Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mprihe pendën, zoti Lame

Shkruar nga: Gjergj Meta  
Botuar më: 14 vite më parë

Gjergj Meta
Mprihe pendën, zoti Lame

Zoti Artan Lame, në shkrimin e tij të datës 1 shtator 2011 në gazetën “Shqip”, me titull “Po të mos ishte Migjeni”, mundohet me një gur të vrasë disa zogj: Zotnitë e Shkodrës, Kishën Katolike, priftërinjtë katolikë, poetin e Zanave të Maleve (alias Fishtën) etj. Shkodranët, sigurisht, nëse duan, do të dinë ta mbrojnë vetveten. Unë nuk jam as “zotni shkodran” e as shkodran, e nuk marr përsipër të flas për ta e as në emër të tyre, edhe pse për hir të së vërtetës, Shkodra ka përfaqësuar për shumë kohë kulturën më të mirë katolike dhe jo vetëm, në Shqipëri. Për poetin e Zanave të Maleve çfarë të them? Nëse poeti ka ra n’at pikë të hallit sa të shahet nga zoti Lame e të mbrohet nga unë, vaj medet për të…! E, sa për Kishën Katolike e priftërinjtë katolikë në Shqipëri, dua thjesht të bëj disa saktësime që, sigurisht, do ta ndihmojnë zotin Lame në të ardhmen t’ia mprehë pak majën pendës.

Dua ta nis me një tregim që rëndom Pater Zef Pllumi, kur binte fjala për Migjenin, thoshte. Ai tregonte se kur kishte qenë nxënës në kuvendin e fretënve në Shkodër, kishte dëgjuar këtë bisedë ndërmjet Fishtës dhe disa vëllezërve të tij françeskanë: “Patër (duke iu drejtuar Fishtës), këtij Migjenit duhet me iu përgjigj”. Dhe Fishta, që kishte shpirt poeti dhe e njihte mirë artin letrar, u përgjigjet: “Ma leni rehat djalin e Gjushit (Gjergjit), se asht ende i ri”. E kam sjellë këtë tregim ashtu si e kam dëgjuar, por jam i bindur se edhe shumë të tjerë që e kanë njohur Pater Zefin duhet ta kenë dëgjuar këtë tregim e mund ta saktësojnë e ta pohojnë. Nëse Fishta, e me të gjithë shkolla e viteve tridhjetë katolike në Shkodër, shprehnin njëlloj admirimi për artin letrar të Migjenit, kjo nuk do të thotë se ata ishin kryekëput dakord me ideologjinë themelore të tij, sikurse sot e kësaj dite as unë e të tjerë si unë nuk mund të jemi dakord me ekzistencializmin dhe nihilizmin e Migjenit, ashtu sikurse të Sartrit apo Kamysë, edhe pse veprat e tyre na pëlqejnë dhe i lexojmë me ëndje. Sikurse po ashtu, as me shkollën e Merxhanit e të tjera shkolla katolike nuk ishte fort dakord, edhe pse të gjitha këto shkolla mundoheshin të ishin në shërbim të shqiptarizmës, sikurse e thotë zoti Lame. Sa për krahasimin e Migjenit me Balzakun dhe Dikensin, po ua lë atyre të fushës ta bëjnë krahasimin, i bindur se më e shumta për dashuri ndaj zotit Lame do të heshtnin.

Por, Zoti Lame nuk ka hall të mbrojë Migjenin, sigurisht. Me dije apo pa dije, këtë nuk e di, ngatërron disi perimet me parimet në disa kalime të shkrimit të tij, i cili, në të vërtetë fsheh mllef për dikë apo diçka në veçanti, por që nuk i nxjerr kryet. E, për atë çka ne nuk dimë, ai gjuan në turmë dhe pa dallime. Me një vështrim paksa të kujdesshëm, zoti Lame riciklon, as më shumë e as më pak, por një lloj neomarksizmi të ngulitur thellë në mendjen e tij. Dhe e nxjerr shumë fare haptas. Klerikët katolikë për zotin Lame kanë dhënë një kontribut të paçmueshëm në shërbim të shqiptarizmës duke ruajtur gjuhën e duke dëshmuar traditën malësore. Ai që ruan përgjithësisht quhet konservator. Por zoti Lame harron që këta klerikë jo vetëm kanë ruajtur, por edhe kanë zhvilluar, lëvruar dhe hedhur bazat e gjuhës shqipe e më shumë.

Ata ishin edhe promovuesit e Pavarësisë (pavarësisht kush e mbajti flamurin në dorë) me dom Nikoll Kacorrin, ishin ata që mbrojtën Shqipërinë nga copëzimi (Imzot Bumçi), ishin ata ruajtën një copë identiteti për të rigjeneruar më vonë identitetin shqiptar nga errësira otomane, ishin ata që krijuan në vitet ‘30 shkollat më të mira të mesme nga të cilat dolën intelektualë që i shërbyen Shqipërisë e nga të cilët përfitoi edhe realizmi socialist me përkthyes e muzikantë. Ata priftërinj (apo prifta si u thotë zoti Lame) nxorën Ernest Koliqin, por gjithashtu nxorën edhe Pashko Gjeçin (përkthyesin e Dantes), Gjon Shllakun (përkthyesin e Iliadës,) Henrik Lacajn, Filip Fishtën, por edhe Tonin Harapin, Mikel Koliqin, Gjon Simonin, Simon Gjonin etj. Por, ndoshta, këta emra, thellësisht e tërësisht katolikë shqiptarë, e bezdisin zotin Lame.

Kishat ishin, dhe më shumë se kudo në Shkodër, ato vende ku të varfrit ndihmoheshin më shumë se kudo tjetër dhe pa asnjë lloj interesi partiak apo ideologjik apo fetar. Por, zoti Lame nuk e din çfarë është Buka e Shnandout, çfarë janë motrat stigmatine dhe saleziane që kanë formuar breza vajzash me kulturën më të mirë perëndimore, nuk e din çfarë ka qenë gjimnazi “Illyricum” dhe Kolegji Ksaverian në Shkodër. Zoti Lame nuk e din se si promovonte teatrin në vitet tridhjetë Dom Shjefën Kurti e famullitarët e tjerë të Tiranës, nuk e din se don Mark Dushi na ka lënë dëshmi shumë të mira për Tiranën me hulumtimet e tij.

Zoti Lame nuk din shumë gjëra që Kisha Katolike dhe priftërinjtë kanë bërë për të varfrit, të cilët, përveçse për një bukë goje, kishin nevojë edhe për formim. Po, sepse zoti Lame është i lidhur pas të vetmit model komunist shqiptar, që i varfëri duhet mbajtur për një copë buke, sepse kështu bëhet spiun dhe shërbëtor i regjimit. Priftërinjtë katolikë me Anton Harapin në krye dhanë modelin dhe sendërtuan identitetin më të qartë të qytetarit shqiptar europian. Se ku ka ngecur Pater Anton Harapi me traktatin e tij Vlerë shpirtërore, një perlë që edhe sot e kësaj dite mendimtarët shqiptarë ende nuk kanë arritur ta formulojnë, këtë mund të na e thotë vetëm zoti Lame.

Në morinë e atyre burrave të Kishës Katolike të shekullit XX, zoti Lame përmend Imzot Oscar Romeron, një ipeshkëv i jashtëzakonshëm që punoi e jetoi në El Salvador për të varfrit e për ta dha edhe jetën. Por harron zoti Lame se po në ato vite meshtarët dhe ipeshkvijtë katolikë në Shqipëri ishin në burgjet e komunizmit sepse iu kundërvunë një diktature sikurse bëri edhe Romero. Në Kishën Katolike, edhe Oscar Romero, edhe të gjithë të tjerët janë martirë të fesë, pasi në çdo njeri e të varfër shohin fytyrën e Krishtit e jo atë të Marksit, e meqë Krishti është Zot themeli i martirizimit të tyre, nuk është i këtejmë, por i përtejmë. Zoti Lame përmend vetëm njërin prej martirëve shqiptarë të Kishës Katolike, Dom Gjon Gazullin, dhe këtu zoti Lame o është i paditur, ose është tendencioz. Në listën e martirëve është i vetmi që nuk është vrarë nga komunizmi, por nga Zogu, i varur në mes të qytetit.

Po, sepse për zotin Lame, sigurisht, ata të 39 të tjerë (dhe më shumë) që u vranë nga komunizmi nuk ekzistojnë, sepse ndoshta ata padisin një sistem që polli zotin Lame dhe shumë sish. Zoti Lame akuzon se Kisha Katolike kurrë në Shqipëri nuk është rreshtuar me të varfrit. Gabim, zoti Lame! Tregova më sipër që është solidarizuar në vitet ’30 (por gjithmonë) me të varfrit. Por edhe gjatë komunizmit e ka bërë këtë gjë. Çfarë shërbimi më të mirë mund t’i bëjë një populli një udhëheqës fetar se sa të vdesë për liri, pa bërë asnjë lloj kompromisi? Cila është vlera më e madhe që na dallon nga kafshët përveçse lirisë? Si ka mundësi që edhe ata me të cilët zoti Lame shkruan edhe libra e janë bashkautorë me të nuk e kanë informuar mbi këto gjëra duke qenë se janë mjaft të informuar për katolicizmin në Shqipëri?

Sistemi komunist me të gjithë ligësinë e tij përligjet në shkrimin e zotit Lame edhe për arsye të interpretimit të Migjenit, pasi vlerësimet e zotit Lame janë kryekëput ato të një teksti letërsie të realizmit socialist (klasat e tetëvjeçares), i cili e quante Migjenin një pararendës të dëshirës për barazi të komunizmit. Sigurisht, po të kishte jetuar Migjeni pak me shumë, do ishte i pari që do kishte hyrë në burg bashkë me meshtarët katolikë. Por duket se vazhda e ideologjisë ende përligj këto lloj interpretimesh të dalë mode e sidomos në luftën kundër klerit prapanik dhe reaksionar. A nuk tingëllon shumë qesharake se Migjeni i paska ardhur hakut klerit katolik në Shqipëri kur, sigurisht, kleri katolik, në mënyrë kapilare, në të gjithë Shqipërinë, bënte një punë të jashtëzakonshme në fshatrat më të thella e në zonat më të thyera.

Por, zotit Lame këto nuk i interesojnë. Nuk i intereson as fakti se në ditët e sotshme, më shumë se çdo organizatë joqeveritare, Karitasi Shqiptar (pra Kisha Katolike në Shqipëri) është në ndihmë të të varfërve në mënyrë kapilare në të gjithë Shqipërinë me ambulanca, kopshte, ndërtime shtëpish, qendra dëgjimi etj. E po ashtu ka shkolla nëntëvjeçare e të mesme të një niveli europian ku studiojnë e dalin nxënës të shkëlqyer. Por, së fundi, e jo për kreni, unë vetë jam famullitar në kontakt me varfërinë që zoti Lame e shikon vetëm në edicione lajmesh, duke qenë se jam në një zonë si Kamza, Zall-Herri, Fushë-Kruja etj.

Zoti Lame së fundi justifikon ata “të ndërmjetmit”. Ishte e pritshme. Sepse edhe ai vetë është ndër ta që janë formuar në atë sistem kokë e këmbë e janë të zhytur në atë sistem në forma mentis-in e tyre. Por nuk mund ta hiqni përgjegjësinë nga vetja për asnjë moment, sepse nuk jua ka fajin Komandanti as ju e as të tjerëve që sot mbani leksione në faqe gazetash a foltore parlamenti, por mosguximi dhe nënshtrimi juaj ndaj atij regjimi që vazhdoni t’i shërbeni edhe sot e kësaj dite me këto lloj shkrimesh.
E, në fund të fundit, zoti Lame duket që ka një problem të thellë me kulturën katolike në tërësi, e cila në këtë vend i jep bezdi shumëkujt, pasi tregon emancipim dhe liri. E ka bezdi ai e shumëkush tjetër, sepse ose nuk ka mundur ta ketë, ose e ka tradhtuar, ose sepse kjo kulturë u kundërvihet modeleve relativiste, iluministe e neomarksiste të realitetit të sotëm.
Zoti Lame, nëse keni diçka më ata që duan të shembin Piramidën, thojuani atyre hapur e shkoqur. Nëse shkodranët të kanë penguar në ndonjë gjë, atëherë merru me ta. Kurse sa i përket Kishës, e cila, sigurisht, është sancta et meretrix, pra jo e përsosur, sepse e përbërë nga njerëz, por që prania hyjnore nuk i mungon për asnjë çast, informohuni pak më shumë herën tjetër dhe kërkoni ta shikoni me sytë tuaj e jo me lentet e një regjimi që masakroi lirinë dhe ndërgjegjen e shqiptarëve e më së shumti Kishën dhe klerin katolik.





Per te lexuar Opinionin e Artan Lames klikoni KETU

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama