Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Arsimimi si krizë

Shkruar nga: Arben Rrozhani  
Botuar më: 14 vite më parë

Arben Rrozhani
Arsimimi si krizë

Po e nis si prind: Fëmija im e provoi që 9 muajsh që ta “rrisë bota”. Me shumë përpjekje, me një pagesë 17 mijë lekësh në muaj dhe duke i thënë “faleminderit”, pronarja e një kopshti privat, por që kishte edhe çerdhen pa licencë pranoi të kujdesej për fëmijën, që ne prindërit të bënim këto punë të uruara, duke përshkuar me karrocë gjysmën e Tiranës nga ministria e Jashtme deri te fundi i rrugës “Myslym Shyri”. Aty vijoi edhe kopshtin me tarifë 14 mijë lekë në muaj, por e hoqëm, sepse privati po abuzonte jo vetëm me paratë tona, por edhe me mirërritjen dhe edukimin e fëmijës.

Ndaj në moshën 4-vjeçare provoi se si të “rrit shteti”. Në një kopsht të bukur njëkatësh pranë ministrisë së Shëndetësisë, që kundërmonte ditë-natë era gjellë, rrethuar nga një bahçe e papunuar e me bar të keq. Ishte një telash më vete. Jo për tarifën qesharake që do t’i paguaje shtetit në një zyrë afër “Stacionit të Trenit”, por sepse me atë orar nuk mund të bëje një punë të hairit. Normalisht, fëmija duhet të bënte gjumin e drekës aty dhe pastaj ta merrje pasdite. Por çfarë gjumi?!!! Mbi 40 fëmijë të ngjeshur me njëri-tjetrin, me ca krevatthe, të sajuar me sfungjerë të vënë sipër paletave të drunjta 60 me 100 cm. Dhe me probleme të shumta higjienike që pasonin këtë fjetje kolektive. Derisa një ditë, vendosëm t’i thoshim mjaft shampove dezinfektuese dhe stërmundimit për të qenë edhe prindër edhe të punësuar të përgjegjshëm.

Destinacioni i ri ishte një shkollë që vetëquhej artistike, rrugës së Frigoriferit, që bënte reklamë të madhe duke përdorur imazhe të artistëve të njohur. Ku vinte po ai kundërmim gjelle, por ku fëmija mësoi se si mishi aty ishte i padukshëm, jo si ai që copëtonte me duar në shtëpi. Ku kaloi disa lloje veglash muzikore dhe ndaloi te piano, aty ku edhe ka mbetur. Tarifa po aq sa e çdo privati, plus shpenzime të tjera ekstra, për mjete didaktike apo edhe ekskursione te Kopshti Zoologjik!!!. Dhe me këto kujtime jo aq të mira fëmija do të hynte në klasën e parë.

Një klasë e bukur në shtesën e re të njërës prej shkollave 9-vjeçare më të dëgjuara të Tiranës. Mbi 30 nxënës në duart e një mësueseje të papërtuar, por pak të sertë. Me idenë e saj klasa e pajis me kondicioner dhe aksesorë të tjerë, por pas një viti klasa iu lirua një të pare tjetër dhe në klasa të dytë fëmija ynë mësonte në një kthinë shumëkëndëshe, ku tabela e zezë ishte veç dy metër larg nga banka e fundit dhe ku muajt e fundit zgjidhja ishte vendosja e nxënësve përreth bankës. Prej 12 shtatorit 2011, fëmija është në klasë të tretë. Klasa është te pjesa e vjetër e shkollës. 40 nxënës të mbledhur nga lagjja përreth dhe nga periferia në një klasë ku nuk dalin bankat për t’i ulur.

Po e vijoj si taksapagues: Qeveritë shqiptare nuk duan të japin kokrrën e lekut për arsimin, shëndetësinë apo sektorët e shërbimeve. Ato nuk janë pjesë e tyrja, sepse qeveritarët nuk kërkojnë të marrin shërbime te këto sektorë buxhetorë, ngase shërbimet i marrin te privatët, duke i blerë me paratë e vjedhura prej taksapaguesve. Flasin faktet që thonë se fëmijët e pushtetit shkojnë në shkolla private, ku të bie kokës tarifa brenda dhe jashtë shtetit. Flasin më mirë shifrat se si Ekzekutivi jep gjithnjë e më pak fonde për zgjerimin, apo përmirësimin e sektorëve jetikë të jetës sociale, siç është arsimi.

Për arsimin e fëmijës në një shkollë publike fondet vijnë nga qeveria, bashkia, si dhe vetë prindërit, që kontribuojnë me çfarë të munden. Në një grafik të hartuar nga “Open Data Albania”, i cili mbështetet në të dhënat e Ministrisë së Financave arrin të bësh analizën e shpenzimeve të buxhetit të shtetit për arsimin, i cili shkon në financimin e arsimit bazë, të mesëm, universitar, për shkencën si dhe shpenzime për paga, sigurime, materiale mësimore apo investime kapitale për institucionet arsimore dhe administratën.

Nga ana shifrore shqiptarët sot shpenzojnë 5 herë më shumë se sa në vitin 1995, por në përqindje më pak, sepse sot ajo është vetëm 2.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) kundrejt 3.7% në 1995-n. Viti më i mirë mbahet 2003-shi, në të cilin ai ishte 25% më i lartë se sa një vit më parë si dhe viti 2007, ku bie në sy dukshëm shkëputja që ka pësuar financimi edhe për vitet në vazhdim. Pesha ndaj PBB-së ka ardhur në rënie të vazhdueshme nga 5% në vitin 1991, në 3.7% në 1995-n,e deri në 2.8% në vitin 2002, një periudhë gjatë së cilës domosdoshmëria për fonde ishte shumë e lartë për të mbështetur rritjen e cilësisë dhe riorganizimin e sistemit arsimor. Deri në vitin 2009, pesha ndaj PBB-së ishte mesatarisht 3.2% dhe vetëm në vitin 2010 ajo bie sërish nën 3%, për tu ulur akoma më shumë në 2011-n në 2.8%. Duhet theksuar se buxheti arsimit ndaj PBB-së ka qenë vazhdimisht më i ulët se mesatarja e vendeve të OECD-së. Kështu, në vitin 2004, mesatarja e OECD-së shënonte 4.5%, ndërsa e Shqipërisë 3,4%. E njëjta situatë edhe në vitin 2007. Mesatarja e vendeve të OECD-së ishte 4.6%, ndërsa e Shqipërisë 3,2%.

Sipas të dhënave prej vitit 2001 vërehet një rritje e zërit të arsimit në Buxhetin e Shtetit. Në 2003 ishte 15.5%. Ndërkohë që pas vitit 2007, vërehet një stanjacion në nivelin 15%.

Po e mbyll si punonjës i medias: Fëmija im ankohet, sepse ka shumë nxënës në klasë dhe kontakti më mësuesen sa vjen e pakësohet. Klasa e saj është shumë më e keqe se dy vite më parë ku shkeli në atë shkollë. Por në atë institucion të dëgjuar të arsimit 9-vjeçar sivjet ka shumë dyndje. Prindër të dëshpëruar për arsimimin e fëmijëve i kanë sjellë edhe nga periferia, në shkolla ku nxënësit dalin siç kanë hyrë, nxënës të hequr nga shkollat private, prej prindërve të zhgënjyer me abuzimin që u është bërë me paratë dhe formimin e fëmijëve. Ky është një lajm i mirë për arsimin publik në vend, i cili vijon të ngjallë besim për formimin e nxënësve.

Por vetë qeveria nuk po harxhon fondet që t’i përgjigjet besimit të taksapaguesve. Në shkollën ku studion fëmija im, lyhet vetëm fasada. Pjesa tjetër është më keq se vite më parë dhe shumica e hapësirës së saj është e pashfrytëzueshme, sepse mungojnë investimet modeste që do ta kthenin në një shkollë normale për fëmijët. Ndërsa kopshti shtetëror afër Ministrisë së Shëndetësisë nuk i ka hapur fare dyert, sepse është mbyllur nga Instituti i Shëndetit Publik për mungesë të kushteve higjieniko-sanitare. Dhe kjo ndodh në një lagje të një kryeqyteti të dyndur prej njerëzve të periferisë ku shteti është zbythur. Shumëkush do të thotë se ka edhe më keq. Siç tregonte kronika nga një fshat i Memaliajt ku dhjetëra nxënës e kanë sfidë “jetë a vdekje” ndjekjen e procesin mësimor, sepse mund të mbyten në lumë ndërsa kalojnë mbi varkën e sajuar.

Shumë larg nga bombardimi me lajme për “Shqipërinë në moshën e internetit”. Në Shqipëri po ndodh ajo që nuk bën bota. Po ndodh siç përfundon analiza e mësipërme se ndërsa shumë shtete po i përgjigjen krizës botërore nëpërmjet investimit në kapitalin human, si një mundësi për daljen dhe lehtësimin e pasojave të saj, ndërsa buxheti i arsimit në Shqipëri po ulet, duke prekur direkt arsimimin. Në shifra? Për vitin 2010 u tkurr me 3%, krahasuar me vitin 2009 dhe rishikimi i buxhetit vjetor në mes të vitit 2011 prek edhe buxhetin për arsimin”. Nga 40.4 miliardë lekë prej korrikut me rishikimin e buxhetit është 38,3 miliardë lekë, ku shkurtimet më të mëdha janë në investimet të reja, në shkolla dhe kopshte. Dhe dihet mirë se ç’të mbjellësh sot, do të korrësh nesër.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama