomuniste, kjo ndërhyrje, e përligjur apo e papërligjur, ekziston prej kohësh, por ajo edhe është keqpërdorur.

 

Të gjithë e kemi ende të pranishme në kujtesë bërjen publike të disa fotove lakuriq të një personaliteti politik të majtë këtu e disa vite më parë, çka shkaktoi indinjatën e jo pak shqiptarëve, sepse u konsiderua si një ndërhyrje e paligjshme, ndonëse gjoja e justifikuar në emër të moralit, në jetën private, intime të individit. Ende nuk është harruar gjithashtu kurthi që disa gazetarë televizivë të ashtuquajtur investigativë i ngritën një ministri të djathtë për ta diskredituar atë moralisht duke futur kështu hundët në jetën e tij private, intime. Dhe ja që, këto ditët e fundit, e njëjta dukuri ndodh papritmas: një gazetari të njohur televiziv dikush i publikon imazhe të vjedhura nga komunikimi i tij privat, intim, në skajp.

 

Pavarësisht natyrës skandalizuese të këtyre imazheve të cilësuara si të pamoralshme, problemi shtrohet me të njëjtat terma si për dy rastet e lartpërmendura: Me ç’të drejtë ndërhyhet në jetën private, intime të dikujt, qoftë ky njeri i thjeshtë, anonim, apo figurë e njohur politike, intelektuale, artistike etj., dhe kjo pa mandat, pa autorizim nga organet kompetente, pra, pa mbështetje ligjore? Ndërhyrësi, sipas mendimit tim të paktën, është plotësisht i dënueshëm sidomos po të ndjekim arsyetimin që vijon:

 

1. Iksi dhe Ipsiloni, në intimitet të plotë, komunikojnë me zë (në telefon), me shkrim (në imejll) ose me imazhe (në skajp).

 

2. Në rastin më të skajshëm, ata, midis tyre, mund të bëjnë edhe teleseks, d.m.th., të mbërrijnë në kulmin e kënaqësisë seksuale, në distancë, sigurisht, çka nuk është aspak e dënueshme nëse secili/ a syresh nuk ka bashkëshort(e) apo partner(e).

 

3. Sipas disave, kjo mund të për bëjë një shkelje morali individuale ose ndërindividuale, nëse janë të martuar secili/ a në anën e vet, por për këtë mund e duhet t’i gjykojë, madje ashpër, vetëm e vetëm ndërgjegjja e tyre.

 

4. Ky veprim nuk mund të quhet shoqërisht i turpshëm, i padenjë e i dëmshëm përderisa bëhet në intimitetin e tyre më të plotë dhe me miratimin e njëritjetrit.

 

5. Rrjedhimisht, çdo person, ai ose ajo, i/e paautorizuar nga organet kompetente, që e bën publike këtë skenë tejet private, intime të marrëdhënies së tyre, i vesh kësaj marrëdhënieje një karakter të pamoralshëm, por duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe me të drejtën e individit për privatësi kur kjo privatësi nuk përbën aspak krim.

 

6. Sikur çdo njeri të vepronte në këtë mënyrë arbitrare e të paligjshme, duke dhunuar të drejtën tonë për privatësi, për intimitet vetjak apo familjar, atëherë të gjithë ne do të ishim krejt të pambrojtur e në mëshirë të fatit duke u kthyer kështu në pre të ligësisë së përditshme.


Në përfundim të kësaj përsiatjeje, shpresoj se lexuesi im i shqetësuar, edhe në qoftë tejet i moralshëm, do t’i ketë lexuar me vëmendje e pa paragjykim këto radhë duke pasur parasysh edhe thënien e famshme, por, oh, aq të vërtetë, të filozofit frëng Jean-Paul Sartre, sipas të cilit “Ferri janë të tjerët”, pa harruar ndërkohë atë çfarë Krishti u tha atyre burrave që po qëllonin pareshtur me gurë një grua e cila i kishte vënë brirët të shoqit: “Vetëm ai që si ajo s’ka mëkatuar kurrë, le të vazhdojë, pra, ta godasë atë me gurë!”

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama