Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Përsiatje për plehrat

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 14 vite më parë

Edmond Tupja
Përsiatje për plehrat

Që në krye të herës, dëshiroj t’i siguroj zonjat e zotërinjtë që kanë plehra në ndërgjegje se nuk e kam fjalën për ata në këtë shkrim të radhës: tani për tani, ndoshta edhe për ca kohë, nuk më interesojnë më plehrat me dy këmbë, se boll kam harxhuar bojë, kohë, frymëzim e përqendrim mendor për ato këta muajt e fundit. Pra, fjalën e kam sot për plehrat me qese apo thasë që hedhim, në rastin më të mirë, në kazanët e vënë apostafat për ato nga bashkitë nëpër rrugët e qyteteve tona; e kam gjithashtu për plehrat e imta – paketa cigaresh bosh, kanaçe pijesh e shishe plastike të zbrazura, letra të yndyrshme hamburgerësh apo sufllaqesh të konsumuara që, si pa të keq e krejt të shkujdesur, vazhdojmë t’i hedhim ku të mundemi: rrugëve, trotuareve, parqeve, rrëzë pemëve apo shtyllave etj. etj., ndonëse ankohemi, ndër të tjera, për shërbimet e kësaj apo asaj bashkie ose edhe për taksën e pastrimit.

Sigurisht, që ne, qytetarët, nuk jemi më ata të para dhjetë vjetëve, kur, pasi ishte ngrysur, i flaknim nga dritaret qeset me plehra, të cilat jo rrallë ngecnin pemëve dhe i “zbukuronin” ato si të ishim në prag festash kombëtare apo fundviti. Pra, vende-vende, kemi ndryshuar, kemi marrë pak më shumë edukatë qytetare. Por na mbetet ende për të bërë. Lidhur me këtë, një fakt më duket vërtet interesant: Sikur kazanët e plehrave të kishin gojë jo vetëm për të gëlltitur plehrat tona (kur i hedhim brenda tyre, sigurisht), por edhe për të folur, do të mësonim imtësira që do ta vinin në pozitë të vështirë edukatën tonë qytetare (për ata nga ne që e kanë një të tillë). Kështu, për shembull, kazanët mund të na thoshin se ne do të bënim mirë që, tek dalim çdo mëngjes me qese plehrash në duar, të tregonim kujdes për t’i hedhur ato jo vetëm në kazanin më të afërt që gjendet më pranë nesh, por edhe në kazanin ngjitur, ndryshe nuk ka si shpjegohet që njëri kazan e sheh veten të tejngopur, të mbushur plot e përplot me plehra, madje, edhe me rrotat e fshehura prej tyre, ndërsa tjetri, fare afër, ende është gjysmëbosh, pra, ndihet i uritur.

 Për këtë pakujdesi tonën, pra, fajin nuk e kanë bashkitë, qofshin ato me kryetarë socialistë apo demokratë, për këtë e kemi fajin ne, qytetarët, që dimë fort mirë të ankohemi, por që jo rrallë i hedhim plehrat nga larg a thua se jemi duke zhvilluar (Me kë? Për kë? Kundër kujt?) një ndeshje basketbolli e duam të marrim me çdo kusht tri pikë me një gjuajtje jashtë zone. Nga ana tjetër, mbushja deri në derdhje e një kazani, ndërsa tjetri ngjitur është i pambushur, bën që i pari të zërë shumë miq e shokë me katër këmbë e me bisht, veçanërisht qen e mace rrugësh, ndërsa i dyti të ndihet, siç thuhet e shkruhet sot, i frustruar, pra, i privuar padrejtësisht. Faji ynë si furnitorë të pakujdesshëm plehrash rëndohet edhe më tepër kur mendon, sipas konfidencave ankuese të kazanëve të plehrave sikur ata të kishin gojë, se duke bërë këtë diskriminim midis kazanëve, ne po zhdukim pak e nga pak dallimin midis racës qenore dhe asaj macore!

Atij që do ta kishte të vështirë ta pranonte këtë fakt, unë do t’i sugjeroja të vëzhgonte qentë që vërtiten rreth kazanëve të plehrave: a nuk kanë mësuar sot qentë e Tiranës në përgjithësi dhe ata të Bërrakës sime në veçanti – lagje në zemër të kryeqytetit tonë – të imitojnë për mrekulli rivalet e tyre mace duke u ngjitur bash si ato mbi kazanë, duke marrë me dhëmbë që andej qeset me plehra interesante për menynë e tyre, për të zbritur pa vonuar e për ta shqyer qesen në ndonjë qoshe me synim të vetëm përzgjedhjen e ushqimit që u intereson? Ah, i shkreti Darvin, sa keq që nuk jeton më: përballë realitetit të evoluimit të racës qenore rreth e rrotull kazanëve të plehrave në Tiranë e gjetiu në Shqipëri, ai me siguri do ta kishte pasuruar teorinë e tij mbi zanafillën e specieve përmes përzgjedhjes natyrore dhe, me shumë gjasë, do ta kishte modifikuar atë në dritën e përzgjedhjes së kushtëzuar artificialisht nga ndërhyrja e faktorit… homo albanicus! Rrjedhimisht, nuk duhet të çuditemi nëse një ditë, krejt papritur, qentë do të nisin të mjaullijnë, kurse ne, qytetarët, përgjegjës për këtë mutacion (kujdes me tri germat e para të këtij termi shkencor!), do të zëmë të lehim për t’i trembur kafshët plehrangënëse që të na lënë të paktën të flemë rehat natën, paçka se ditën plehrat i hedhim pa pikë respekti për… vetveten!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama