Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Eshte shpejt te brohorasim konsensusin

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 14 vite më parë

Andrea Stefani
Eshte shpejt te brohorasim konsensusin

Shumica e mediave nxituan dje të përhapin lajmin e mirë se PS dhe PD paskan rënë dakord të ngrenë Komisionin e Reformës Zgjedhore, atë për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, si dhe për axhendën e miratimit të disa ligjeve me 3 të 5-at. Lajmi është vërtet i mirë. Por sa i mirë? Kjo mbetet të shihet në të ardhmen e afërt. Përvoja e këtyre 20 viteve e bën objekti skepticizmin ndaj të tilla arritjeve që jo rrallë kanë përfunduar ose në pazare të dëmshme për demokracinë dhe shtetin ligjor, ose kanë shpërthyer si flluska për t’i lënë përsëri vendin një konfliktualiteti tradicional. Të gjithë urojnë që të mos ndodhë përsëri ashtu, por nuk ka ndonjë shenjë fort optimiste që të të bindë se nuk do të ndodhë përsëri ashtu. Ndërkaq, të thuash si Besnik Mustafaj, se marrëveshja u arrit ngaqë të dy liderët, Berisha dhe Rama, pikërisht tani u poqën, është thjesht një shaka.

Në fakt një nga indikatorët që nuk nxit optimizëm për sa do ndodh në të ardhmen e afërt është pikërisht mosndryshimi i lidershipit. E në radhë të parë i Berishës. Në lëvizjet e Kryeministrit nuk shihet asnjë lloj nuance që të të bëjë të besosh se ai po distancohet sado pak nga mania e tij autokratike për të vënë nën kontroll të gjitha pushtetet e shtetit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qëndrimin e Kryeministrit ndaj opozitës. Vetëm pak ditë më parë ai deklaroi nga tribunat e ri-inaugurimeve populiste të disa segmenteve rrugore, se është pikërisht opozita ajo që ka penguar integrimin e Shqipërisë në BE pra, marrjen e statusit të kandidatit. Atëherë ç’po ndodh? Mos vallë është Edi Rama ai që po ndryshon qëndrim duke i hapur rrugë autokratizmit shkëmbor të Sali Berishës? Mos vallë marrëveshja e arritur është rrjedhore e lëshimeve të opozitës? Nuk duket se është kështu. Deri tani opozita nuk duket të këtë bërë lëshim në kërkesat e saj. Madje konstatohet se ngritja e komisionit për rishikimin e rregullores së Kuvendit është miratuar si rrjedhojë e një lëshimi të bërë nga mazhoranca, e cila e kundërshtonte deri më sot një iniciativë të tillë. Por a është ky ndonjë lëshim thelbësor? Aspak. Dhe nëse kemi të bëjmë me një manovër për të dëshmuar vullnet fals për konsensus, për të akuzuar më pas opozitën për mosarritjen e konsensusit (gjë që ka ndodhur jo pak herë në të kaluarën) do të verifikohet në ditët e ardhshme.

Shkurt, duhet thënë se kemi të bëjmë me një marrëveshje që më shumë se përmbajtësore është ende në terrenin procedural. Thënë më thjesht, ekipet kanë pranuar të dalin në fushë, por sesi do të luajnë dhe nëse do t’u përmbahen rregullave kjo mbetet të shihet. E nëse liderët vërtet janë “pjekur” dhe ne kemi të bëjmë me hapin e parë të një konsensusi, kjo do të duket nëse procesi në vazhdimësi do të karakterizohet nga konsensusi si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Dhe që të jetë i shëndetshëm, duhen domosdoshmërish të dy përmasat e konsensusit. Ndryshe, siç na mëson edhe përvoja, ai mund të jetë thjesht një pazar. Sikundër e pamë edhe në vitin 2008 kur u duartrokit “konsensusi” PD-PS për ndryshimin e Kushtetutës. Kjo dukuri mund të ndodhë nëse PS heq dorë nga pozitat që ka mbrojtur deri më sot duke i bërë lëshime autokratizmit të Berishës në përmbajtjen e ligjeve që do të miratohen apo në reformën zgjedhore, duke i dhënë kështu mundësi të manipulojë sikundër ka bërë në dy zgjedhjet paraardhëse.

Në këtë rast, do të kishim një pazar të keq dhe aspak një konsensus në dobi të demokracisë. Marrëveshja e sapoarritur mes PS dhe PD mund të jetë prologu i një konsensusi edhe nëse Sali Berisha ka vendosur të heqë dorë nga ëndrra e tij e pafjetur për të kapur shtetin dhe për ta kalëruar në pafundësi. Në këtë rast mund të thoshim me plot gojë me Besnik Mustafajn, se Berisha është “pjekur”. Por një gjë e tillë do të ishte një mrekulli dhe mrekullitë nuk ndodhin në këtë botë. Prandaj, me gjithë dëshirën e mirë, na duket shpejt ta përshëndesim marrëveshjen për ngritjen e dy komisioneve si konsensus. Ky i fundit, është një gjë shumë e vështirë për t’u realizuar mes dy liderëve apo forcave politike që nuk kanë rënë dakord ende për sistemin. Që do të thotë se demokracia liberale në Shqipëri nuk është qëllimi i tyre i përbashkët i forcave politike. Pavarësisht parullave dhe fjalorit demokratik që përdorin.

Dhe momentalisht, PD dhe Berisha janë të pritura nga autokratizmi që arrihet me kapjen e të gjitha pushteteve nga Kryeministri, përfshi edhe drejtësinë, ndërsa PS dhe Rama janë të prirur të realizojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve që shtyn për nga demokracia liberale. Janë dy tendenca antagoniste që mund të ngushëllohen vetëm nga tërheqja e njërës prej palëve. Që sikur thamë më sipër, të çon ose në një pazar të turpshëm ose në një konsensus shpëtimtar. Dhe që palët nuk kanë lëvizur nga pozicione strategjike dëshmohet nga fakti që reforma në drejtësi dhe korrektimi i Kushtetutës së shtrembëruar më 21 prill 2008 janë shtyrë për më vonë. Prandaj në vend se të duartrokasim verbërisht bashkë me Jozefinën, është më realiste të pyesim me skepticizëm: Cili do triumfojë, konsensusi, pazari apo përsëri konflikti?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama