Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tri herë në ditë…

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 14 vite më parë

Edmond Tupja
Tri herë në ditë…

Tri herë në ditë? Ç’do të thotë kjo? Eh, pra, kjo shprehje mund të marrë kuptime të ndryshme nëse e dëgjojmë nga goja e një mjeku që lëshon një recetë, nga goja e dikujt që del jashtë qytetit për të bërë vrap, nga goja e një qytetari që i shkon në spital nënës apo babait të sëmurë rëndë etj., etj.  Kurse sot, për mua, shprehja në fjalë ka një kuptim të veçantë: ashtu siç themi prej shumë vitesh se ujët na vjen tri herë në ditë, ashtu do të themi së shpejti (dhe kjo nuk është aspak diçka fantastiko-shkencore) se, të paktën në Tiranë, “megapol” që po shtrihet së gjeri  e së gjati dhe po ngrihet në lartësi përherë e më tepër , ajër do të kemi vetëm tri herë në ditë.

Për shkak edhe të ngrohjes së planetit, por edhe të ndërtesave përherë e më të larta që, detyrimisht, po zënë e do të zënë sa vjen e më shumë vendin që zinte… ajri. Në këtë përfundim arrita këtë verë tek vërejta se, megjithëse temperaturat nuk i kanë kaluar të 40 gradët Celsius, vapa në Tiranë është e padurueshme pikërisht për shkak të mungesës së ajrit. Një qytet, thonë urbanistët, është si një dhomë ndenjeje: sa më shumë e mbush njeriu me mobilie, aq më pak ajër mbetet në të.

Tri herë ajër në ditë… A e përfytyroni dot këtë, të dashur lexues të rregullt e të vëmendshëm të kësaj rubrike? Ashtu si sot jemi të pajisur me pompa uji që të na vijë ujët tri herë në ditë, ashtu do të pajisemi së shpejti edhe me pompa ajri që të na vijë ajri të paktën tri herë në ditë neve që shumicën e vitit e kalojmë në Tiranë, sepse ata që disponojnë para, makina, vila jashtë qytetit etj., etj., kanë mundësi të verojnë buzë detit, në fshatra malore e ku ta di unë ku ka ajër me bollëk dhe çfarë ajri se, të pastër, të pasur me oksigjen, pa pluhur e mikroorganizma, shkaktarë të lloj-lloj sëmundjeve të trupit e të mendjes!

Që të banosh në Tiranë duke u ngopur njëkohësisht me ajër, duhet të banosh sot për sot të paktën në katin e shtatë apo të tetë, por edhe kjo nuk është një zgjidhje përfundimtare ngaqë, me sa duken bathët (me “a” dhe ende jo me “y”), kullat që do të ndërtohen në kryeqytetin shqiptar do të jenë përherë e më të larta e ndoshta një ditë jo të largët dendësia ndërtimore do t’i përzërë tiranasit me të ardhura modeste nga shtëpitë e tyre me jo më shumë se katër-pesë kate drejt fshatrave kodrinore apo gjysmëmalore të rrethinave (Dajt, Brar, Tujan, Priskë, Feken, Shëngjergj etj., etj.). Nëse ata nuk do të kenë mundësinë të blenë shtëpi në këto zona, atëherë do të detyrohen të jetojnë, punojnë, flenë, hanë, bëjnë dashuri, grinden e rrihen me… pajisje polumbarësh: në çdo qoshe rruge do të ketë dyqane ku do të shitet ajër i lëngshëm i sjellë me bombola nga zonat malore si Tropoja, Kukësi, Peshkopia, Mirdita, Mokra, Korça, Erseka etj., etj; madje, do të ketë edhe ajërshitës që do të bredhin rrugëve duke thirrur: “Hajde ajër! Ajër nga Korabi… Ajër nga Shkëlzeni… Ajër nga Morava…

Ajër nga Nëmërçka… Hajde ajër special!”. Për më të kamurit, ajri do të importohet nga Zvicra, Franca, Austria, Skocia, Islanda, Groenlanda etj., etj. Kurse më të kamurve të të kamurve, si presidentëve të Republikës, kryeministrave, ministrave, deputetëve, kryetarëve të partive, Parlamentit, gjykatave të niveleve të ndryshme, prokurorive, bashkive e komunave, ajri do t’u vijë nga jashtë shtetit (ndoshta edhe nga jashtë sistemit tonë diellor) me adresën e shtëpisë apo të vendit të punës për aq kohë sa do të qëndrojnë në Tiranë.

Me siguri që, jo për ta zgjidhur krizën e ajrit, por të paktën për ta lehtësuar, qeveria, me referendum mbarëpopullor, do të vendosë krijimin e një sistemi triskash apo tallonash për një shpërndarje sa më pak shpërdoruese të ajrit. Nga ana tjetër, do të shpiken e do të vihen në shfrytëzim impiante të pastrimit e të riciklimit të ajrit të përdorur deri edhe të gazrave të ndryshme me origjinë industriale, bujqësore apo edhe njerëzore (idealja do të ishte që çdo individ të pajisej me një aparat të vendosur në trupin e tij, i cili do t’ia pastronte në çast gazrat e ndryshme vetjake duke ia kthyer në gjendje të thithshme drejtpërsëdrejti  nga aparati i frymëmarrjes).

Së fundi, ata që do të dallohen për kursim të ajrit, do të shpërblehen me stimuj moralë si dekorata, tituj nderi e, sigurisht, me artikuj e emisione televizive vetëm për ta, por edhe me stimuj materialë si CD, DVD, ti-shërte të stampuara, mbajtëse çelësash, prezervativë, kontraceptivë (sa më pak fëmijë të lindin, aq më shumë ajër mbetet për të gjallët) etj., etj. Së fundi, nuk do të ishte për t’u habitur, sikur, një ditë apo natë të bukur, nënat të nisnin t’i ushqenin fëmijët deri në nëntë apo dymbëdhjetë muaj jo me qumësht gjiri, por me ajër pëqiri, gjë që do të mund ta bënin, nën shembullin e tyre, edhe vetë baballarët, çka do të vlente shumë për realizimin e vërtetë të barazisë gjinore.

Sidoqoftë, duke pritur që të ndodhë sa u tha më lart, le të thithim ajrin e rralluar e të qelbur të Tiranë sonë gati të asfiksuar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama