Një projektrezolutë e Partisë Socialiste lidhur me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është komentuar me nxitim si një "paqe", "flamur i bardhë" apo "detantë" në jetën plot konflikte të politikës shqiptare. Në fakt, dokumenti pohon pikërisht të kundërtën, ekzistencën në të dyja kampet e politikës shqiptare të divergjencave të forta lidhur me qeverisjen në përgjithësi dhe në veçanti, lidhur me atë që është thelbi i një shteti demokratik, pavarësinë e pushtetit të drejtësisë dhe organizmin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Projekti dokument që mban firmën e kryetarit të PS, Edi Rama, është thjesht një shprehje publike e vullnetit të kësaj partie për reformim demokratik të pushtetit gjyqësor dhe të sistemit zgjedhor, si një përmbushje e detyrimeve politike që do të mundësonin marrjen nga Shqipëria në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit, të një ftese për t‘u anëtarësuar në NATO.
Në këtë kuptim, ajo nuk është aspak sikundër po komentohet nga disa zëra, një dorëzim dhe ngritje e "flamurit të bardhë" nga Rama dhe opozita në tërësi, por një thirrje që i drejtohet pushtetit, shumicës së saj dhe Kryeministrit Berisha, që të heqë dorë nga strategjia autoritariste e sundimit absolutist të shtetit. Sepse, shkaku kryesor që 100 ditë para Samitit të Bukureshtit Shqipëria nuk i ka kryer ende reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, duke rrezikuar seriozisht anëtarësimin në NATO, shkaku kryesor i konfliktualitetit në politikën shqiptare, mbetet tendenca e fuqishme autoritariste e pushtetit berishist. Nxitimi i folëses së Kuvendit, Jozefina Topalli, për të përshëndetur projektrezolutën e opozitës, më shumë si ndryshim i kursit autoritarist të shumicës, është shprehje e nevojës politike që ajo ka për të krijuar imazhin e rremë të një bashkëpunimi pozitë-opozitë për reformat.
Dhe, siç ka ndodhur jo rrallë më parë, ka shumë gjasa që ky idil i rremë të mos zgjasë dhe që divergjencat të rishfaqen shumë shpejt në procesin e diskutimit të reformave (që në komisionet parlamentare), duke rrezikuar seriozisht marrjen e ftesës për në NATO. Alarmi shtohet kur shikon se "monarku" i pushtetit, Kryeministri Berisha ka heshtur si "fija e barit" lidhur me projektrezolutën e socialiste. Të krijohet përshtypja se ai po e ruan zërin për momentin, kur ndoshta do t‘i duhet të ulërasë, duke akuzuar opozitën si fajtore të mosanëtarësimit të Shqipërisë në NATO pra, duke ia hedhur fajin për një dështim të tillë kundërshtarit. Ashtu si ka bërë në shumë raste të tjera në këtë tranzicion të dështuar që e kryeudhëheq prej 18 vjetësh. Por, rezoluta, ia vështirëson një skenar të tillë. Prandaj hesht për të.
***
Tërë periudha gati trevjeçare pas ardhjes së Berishës në pushtet, është karakterizuar nga një këmbëngulje e tij, me simptomat e një amoku politik, për të vënë nën kontroll të gjithë pushtetet dhe institucionet më të rëndësishme të shtetit. E gjithë kjo periudhë nuk u shpenzua, sikundër u premtua në programin e qeverisë, për "konsolidimin e sistemit demokratik", por për të kundërtën, konsolidimin e një sistemi autokratik. Berisha premtoi se do respektonte pavarësinë e pushteteve dhe se reforma në sistemin e drejtësisë do të bëhej në bashkëpunim, ndër të tjera, edhe me Presidentin e Republikës dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Por priti gati dy vjet që të largohej Moisiu dhe që KLD të dominohej nga një tjetër shumicë. Kjo shpjegon vonesën mbi 2-vjeçare të reformës në drejtësi dhe të asaj zgjedhore. Tashmë të gjithë e dinë se në sajë të një kombinacioni të turpshëm Nano-Berisha, që mundësoi trafikimin 6 votave nga e majta dhe dhunoi konsensusin me opozitën, President u zgjodh Bamir Topi, zëvendësi i Berishës në PD dhe se shumica e KLD, përbëhet nga njerëz me simpati të qarta për pushtetin autoritarist të Berishës.
Rrjedhimisht është shtuar rreziku që këto institucione, të përdoren si një garniturë "demokratike", e cila në vend që ta reformojë drejtësinë, do të fusë edhe më keq dhe "demokratikisht" atë, në thonjtë e autoritarizmit berishist. Ndërkaq, në sajë të bashkëpunimit "demokratik" me Presidentin e Republikës, Kryeministri Berisha mundi të shkarkojë kryeprokurorin Sollaku dhe të dekretojë në këtë post (pa pëlqimin e opozitës) Ina Ramën, të përfolur në media si shoqe shkolle dhe mike e së bijës së Kryeministrit. Nuk është e para herë që për njerëz të emëruar në poste të larta me vullnetin e Berishës, publikohen lidhje me familjarë të Kryeministrit. Aq sa po trashet dyshimi se, ndërsa po i afrohet fundit të karrierës së tij politike, Berisha po përpiqet të konsolidojë një grup të fuqishëm politiko-ekonomik (thuajse një dinasti) të lidhur ngushtë me familjen e tij.
Një ambicie e tillë nuk ka të bëjë fare me premtimin për "konsolidimin e shtetit ligjor" të bërë në korrik 2005. Ndërkaq, qeveria e Kryeministrit Berisha nuk ka bërë asgjë edhe për realizimin në Shqipëri të zgjedhjeve të lira e të ndershme. U premtua të kthehej besimi i publikut te zgjedhjet si një prioritet absolut i mazhorancës qeverisëse. U premtua se zgjedhjet lokale të vitit 2006 do të ishin në përputhje të plotë me standardet evropiane të lirisë dhe ndershmërisë, por nuk ndodhi aspak kështu. U premtua se do të përfundohet reforma zgjedhore në bashkëpunim dhe mirëkuptim me opozitën dhe pak muaj para Samitit të NATO-s ende nuk është bërë asgjë. Që në 2005-ën u premtua se qytetarët shqiptarë do të pajiseshin shumë shpejt me karta identiteti, por jemi në vitin 2008 dhe ato nuk duken gjëkundi. Në publik janë shtuar dyshimet se qeveria Berisha trembet të prodhojë kartat e identitetit dhe listat e votuesve të bazuar në regjistra të saktë civilë, sepse një gjë e tillë do t‘i minimizonte shumë shanset e një fitoreje për Berishën dhe koalicionin e tij në zgjedhjet e ardhshme në 2009-ën. Përkundër premtimit të Berishës, besimi se në Shqipëri mund të ketë zgjedhje të ndershme, ka avulluar më shumë se kurrë.
***
Të shpresosh se një pushtet autoritarist mund të tolerojë pavarësinë e pushtetit të drejtësisë është si të pranosh bashkëpunimin e ujkut me qengjin. Por nuk është vetëm autoritarizmi që pengon. Qeveria Berisha nuk ka vullnet real politik për drejtësi, sepse drejtësia është e lidhur ngushtë me luftën kundër korrupsionit në një kohë që vetë qeveria Berisha, është bërë gjeneruese e korrupsionit në shtet. Dhe këtë nuk e pohojnë vetëm kundërshtarë të Berishës. I akuzuar ditët e fundit nga gazeta e partisë në pushtet për korrupsion, vetëm sepse guxoi të kritikojë segmente të qeverisë për korrupsion, gazetari Mero Baze, i njohur si një ndër mbështetësit më afatgjatë dhe të palëkundur të Berishës, e përkufizoi sulmin kundër tij si "dimensioni më origjinal i korrupsionit të kësaj qeverie dhe i përpjekjes për të mos u gjykuar".
Por kjo që përkufizon Baze, është një aspiratë që nuk ka të bëjë fare me reformën në drejtësi, thelbi i të cilës është krijimi i një pushteti të ligjit dhe të së drejtës të pavarur që mund dhe duhet të gjykojë korrupsionin e një qeverie, pavarësisht vullnetit të qeverisë. Edhe heqjen e imunitetit të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, të akuzuar për shkelje të rënda të ligjit në procedurat e tenderimit të rrugës Durrës-Kukës, duket se mazhoranca e votoi vetëm si një truk politik duke pasur besim se prokuroria nuk do t‘i shtyjë hetimet përkundër interesit të saj politik. Jo rastësisht shumica dhe komisioni i saj hetimor parlamentar, u kujdes që heqjen e imunitetit të Bashës ta shoqërojë me hedhjen poshtë të akuzave për të. Duke vepruar kështu, Berisha vret disa "zogj". Në njërën anë i demonstron perëndimorëve "vullnetin politik antikorrupsion", por edhe heq nga qafa (nëse, siç duken bathët, prokuroria hedh poshtë akuzat e Sollakut) skandalin komprometues të rrugës Durrës-Kukës. Ka edhe një zog të tretë që Berisha synon ta vrasë. Është opozita që do t‘i nënshtrohet "standardit" të heqjes së imunitetit, ashtu si edhe ministri Basha.
E kush do të mund të provojë se në rastin e Bashës prokuroria kishte tendencë ta nxirrte Bashën "të pafajshëm", ndërsa në rastin e ndonjë deputeti opozitar, ta nxjerrë me çdo kusht "të fajshëm"? Duke pasur nën kontroll prokurorinë, Berisha mund fare mirë të luajë lojën e antikorrupsionit në emër të demokracisë, ndërkohë që i vë shkelmin demokracisë. Gjërat nuk do të ishin kaq keq sikur vërtet në Shqipëri të kishte një pushtet gjyqësor të pavarur dhe të pakorruptueshëm. Por ai nuk ekziston dhe është naivitet të besosh se një traditë dhe kolonë e tillë e demokracisë mund të krijohet brenda 100 ditëve që kanë mbetur nga Samiti i Bukureshtit. Aq më tepër në bashkëpunim me një pushtet autoritarist që kërkon jo ta lërë të lirë, por t‘i ngulë dhëmbët në qafë qengjit të drejtësisë.